Hipokrizia e kritikëve “të pavarur” të protestës
“Nëse është e pranueshme, apo jo, praktika e “arkitektëve të huaj” të katapultuar nga Rama, që po ndryshojnë sipas orekseve të tij, çdo cep të Shqipërisë? Në vend të këtyre dilemave mbrojtësit « e maskuar » të dyshes Rama-Veliaj po mbajnë gjallë në treg disa klishe, qëllimi i të cilave nuk është debati mbi parkun, por diskretitimi i atyre që kanë dalë në mbrojtje të tij“…
Nga Andi Bushati/
Ka një mllef hileqar gjithnjë e në rritje ndaj atyrë të rinjve dhe shoqërisë civile që kanë shndërruar në kauzë mosbetonizimin e parkut të liqenit.
Kryesisht mbrojtës të pushtetit, që nuk duan të grisin publikisht xhaketën e dalë boje prej të pavaruri, po kërkojnë t’i shmangen disa pikpyetjeve themelore, duke u munduar ta shpërqëndrojnë debatin.
Në një farë mënyre, ata marrin përsipër rolin e turpshëm që luanin mercenarët e Berishës në 21 Janar, duke anashkaluar pyetjen: “kush vrau”, me atë se “kush i nxori në pritë”.
Strategjia e tyre është e njohur.
Këtë kanë bërë gjithnjë mbrojtësit e fshehur, por të bindur të qeveritarëve të këqij: ata nuk meren me aksionin, por me mbartësit e tij, nuk merren me parimin, por me rrethanat rrotull tij, nuk merren me thelbin, por me daravitjen e tij.
Ata i shmangen pyetjeve: nëse duhej ndërtuar aty, duke prerë pemë dhe duke betonizuar, apo kishte mundësi që këndi i fëmijëve të ngrihej diku tjetër?
Nëse gënjeu apo jo kryebashkiaku i Tiranës?
Nëse ishte planifikuar apo jo një kafe aty pranë?
Nëse gjithçka që po ndodh është vetëm preludi i oligarkëve që presin të ndërtojnë?
Nëse është e pranueshme, apo jo, praktika e “arkitektëve të huaj” të katapultuar nga Rama, që po ndryshojnë sipas orekseve të tij, çdo cep të Shqipërisë?
Në vend të këtyre dilemave mbrojtësit « e maskuar » të dyshes Rama-Veliaj po mbajnë gjallë në treg disa klishe, qëllimi i të cilave nuk është debati mbi parkun, por diskretitimi i atyre që kanë dalë në mbrojtje të tij.
Le ti shohim me radhë.
E para: të rinjtë dhe shoqëria civile po bëjnë lojën e PD-së.
E dyta: po merren me pak beton që po hidhet tek liqeni, ndërkohë që nuk kanë folur për masakra shumë më të mëdha.
E treta dhe më absurdia : janë kundër fëmijëve se shumica nuk janë vetë prindër.
Në pamje të parë këto “fakte” duken të vërteta, por ato mund të hidhen poshtë shumë lehtë, për të dëshmuar fallcitetin e mbrojtësve të dyshes kryeministër – kryebashkiak.
Ti marrim një e nga një….
Po, është e vërtetë që protesta për parkun ka konverguar disa herë me atë të opozitës. Eshtë e vërtetë që eksponentë dhe mbështetës të saj, janë munduar të afrohen aty. Kanë manifestuar madje dhe më vete.
Por, një gjë e tillë nuk i fajëson aspak mbrojtësit e sinqertë të parkut. Fillimisht se ata e kanë bërë të qartë hendekun e madh që i ndan nga PD-ja, duke i quajtur të dyja palët që alternohen në pushtet, si dy anë të së njëtës medalje kriminale që ka shkatërruar kryeqytetin.
Në këtë pikë ata kanë qenë të drejtëpërdrejtë dhe të sinqertë: ata i quajnë fajtorë edhe socialistët edhe demokratët. Madje shpesh janë treguar agresivë për ti larguar nga tubimet e tyre.
Teknologjia e përdorur rëndom këto kohë (si ndaj gazetarëve kritikë, si ndaj kundërshtarëve të brendëshëm si Blushi) se po the një të vërtetë që e thotë edhe PD-ja, atëhere automatikisht je gabim, nuk është një argument llogjik. Ajo nuk i prek aspak protestuesit e vërtetë të parkut.
Argumenti i dytë, pra ai se ata nuk kanë folur për gjëra më të mëdha, për krime më skandaloze mjedisore, mund të duket deri diku më i besueshëm. Pyetja se pse protestohet për një kënd lojrash dhe jo për kullat dhjetrakatëshe, ngjan më e llogjikshme.
Por edhe kjo zgjedhje ka arsyet e veta. Protesta tek liqeni, së pari, ka kulmuar edhe mërinë e lejeve shumëkatshe edhe pezmin për prishjen e parqeve dhe lulishteve të tjera edhe mllefin ndaj oligarkëve që kalojnë natyrshëm nga Berisha tek Rama për të vazhduar shkatërrimin.
Dhe nga pikpamja taktike është një zgjidhje e zgjuar, megjithëse në dukje si konformiste dhe jo shumë parimore.
Sepse po të imagjinonim për një moment, sikur protesta të shndërronte në simbol ndonjë nga gradaçelat e oligarkëve, me siguri ajo do të zhdukej nga ekranet e lajmeve. Tashmë dihet se ato kontrollohen ose nga vetë ndërtuesit, ose nga financuesit e tyre.
Kështu, ngaqë ende i duhet vizibiliteti në mediat tradicionale, ngaqë kauza e tyre ka ende nevojë për vizibilitet, ose ndoshta edhe për faktin se janë akoma pak, në raport me madhësinë e kauzës që kanë marrë mbi supe, protestuesit e rinj bënë mirë që si simbol të të gjithë protestës së tyre, zgjodhën këndin e lojrave tek liqeni.
Kjo zgjedhje nuk tregon as frikë dhe as kompromis, ajo është thjeshtë, fotografia e duhur, që të jep mundësi të shohësh të tërën.
Argumenti i tretë, ai i të mosqënit prindër të disa prej protagonistëve të protestës është edhe më qesharaku. Në kohë të ndryshme ai ngjan me argumentat që pjesa më e errët e PD-së, i bënin dikur Edi Ramës, beqar në opozitë, se ai nuk e do Shqipërinë, pasi ai nuk do familjen e vet të vogël. Se ai është i paaftë të qeverisë vendin, pasi nuk diti të ruajë strehën e tij familjare. Eshtë neveritshme ta mendosh se si këto argumenta mund të ndërrojnë kaq shpejt krah, nga njëra anë e politikës në tjetrën.
Por ajo që duhet theksuar është fakti se kjo akuzë provon tërësisht të kundërtën e saj. Nëse ruajtja e hapsirave të gjelbërta që na kanë mbetur, është vija e egër ndarëse, mes atyre që mendojnë për pasurim të shpejtë, për fitimin e atypëratyshëm dhe atyre që mendojnë për brezat e ardhshëm, të rinjtë protestuesë janë hapur dhe dukshëm në mbrojtje të fëmijve. Të atyre që ne kemi sot dhe të atyre që ata vetë do të lindin nesër.
Kështu, asnjë prej akuzave që po gatuhen ndaj tyre, nuk ka as thelb real dhe as bazë. Ato janë thjeshtë truke, të mercenarëve mediatikë të pushtetit të radhës, që si lënë asgjë mangut dhunës së atij policit, që qëlloi atë socialisten e grevës së urisë. Vetëm se këta dhunues nuk kanë uniformë. Ata mbajnë ende të veshura xhaketat e dala boje të “të pavarurit”. (lapsi.al)