Hapet Kutia e Drogës…, si e Pandorës!
Nga Frrok Çupi
Sapo u hap sot seanca gjyqësore kundër djemve të arrestuar për ‘drogë’ në Lazarat, duket se pikërisht aty nisi hapja e ‘Kutisë”. Edhe pse ata u burgosën me shumë vite, kjo jo vetëm nuk e mbylli, por e hapi plotësisht Çështjen:
Liria e të burgosurve pas rrëzimit të Tahirit:
Arbjon Aliko, i cili u burgos për 13 vjet, dha dy dëshmi: E para se droga e Lazaratit u kap nga Policia dhe aty për aty iu shit ‘trafikantëve nga Tepelena’. Dyshimi se droga kudo ku ‘kapet’ nuk ekzekutohet, por kalon në duar të dyta, ka mbuluar vendin; madje edhe vetë politikën në radhët e qeverisë. Ish kryeministri Socialist, sot përsëri ministër, Pandeli Majko, prej kohësh kishte lëshuar alarmin se ‘droga nuk po ekzekutohet nën dëshminë e prokurorëve’. Në gjithë hapësirën, droga- si malli kryesor i prodhuar në vend- edhe kur është ‘ekzekutuar’, në fakt nuk është ekzekutuar, por ka kaluar në xhepat e ‘ekzekutorëve’.
Dëshmia e dytë e Alikos para gjyqit: “Artan Didi (ish drejtor i përgjithshëm i Policisë) zgjodhi fshatin tonë Lazarat që të na godiste ‘për drogë’ sepse ne jemi demokratë’. Kjo dihet prej herët. Por përzgjedhja ishte më e thellë: Lazarati u zgjodh strategjikisht për ta paraqitur qeverinë si luftëtare kundër drogës. Në fakt, pasi ‘ekzekutoi’ një fshat, e mbolli drogën në gjithë vendin- kjo ishte strategjia. Sot e në të ardhmen, për dekada, Shqipëria do të jetë plastdarm narkotikësh; kushdo që të marrë frenat e qeverisjes. Kjo është ‘vulosur’ në strategjinë ‘luftë mi Lazarat’ dhe nxori kokë nga ‘kutia’ me rastin e gjyqit…
Po të ishte Saimir Tahiri nëpër këmbë si ministër akoma, askush nuk mund t’i jepte këto dëshmi. Rënia e Tahirit është një humbje e madhe për kartelin e Drogës, e cila nuk e ka vendin vetëm në Shqipëri.
2.
Vrasja e Kasmit dhe klanet…
Jo vetëm fakti që vrasësi i një njeriu në Tiranë vjen nga rruga e Kakavijës, Gjirokastrës e Tepelenës,- e lidh këtë me drogën. Shtetasi grek Efthymiou Efthymious, i cili u ndalua si i dyshuar atentator në vrasjen e Devi Kasmit, ishte oficer i Forcave Speciale në Greqi. Guximin për të marrë rrugën nga Greqia që të kryente vrasjen në Tiranë, e joshi një shumë e madhe parash, e cila u gjet në duart e tij. Natyrisht, një vrasës i tillë nuk mund të punojë “për 2 lekë’. Madje edhe vrasësit e Tiranës- të gjithë janë pasanikë- nuk janë si para 20 vjetësh ‘pabuksa’. Personat që po përmenden dhe po arrestohen për vrasjet, janë emra të njohur nga kronikat e krimit të para dy dekadash në ‘Rrugën e Kavajës’ dhe ‘Bardhyl’. Si atëherë, edhe sot, motivi kryesor i vrasjeve është ‘paraja’. Ndërsa atëherë burim i parave ishte ‘mishi i bardhë’, sot është Droga. Mishi i bardhë ishte i rrezikshëm, sepse kishte sy e veshë, ndërsa droga nuk ka asnjërën. Përveçse shitet më shtrenjtë. Droga ka krijuar ‘luksin’ që vrasësit mund të rentojnë vrasës edhe nga Greqia, Italia, Holanda, Spanja, Eritrea, Tunizia, etj.,
Ky është problemi, që nxori kokën sot që nga “Kutia”. Droga ka shtresëzuar në vendin tonë klanet kundërshtare të drogës. Këto shpejt do të marrin në dorë kontrollin e pushtetit politik si dhe sigurinë në vend. Ata do të betohen se ‘ju sigurojmë’ jetën dhe për një kohë mund të japin shenja të tillë, duke eliminuar rivalët. Aq më tepër ata bëhen të besueshëm për publikun, sepse janë ‘të fortë’ dhe të pasur. Ministri i Brendshëm, Xhafa, deklaroi mbrëmë se në vend funksionojnë 41 banda kriminale. Në një popull prej 3 milionësh kjo shënon rekord botëror.
3.
Shkëmbimi i krimit: Sigurisht, nuk është ky vend që prodhon gjithë krimin. Praktikisht, krimi i drogës, është i ndërvarur nga bota përtej kufijve tanë. Nuk mund të kultivohet gjithë kjo drogë në Shqipërinë ‘e vogël’, pa ombrellën e mafies Europiane. Mafia Europiane e ka bekuar drogën, e kërkon për ta përdorur vetë, madje edhe kontrollon politikisht Shqipërinë dhe vetë institucione të BE. Kultivimi i drogës në vendin tonë është një projekt i stimuluar nga jashtë: Ose nga Soros- siç thuhet, ose nga Soros+ Europianë, ose nga europianë që kanë dalë nga ‘kutia’ dhe mbahen me zotësinë e tyre si sundimtarë të vendeve të varfra.
Nuk është thjesht një vrasës që importohet nga Greqia… Jo, ky është vetëm simbolizmi i shkëmbimit të krimit me Europën.
Veritas.com.al