Henri Çili: Kush fshihet pas personazheve të Ben Blushit

 

Nga Henri Çili
“Të ka bërë Blushi personazh të romanit të ri, “Kandidati"! Flet për një gazetar me emrin Henri …”, më tha një mik, pasi kishte lexuar këtë fundjavë romanin e ri të Ben Blushit, “Kandidati”, që gjendet në librari qysh prej së shtunës dhe po ecën furishëm. 
 
Po ashtu shumë tituj gazetash apo telefonata insinuojnë se cilët personazhe në jetën publike ka parasysh Blushi me këtë apo atë personazh. Unë them që nuk ka asnjë lidhje me realitetin. 
Jo vetëm sepse “shkencërisht” mund të vërtetohet fare lehtë se asnjë prej personazheve nuk i referohet një personazhi të vërtetë, por edhe sepse kjo lloj teknike është ose një gradë zero e gjykimit estetik dhe artistik në shoqërinë tonë, ose një trashëgimi e mbetur nga e kaluara puniste ku me pyetjen: “Ç’ka dashur të thotë autori?”, ne kemi gjykuar dhe stërgjykuar nga pikëpamja sociale një krijim letrar. Jo, Blushi nuk ka parasysh as edhe një personazh të jetës publike në personazhet e librit të fundit “Kandidati”. 
Për shembull, nisur nga vetja, aty është një gazetar që quhet Henri dhe që drejton një emision televiziv. Unë nuk kam drejtuar kurrë një emision televiziv. Ose dikush tjetër mund të thotë: “Drejtuesi i emisionit televiziv i ngjan Blendi Fevziut”. Por ai nuk quhet Henri, quhet Blendi.
Po ashtu në zgjedhjet e fundit të 21 qershorit, nuk patëm asnjë kandidat të vdekur, që Blushi ta ketë fjalën për dikë specifikisht. Lista mund të vazhdonte e pafund me argumentime të kësaj natyre. Thënë shkurt, është letërsi, dhe pyetja: “Kë ka parasysh Blushi me këtë apo atë personazh?” është fare e pakuptimtë. 
Është fare e pakuptimtë së pari, sepse është jo vetëm në normën dhe traditën letrare të letërsisë dhe artit të vërtetë që ngjasimi me personazhet realë nuk ka asnjë kuptim, jo më të jetë ndonjë krim apo sakrilegj. Po kështu, edhe nga pikëpamja  juridike, Gjykata e Strasburgut e ka shpallur se çdo karikaturizim apo shndërrim në personazh krijimi letrar në humor apo karikaturë nuk është objekt i shqyrtimit të realitetit sepse është fiction dhe është liria e krijimit dhe fantazia e krijuesit, shkrimtarit. 
Në këtë kuptim, përpjekja për të gjetur një tjetër pas një personazhi, për t’i dhënë këtij apo atij vetitë në jetën reale, janë absurde, qesharake dhe demonstrojnë më shumë sesa “krimin” apo provokimin e Blushit, injorancën dhe banalitetin e atyre që e bëjnë këtë pyetje, në cilindo nivel të shoqërisë qofshin! Sepse krijimi nuk ka asnjë lidhje me realitetin në kuptimin sesi pyetet: “Për kë e ka fjalën Blushi?”. 
Së dyti, ideja për të shqyrtuar, ekzaminuar pas kësaj, është një formë e prapambetjes mentale, e censurës së dikurshme të letërsisë gjatë komunizmit, ku nënkuptimet shqyrtoheshin madje deri në organet e larta të Partisë e Komitetit Qendror, të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe madje deri tek Sigurimi i Shtetit dhe aludimet konsideroheshin thuajse një krim apo propagandë kundër regjimit. 
Jemi në një shekull të qytetëruar, në një epokë demokratike, jemi në epokën e lirisë së krijimit. 
Ben Blushi ka bërë një roman alla Houellebecq-ian të tipit “Nënshtrimi” apo konician, “Doktor Gjilpëra zbulon rrënjët e dramës së Mamurrasit”. 
Kemi të bëjmë me një vepër të mirëfilltë arti, edhe pse këtë vit janë zhvilluar zgjedhjet lokale, edhe pse, edhe pse, edhe pse… dikush i ngjason këtij apo atij. 
Romani i Blushit është një krijim që, pak a shumë, përpiqet të thotë apo dekodojë një transformim të audiencës, elektoratit apo konsumatorit politik në shoqëritë bashkëkohore, që do të thotë në të gjitha vendet demokratike, në një konsumator politik të parapërgatitur nga marketingu dhe mekanizmat e tjerë të komunikimit politik… aq sa edhe një i vdekur mund të kandidojë e madje edhe të fitojë zgjedhjet. 
Kjo lloj amnezie apo harrese që ka filluar të perifrazojë apo të karakterizojë shoqëritë tona bashkëkohore kudo, është një nga trishtimet intelektuale të autorit Blushi.
Shkurt, romani i ri i Ben Blushit nuk është gjë tjetër veçse… thjesht një roman. Lidhja e pjesshme me personazhe në qarkullim nuk është veçse e rastit dhe e paqëllimtë.
Lapsi.al

SHKARKO APP