Historia e marrëzive (ato që s’na pëlqen t’i përmendim)

Nga Artan Fuga

Unë ndruhem se tekstet e historisë në arsimin pasuniversitar janë ndërtuar sipas parimit etnocentrik se populli nuk gabon kurrë dhe se historia jonë është vetëm e lavdishme.

Kjo prodhon vetëm qendrim dogmatik, mposht shpirtin vetëkritik, krijon mendjemëdhenj etnocentristë dhe breza të manipuluar.

Kam dëshirë sapo të gjej kohë t'i hyjë studimit të tyre me lapës në dorë.

T'u japim vend edhe fakteve madhështore, por edhe fakteve të turpshme në historinë tonë.

Kjo është histori objektive, t'i lemë llogjet.

Historia duhet të jetë e veprave heroike, por edhe historia e marrëzisë.

Vetëm këto dy shekujt e fundit kemi bërë gjëra heroike, por edhe budallëllëqe kolektive që i kalojmë ashtu çëfësht, shkarazi, hajduçe.

Por ja që mjaft shqiptarë në kohën e Luftës së parë botërore pajtoheshin me qira si ushtarë në ushtritë e huaj që gjendeshin te ne dhe luftonin me njeri tjetrin për pesë kacidhe ora e luftës.

Po, ja që mijra shqiptarë nën udhëheqjen jo vetëm të Haxhi Qamilit minonin ngritjen e flamurit të pavarësisë.

Po ja që kishte pjesë të elitave politike, fetare, artistike që mezi prisnin pushtimin italian të vendit dhe që nuk bënë asnjë veprim kundër pushtuesve, veç Mbretit që iku si zog.

Po ja që dhjetra deputetë shqiptarë, bij të familjeve të mëdha-a-a- hahahaha, u bën pro-pushtues dhe shumë prej tyre vajtën në Itali dhe i dhuruan xhuxhit kurorën e mbretërisë shqiptare që u bë nënmbretëri.

Po që Parlamenti shqiptar pa pikë turpi i shpalli luftë Greqisë fqinje dhe historianët nuk e botojnë vendimin e tij fashist.

Poqë gazetat kryesore në vitet 40, ishin pro Hitlerit dhe nazizmit dhe antiçifute ? U harrova, ne i kemi mbrojur çifutët dhe kjo duhet të na bëjë të harrojmë gjithçka tjetër, edhe ndonjë mendësi të vockël genocidiste.

Poqë pas Lufte, gazetat komuniste ishin sllavofile, duke i quajtur kombet sllave si më të lartat, dhe antieuropiane?

Po ja që në konferencën e Parisit pas Luftës së Dytë Botërore, Greqia donte të na shpërbënte, kurse Jugosllavia na mbronte. (Sigurisht për hesap të vetë, pse kot? )

Po ja që u dorëzuam serbëve gjithçka, me ushtri, me pare, me sekrete, me të gjitha duke u bashkuar de fakto dhe se po të mos ishte ai diktatori, me mustaqe në Rusi, do të ishim bërë qytetarë të Maqedonisë. Askush nuk lëvizi.

Po ja që në kuadrin e traktatit të Varshavës u dhamë rusëve të drejtën që sa herë të donin të hynin ushtarakisht në Shqipëri madje pa pyetur kërkënd. Askush nuk tha jo.

Po ja që pati mijra shqiptarë që u bënë spiunë dhe kishe frikë të thoshe një fjalë se spiuni dëgjonte. Ku janë këta spiunët?

Poqë aty nga vitet 60 u bëmë prapë me Titon nga frika e muzhikut që zbriti në Pragë dhe kosovarët ishin partizanë titistë?

Poqë për 50 vjet jetonim me thërimet që na jepnin jugosllavët, rusët, kinezët?

Po që gërthisnim me histeri, rroftë ky e rroftë ai, në mitingjet masive të viteve 50 apo 60?

Po që mijra të rinj hipën në çatitë e kishave dhe xhamive duke ju hequr tjegullat, nuk e dini? Shihni dokumentarët, ka plot.

Poqe merrnin nisma fshatshe e qytetshe për të ulur rrogat e vetvetes?

Po ja që donin ta fitonim jetën pa punuar, nuk e kishte fajin sudja, dhe u bëmë si pinoku që mbolli lekët dhe prisnim të rriteshin si pemë.

Po ja që shitëm me dhi e katandi për të vendosur lekët në firma e marrë interesa që në fakt ishin paret e komshiut.

Po ja që pasi u vramë me njerin tjetrin thirrëm në ndihmë kalabrezë, rumunë, turq, grekë që të na ndanin se po i hanim kokën njeri tjetrit.

Po ja që kurrë nuk kemi bërë zgjedhje të ndershme sepse sa herë dikush fiton tjetri e quan hajdut votash.

Poqë nuk kemi industri dhe askush nuk shkon të punojë askund se i duket se është bërë vetëm për të qenë sociolog, historian, ekonomist, a pianist? Dembela ke zoti.

Po që si asnjë popull tjetër sado në vështirësi, morrën anijet dhe lamë pendët duke ikur sa më larg, larg, braktisur githçka.

Po ja që në 97 u çmendëm dhe gjuanim kot në ajër si budallenj në ajër.

Po që gjithmonë kemi gjetur shpëtim duke u lidhur pas qerres të perandorive të mëdha, romake, osmane, austro-hungareze, ruse, kineze, etj.etj, dhe sapo kemi parë fundin e njerëz, hop, jemi hedhur te gjiri i tjetrës, duke ndryshuar fe e besë masivisht?

Të shohim se cfarë do të bëjë ai historiani korean, himalajas, turk, apo arvanitas, a çfarë është, që do të na bëjë historinë, do të na thotë vetëm gjërat heroike që kemi bërë, duke na gufmuar kraharorin leshator, apo do të na thotë edhe ca fakte të turpshme, duke na skuqur faqen e rruar qysh në mëngjes, para se të dalim ke kafja e lagjes për thashethemet e mëngjesit para se të vemë ke katunari për të blerë qepët e drekës dhe kosin e darkës ???

SHKARKO APP