Heronjtë

Ilir Levonja

Diku presin të kapin trenin. Diku ecin në grup. Diku shfaqen duke ngjitur një shteg pylli. Diku duke u rrahur. Diku duke protestuar. Diku djem të tërë të parruar, të lodhur dhe që të shikojnë me përçmim. Dhe diku të ulur në shesh. Ku, një punonjës shteti a një polic. I shenjenon dhe kërkon qetësi. Ata janë përzierje  e tërë. Moshash, familjesh, vetmitarë. Janë përzierje edhe gjuhësh, kulturash apo zakonesh. I quajnë refugjatë. Prurje që pavarsisht këtyre peripecive kthehen një kapital i çmuar për ekonomitë e vendeve të tyre. Megjithatë, sot për sot ata i thërrasin refugjatë.

Fotoja e një stacioni treni në Maqedoni është nga më të klikuarat në internet. Pamjet e një familjeje ku i pari babai, ngarkuar  me çantë shpine dhe dy torba duarsh. Ku e shoqja tërheq të voglin…, të gjithë të trembur, vrapojnë të kapin trenin e lodhur që ikën drejt një rajoni me emrin perëndim. Duket sikur venitjes së stacionëve apo trenave në ballkan, koha e refugjatëve po u jep frymëmarrjen e mungur. Megjithatë, përballë kurajos së këtyre njerëzve ngrihen kërcënueshëm jo vetëm pasiguria ndaj jetës që i pret. Por edhe fytyra më brutale e rrathëve me tela me gjëmba. Duket gjithashtu sikur një makineri, një pjellë metalike me rrota. Që ecën e blinduar nga uniformat. Ngulë papushim skara hekuri. Ngre rrethorë gjëmbash me spirale si të krimbave kur zvarriten. I ngre kudo. Madje dhe i shtrëngon, ose i ngushton kur ndonjë fëmijë si harabel, u ikën fësht midis shufrave. Apo midis rrathëve. Dhe kur babai, apo nëna mbesin nga ana tjetër. Këto uniforma. Kjo makineri as që rreket. Nuk ka se si. Eshtë prej metali. Ndaj sot bota është e mbushur me njerëz refugjatë dhe uniforma antinjerëzore.

Shoh se edhe Shqipëria po merr masa parandalimi për emigrantët që vinë nga lindja e mesme. Lërini. Lërini sirianët, të kalojnë. Lërini edhe kurdët. Lërini edhe libanezët. Yzbegasit, turkmenët, pakistanasit apo afganët. Eshtë lufta më e turpshme në lidhje me të drejtat e njeriut. Dhe kjo me preteksin e ruajtjes apo kontrollit të situatës në vendet kufitare me lindjen. E filloi Hungaria, pastaj Serbia, tani së fundi dhe Maqedonia. Nuk mund të mbrohet dështimi shekullor i politikave luftënxitëse, shtrënguese, apo diktaturave me gardhet prej telash me gjëmba. Çfarë ndodh tani, çfarë shikoni përmes televizionit. Njerëz që ecin më këmbë. Familje të tëra etj. Mosha të ndryshme. Janë produktet e ideollogjisë së shekullit të kaluar. Nëse nuk mundemi t'ua rregullojmë të ardhmen menjëherë. Të paktën t'u japim njerzillëk.

Ato ikje apo ardhje ashtu, të kujtojnë shqiptarët….,  pas viteve nëntëdhjetë. Sepse para atyre viteve, vërtet është mallkur e kënduar deri me folklor kurbeti. Por askush nuk iku maleve. Askush nuk iku brenda bagazheve të autobusëve të policisë greke. Astonomisë së famshme. Që natës mblidhte refugjatë nëpër Greqi, i zbraste në mëngjes në Kakavijë. Dhe në kthim, merrte me para po klandestinë shqiptarë, përmes sekserëve që kishin.

Ikjet tona. Rrugët nëpër Gramozin e Ersekës gjënden kollaj fare. Janë akoma të shkelura. Po edhe nga tri urat e Përmetit, nga gryka e Vjosës. Pastaj nga ana e Sheperit, Zagoria. Nga Vrina e deri në Konispol. Sa shqiptarë janë gjymtuar. Sa kanë mbetur maleve. Sa janë rrahur. Sa janë çmendur nga torturat dhe përbuzjet. Edhe ata i quajtën refugjatë. Njerëz që mbartnin malarjen. Le t'i kthehemi detit. Arratisjet me kamardare. Ikjet e korrikut…, thyerjet e ambasadave. Prapë tek deti. Rrëmbimi i anijeve të mallrave, gomonet etj. Mbytja e gomoneve, e anijeve. Sa shpirtra kanë humbur. Dhe sa prej nesh akoma ikim.

Diçka e përciptë. Ikjet janë shkak i dështimit të shtetarëve. Kur ka luftë civile. Këtë po e kalon sot Siria. Kur ka luftra radikale midis fanatizmit, bindjes dhe dhunës. Këtë po e provojnë sot vendet e post pranverës arabe. Irak, Libi, Afganistan etj…, me ISIS, shtetin radikalëve islamikë. Kur ka privim të të drejtave kombëtare, për shkak të ndarjeve të territoreve etj. Këtë po e provojnë sot kurdët. Kur ka  korrupsion shushunjash dhe përpjekje të perëndimorëve për të instaluar demokracinë. Këtë po e provojnë sot afganët dhe irakenët, libanezët etj.

Midis atyre që vrasin, vjedhin, mashtrojnë. Dhe nuk janë të aftë të mbajnë paqen në këmbë. Të mbajnë apo të bëjnë një shtet. Janë dhe ata që ikin. Thjesht për të mos u bërë palë e luftës së egër të njëriut me njëriun.

Në 2013 një nga futbollistët e Barcelonës, me emrin Andre Injesta. Pyetjes së gazetarit të El Pais…, mbi atë rutinën e titullit hero. Se ti je heroi, se ti kështu. Dhe se si ti ndihesh etj. Ai u përgjigj thjesht dhe i menduar. ''Unë luaj futboll për tu argëtuar. Dhe njerëzit më duan kudo që shkoj. Hero është njeriu që lufton kundër sëmundjes. Një njeri që emigron për të ushqyer fëmijët'' Shqiptarë, mos u rrethoni me tela me gjëmba. Lëri ata bijë nënash të shtegtojnë.

 

SHKARKO APP