Hakmarrja me një Babale kosovar

Nga Alfred Lela –

Pasi e provuan në kurriz një Babale që ishte ndërtuar me qëllimin për të rrëzuar, në mos qeverinë të paktën ministrin e Brendshëm, socialistët e Ramës, ende pa e fituar përfundimisht betejën gjyqësore në proces për rastin në fjalë, janë hakmarrë me një Babale bis.

Kontekstet janë krejt të pangjashme dhe, përveçse baltosin kundërshtarin politik, kësaj here duket se synojnë pikërisht atë për të cilën Rama betohet se nuk e bën kurrë: njollosjen në gjuhë të huaj të shqiptarit në kampin tjetër politik.

Sigurisht që debati po zhvillohet në shqip dhe, përveç raporteve që marrin ambasadat e huaja në Tiranë për shkëmbimet e helmëta, nuk duket të ketë implikime të tjera ndërkombëtare, por nuk është gjuha që e bën të pavend Babalen 2.

Kjo përpjekje për të nxjerrë qar të brendshëm politik nga një rast me implikime kombëtare e ndërkombëtare, i vendos shqiptarët, me gjuhë dhe vetëdije të shqiptarëve, në anën e gabuar të historisë. I bën ata, jo vetëm një ‘sipërmarrje të strukturuar kriminale’, siç padit dhe pandeh raporti i gjykatës speciale, por edhe kombëtarisht të infektuar me tradhtinë, pabesinë, lakminë. Sidomos kështu kur kryetari i opozitës dhe kandidati për kryeministër sulmohet si i përfshirë në ambalazhim krimesh, të ngjashme me ato për të cilët shqiptarët e Kosovës u ngritën në luftë.

Ky është përdorimi i lirisë së shprehjes, së grumbullimit, të angazhimit politik për të anulluar po ato liri që i ngritën shqiptarët në këmbë në lëvizjen e Dhjetorit për rrëzimin e komunizmit dhe çlirimin e Kosovës. Dy ngjarje, ndoshta të vetmet takime me historinë, të shqiptarëve në gjysmën e dytë të shekullit të shkuar.

SocBabalja kundër Bashës është qartësisht shpikje, kundërmimi i trashë i mashtrimit pikë së pari vjen bash prej banalitetit të protagonistit. Të njëjtën gjë ka pretenduar Rama, Balla e të tyrit edhe në rastin e DemBabales. Ata kanë piketuar pikërisht diskredibilietin, sfondin personal dhe shoqëror të indivdit. Edhe dëshmitë e protagonistit të Babale 2 kanë, jo vetëm mllefe personale, por flasin edhe kullojnë edhe insanitet. Një prej tyre, më morbidja, është komunikimi me të vdekurit dhe shkëmbimi i cigareve me ta, siç raporton media.

Më famozi ndër pretendimet e Bellanicës është një Lulzim Bashë me maskë në kokë, që kërcënon dëshmitarë e çkahmosin. Nga fantazmagoria e duhanprijes me të vdekurit te maska e Bashës, dëshmitari nuk ka ligësi ndoshta, por mjerim ka sa të duash.

Ligësia dhe mjerimi bëhen nyjë në gojën dhe duart e protagonistëve të mazhorancës, që kanë më pak për të thënë për njerëzit e Millosheviqit në Beograd, se sa për kundërshtarin e tyre politik në Tiranë. Politiko.al

SHKARKO APP