Herman Bernstein, ambasador i SHBA-ve në Mbretërinë Shqiptare 1930-1933

  Nga Teuta Dhima 

Biografia Herman Bernstein Ambasador i ShBA-ve në Mbretërinë Shqiptare 1930-1933 e shkruar nga Mal Berisha, Ambasador i RSH në Mbretërinë e Bashkuar të Britanisë së Madhe, Irlandës së Veriut dhe Irlandës 2012- 2015, është një botim plot vlera ndaj  autori meriton përgëzime, së pari për figurën e përzgjedhur dhe së dyti, për mënyrën  se si e ka shkruar këtë biografi.

Herman Bernstein, është i pari udhëheqës hebre që ndërmerr rrugën e diplomacisë. Njëkohësisht Bersrnstein është i pari përfaqësues i hebrenjve intelektualë të Amerikës që ka depërtuar në botën politike dhe një prej të paktëve udhëheqës kulturorë amerikanë zgjedhur për një nder të tillë.

Mal Berisha, vjen me këtë biografi jo vetëm i saktë dhe orientues, informues për jetën e këtij personaliteti, por edhe shumë i ngrohtë. Biografia kushtuar Bernsteinit është shkruar me shumë dashuri. Këtë ndjenjë meritonte Herman Bernstein, i cili edhe pasi njohu anët e errëta të Shqipërisë si skamjen, varfërinë, prapambetjen, ai përsëri e deshi atë, diti të vlerësojë ato rreze drite që arriti të shquante me sytë e dashurisë në terrin e madh.

Misioni i kësaj vepre, siç thekson edhe autori, është të zbulohet Shqipëria dhe shqiptarët, siç e kanë parë njerëz të tillë të mëdhenj. Mal Berisha, qëllimin e tij e ka përmbushur plotësisht, pasi në libër është sjellë e plotë jo vetëm biografia e  Herman Bernsteinit, por edhe janë nxjerrë në pah edhe të gjithë ata që e rrethonin këtë personalitet në punën, mjedisin dhe jetën e tij. Biografia është e përbërë nga dy pjesë: Herman Bernstein në Shqipëri dhe Herman Bernstein, para ardhjes në Shqipëri.

Të dyja pjesët kanë nëntituj, të cilët shërbejnë si piketa për të njohur edhe më mirë jetën dhe veprimtarinë e Bernsteinit. Nëntitujt paraprihen nga paratekste, të cilat përmbajnë esencën e ndarjeve të realizuar nga nëntitujt.

Po përmend disa nga këta nëntituj:

Pushteti i butë” i Enciklopedisë Bernstein, Kontaktet e para shqiptaro- amerikane, Vështrim i shkurtër i marrëdhënieve diplomatike shqiptaro-amerikane nga fillimi i tyre deri sot, Herman Bernstein, figurë që lidh tre kombe, Emërimi i Herman Bernstein si ministër fuqiplotë në Mbetërinë Shqiptare, Instituti i kërkimeve hebraike YIVO në New York, Tirana siç e shihte Bernstein, Toleranca fetare në Shqipëri e përshkruar nga Bernsteini, Puna e Bernsteinit për njohjen e historisë së hebrenjve në Shqipëri, Fundi i misionit të Bernsteinit në Shqipëri, Ministri Bernstein po largohet nga Shqipëria, Bernsteini ruan miqësinë me shqiptarët edhe pas largimit, Vdekja e Herman Bernsteinit, Nderim për këtë njeri të madh etj.

Në biografi kemi një përmbysje kronologjike në jetën e Bernsteinit: fillimisht është treguar për të në Shqipëri, punën dhe rolin e tij në këtë vend dhe në pjesën e dytë, tregohet për Bernsteinin para ardhjes në Shqipëri. Kjo lloj përmbysje, mendoj se rrit kuriozitetin në lexim.

Nga pjesa e parë e biografisë kushtuar këtij diplomati ndahesh me përshtypjet më të mira. Bernstein, nuk ishtë vetëm një diplomat i ftohtë që jepte e merrte relacione e firmoste dokumente zyrtare. Duket qartë që ai e kishte për zemër Shqipërinë, përparimin e saj, zhvillimin e arsim-kulturës dhe, si një mjeshtër i analizave diplomatike, ai tregonte shumë kujdes edhe në paraqitjen e gjendjes së Shqipërisë, historisë së saj, duke mos qenë një raportues i thjeshtë, por edhe një shpjegues  i mirë i pasojave, rrjedhojat e akteve të caktuara, implikimet që rrjedhin prej tyre. Herman Bernstein jo vetëm e deshi Shqipërinë, por edhe u desh dhe u respektua shumë nga shqiptarët si mik i mirë i kulturës shqiptare Ai pati marrëdhënie të mira me At Gjergj Fishtën, Lef Nosin, Fan Nolin, Mbretin Zog, Faik Konicën etj. Në korrespondencën e sjellë nga Mal Berisha duket se ka një marrëdhënie të bazuar në respektin reciprok mes tyre.

Në biografi sillen fakte nga më të ndryshmet të cilat janë frut i një pune të palodhur kërkimore. Autori ka shfrytëzuar arkivën e Yivo-s, Institute of Jewish Research në New York, Bibliotekën Publike në New York, Bibliotekën e Univeritetit Yale në New Haven, British Library në Londër etj, etj.

Në ditët e sotme, është shumë e lehtë të gjesh dhe të lexosh biografinë e personave të caktuar. Biografinë e Herman Bernsteinit, fare mirë mund ta gjesh online, por biografia e shkruar nga Amasador Mal Berisha, ka vlera të veçanta për mënyrën se si janë ndërthurur të dhënat, rrëfimi është në shërbim të qëllimit në çdo moment dhe falë një konçiziteti dhe saktësie mbresëlënëse, thuhet shumë për një figurë që historia e ka lënë disi mënjanë. Për të shpluhurosur vlerat nga pluhuri i kohërave, së pari duhet t’i njohësh  ato. Mal Berisha nga pozicioni i tij si diplomat, erudit në formimin e tij, jo vetëm e ka nxjerrë figurën e Herman Bernsteinit nga harresa e kohës, por e ka sjellë pranë lexuesit në gjithë madhështinë e tij.

Një surprizë e vërtetë pë mua si lexuese ka qenë pjesa e dytë e biografisë titulluar: Herman Bernstein, para ardhjes në Shqipëri.

Bernstein sillet para lexuesit si një poet dhe shkrimtar. Ai ka botuar vëllimin me poezi      Fluturimi i kohës dhe për të krijuar një ide për këtë vëllim janë sjellë në biografi disa poezi të tij si Fluturimi i kohës, Shiu dhe shkëlqimi diellor, Dashuria e famës, Legjendë, Muzika. Në to Bernsteini i ri  është i  frymëzuar nga natyra, i shqetësuar për paqen në botë e i lidhur ngushtë me identitetin e tij hebraik.

Vëllimi me tregime, Në portën e Izraelit, histori hebrenjsh, është botuar prej tij në vitin 1902. Në to,sipas Mal Berishës, gjenden përshkrime zakonesh, traditash e bestytnish të hebrenjve të vendosura në rrethana interesante dhe në gojë të personazheve të thjeshtë të jetës. Në biografi janë sjellë tregimet: Artisti, Romancë në geto, Shkuesi, Kurë xhelozie, dhe Vetëm.

Herman Bernstein ka dhënë një kontribut të madh në njohjen e letërsisë ruse në botën anglishtfolëse. Ka sjelllë në gjuhën angleze,  Njeriu i frikësuar, Gorki, Brengat e Belgjikës nga Leonid Andrejev, Shpifësi nga A. Çehov, Takimi nga I. Turgenjev. Në kuadrin e përkthimeve, Herman Bernstein ka përkthyer nga gjermanishtja në anglisht dramën e Aleksandër Moisiut   I burgosuri.

Bersteini kritik letrar. Herman Bernstein me Leonid Andrejevin ka pasur një miqësi me përmasa shumë të mëdha intelektuale. Njohja me të e ka shtyrë atë të shkruajë perla të kritikës letrare. Përmendim këtu parathënien e librit të Andrejevit, shkruar prej Bernsteinit.

Bernsteini pati arritje edhe në gazetarinë investigative dhe u prir të zbulonte veprimet totalitariste ruse. Kulmin e tij në këtë fushë ai e arriti me zbulimin e korrespondencës së fshehtë midis Kaizerit të Prusisë dhe Carit të Rusisë, të cilën e publikoi në një libër me titull Korrespondenca Willi- Nicki.

Bernsteini intervistues i figurave më të shquara të kohës së tij. Në një moshë të re, Bernsteinin arriti të merrrte në intervistë njerëz të mëdhenjsi Leon Tolstoi, Konti Sergius Witte,Metchenikof, Geoge Bernard Shaw,  Henri Bergson, August Rodin, Havelock Ellis,Leonid Andrejev, Sheik –Ul- Islam etj. Këto intervista janë botuar në ente të ndryshme, për t’u përmbledhur më pas në një libër të titulluar  Mendjendriturit.  Idenë e tij të intervistave e vazhdoi me Të famshmit e kohës sonë, botuar në vitin 1924 ku përmblidhen intervista me Papa Benedikt XV, Leo Trockin, Lordin Robert Cecil, Albert Ainshtjnin, Presidenti amerikan Theodore Roosevelt, Presidenti amerikan Woodroww Wilson, Presidenti amerikan Herbert Hoover etj.

Në konkluzionet e biografisë nga Dr. Xhoana Papakostandini thuhet se.

Duke hedhur dritë mbi personalitetin e Herman Bersnsteinit, kjo biografi i ka shërbyer historiografisë shqiptare në disa aspekte.

– Plotëson fragmente të rëndësishme të procesit të brishtë të konsolidimit të shtetit shqiptar pas Pavarësisë.

– Na jep një pamje të qartë të kontributit të mbretit Zog në konsolidimin e shtetit shqiptar, si dhe marrëdhënieve tepër të vështira me Italinë fashiste.

– Me Herman Bersteinin, historia e hebrenjve në Shqipëri merr kuptim akoma më të thellë.

Mal Berisha ka një krijimtari të pasur që përbëhet nga:

Librat e përkthyer;

  • “Shqipëria e Jugut ose Epiri i Veriut në Marrëdhëniet Ndërkombëtare Evropiane, 1912-1923.” shkruar nga Edith Pierpont Stickney e Universitetit Stanford të Kalifornisë;
  • “Shpëtim në Shqipëri”, shkruar nga Harvey Sarner, ku del në pah virtyti shqiptar i “Besës” dhe tregon historinë e hebrenjve të mbrojtur në Shqipëri –  100 për qind e hebrenjve të shpëtuar në vendin e tij.

Botime të tij:

  • “Shqiptarët, Lisa mbi truallin Ilir”, një studim i plotë i artikujve të  botuar në revistë n National Geographic Magazine të fokusuar mbi Shqipërinë dhe shqiptarët në një hark kohor prej mëse 100 vjet (2007);
  • “Shqiptarët, Europianët më të lashtë dhe më të rinj”. (2008);
  • “Amerikani Charles Telford Erickson, Një jetë kushtuar Shqipërisë” tre volume, (2012).
  • “Herman Bernstein, Ambasadori U.S në Shqipëri, 1930-1933” (dhjetor 2014),
  • Realitetet Shqiptaro – Britanike” është libri i radhës i Berishës, botuar në vitin 2015 në prag të mbylljes së misionit të tij në Mbretërinë e Bashkuar. Libri u promovua në Universitetin e Londrës Regent dhe Ambasadën Britanike në Tiranë.

Nisur nga tematika e shkrimeve të tij , por edhe dashuria me të cilën ka shkruar, intensiteti i fjalës, gjithmonë në shërbim të qëllimit, Mal Berisha nuk është Ambasador i Shqipërisë vetëm në vendet ku ai ka ushtruar misionin e tij fisnik, Mal Berisha, është Ambasador i Shqipërisë dhe i shqiptarëve në të gjithë botën dhe pa afate kohore.

 

 

 

 

SHKARKO APP