Henri Çili, trofeu i lakmuar i Drejtësisë enveriste SPAK & KLP

Nga Agron Tufa

Organet e Reja te Drejtësisë së Reformuar Enveriste (me Vetting), prokurorët azganë, ish-hetuesë të kohës së komunizmit Arben Kraja, B. Sheshi, A. Dvorani etj), qysh pas përbetimit të janarit 2020 se do të mbrojnë njëri-tjetrin grusht bashkuar rreth kreut të SPAK-ut, sapo kanë filluar gjuetinë e krerëve apo peshqëve të mëdhenj të korrupsionit.

Në këtë vend të shfytyruar nga krimi i organizuar shtetëror e politik, që kanabizon kolumbishëm vendin, që me paratë e drogës ngre e rrëzon pushtete, blen ambasadorë të rëndësishëm të euroamerikës, blen zgjedhje elektorale qendrore e lokale, blen deputetë e vota deputetësh, blen opozitën dhe ngreh, sajon e emëron opozita-kukull; në këtë vend të kthyer në kosh plehërash për pastrim parash nga e gjithë bota apo terren kismeti për aventurat ekonomike të lloj-lloj dështaku e sharlatani në këtë vend ku origjina e bizneseve të reja marramendëse kriptohet e përfundon tek deputetë e ministra (me ish e pa ish), na qenka pra në këtë vend kryepersoni i rrezikshëm Henri Çili!

Ky qenka Peshku i madh i korrupsionit ore!? O, ç’na gajasët më keq se Saja e çunat e Sajës! Po Henri qenka Oktpodi?! Apo nuk donit të dilnit duarthatë përballë zonjës Ambasadore? Sigurisht liberali Çili ka kritikuar ashpër klikën e Rilindjes në pushtet (dhe duhet ta bëjë gjithkush këtë, duke e konsideruar si pushtet jo legjitim, thuajse pushtim), por kjo nuk është arsye për arrestim në mesnatë, në stil sigurimsash dhe me një batare akuzash.
Gjithë ato akuza, përveçse qesharake, ato e bëjnë me simpatike figurën e pedagogut, publicistit, sipërmarrësit e botuesit Henri Çilit.

Zelli, padyshim i tepëruar e i pabazë i drejtësisë së rikthyer komuniste, tregon se çfarë ekuivokesh mund të prodhojnë ish-shërbëtorët e diktaturës po t’u lësh drejtësinë në dorë. E nëqoftëse Rama është paranojak (për vete nuk kam pikë dyshimi) dhe nuk ndërhyn ta ndalojë këtë vodevil të turpshëm e të trashë, këtë instalacion psikopatik enveristësh e sigurimsash, atëherë shakaja do të vijë duke u zgjeruar përbindshëm: vetë do ta pësojë në një situatë disa herë më të egër, më absurde, me të vetmin ndryshim nga Çili, që kryeministri prej shumë vitesh e ka hak. Unë shpresoj që gazetarët të reagojnë, ta tregojnë veten duke mbështur lirimin e kolegut të tyre Henri Çilis e të dëshmojnë kësisoj, se sa flluska janë të lirë.

P.S. Nuk kam qenë asnjëherë pedagog në UET-in e Çilit, nuk kam punuar në mediat e tij, nuk kam botuar asnjë libër në botimet Uetpres dhe Mapo etj., etj.

Marrë nga /Liberale/

SHKARKO APP