Hapërdamje administrative
Nga Artan Fuga
Unë kam ëndrrën që një ditë ministritë dhe drejtoritë e mëdha të administratës shtetërore të shpërndahen në të gjithë territorrin.
Ta zemë drejtoria e OSSHE në Pukë ose Kukës, atje ku janë hidrocentralet.
Drejtoria e përgjithshme e Doganave në Ersekë mbase jo, por në Korçë.
Përse drejtoria e përgjithshme e hekurudhave që nuk ka pothuajse fare, të jetë në Durrës dhe atje të mos jetë edhe ministria e transporteve.
E bujqësisë mu në Lushnjë.
E kështu me rradhë.
Aq është Shqipëria, sa një qytet i madh. Rrugë ka. Pastaj komunikimi virtual bën kërdinë kudo në botë aq sa edhe korporata të mëdha planetare drejtohen virtualisht nga një qendër në të gjithë planetin.
Jo më një copë Shqipëri që për ta administruar nuk do veçse gjysëm mendjeje të saktë për ta kollandrisur, dhe pak orë punë pasdite për ta bërë nuse.
Tirana do të shfryhej nga popullsia dhe qarkullimi.
Nëpunësit që duan rehatinë e Tiranës dhe nuk janë gati të shërbejnë kudo, në dreq të venë.
Rrogat e administratës qendrore do të harxhoheshin në periferi dhe kjo do ta lulëzonte atë.
Në krahina do të niste jeta kulturore dhe gjallëria, sepse tani atje vdes nga mërzia. Duken si burgje urbane.
Nëpunësit e lartë do të shihnin Shqipërinë nga dritarja e apartamenteve sëpaku, jo nga dritaret e avioneve!
Sa mirë, Mbrojtja në Krujë.
Kultura në Lezhë.
Arsimin ta hidhnin andej nga Elbasani.
Ekonominë në Shkodër. Mjaft e ka!
Financat në Berat! Poshtë kalasë!
Të Brendshmen në Peqin.
Të Jashtmen në Kombinat.
Kryeministria andej nga Brryli.
Gjykata Kushtetuese në Farkë.
Kësaj do t’i thosha deçentralizim territori dhe do ta votoja me dy duar atë burrë ose grua që do të guxonte ta bënte.