Humbën shpresat
Media e dehur. Sot në mëngjes disa media u zgjuan me lajmin se, “atentatori i ambasadorit Rus” në Turqi, ishte shqiptar (!). Edhe fotografja e ekspozitës që u plagos (!). U çudita. Paska qenë një natë e rëndë për këta që kishin shpresa të kota!…
Nga Frrok Çupi
Më i humburi nga këta që humbën shpresat dje në mbrëmje, akoma pa hyrë data 20 dhjetor, ishte Andrew Mark Cuomo. Cuomo është guvernator i New York-ut. Po çfarë e lidh me tanët këtu?- mund të pyesin ca kritizerë. Ja cilat janë lidhjet: E para, se nga emri duket si një katolik shqiptar; ndërsa ky është Katolik Roman italian. Por edhe ka lindur në Queens, ku ka mijëra shqiptarë etnik. Ka edhe një tjetër të “përbashkët” që është “Albany”. Shqiptarë të pa ditur, “Albany” e lidhin me Shqipërinë, edhe kur është në Amerikë. Cuomo ka studiuar në Albany Law School…
Por lidhja e vërtetë me tanët këtu, bëhet me të njëjtin fat: Si Cuomo në New York, edhe këtu në Shqipëri, mbrëmë i mbyllën shpresat pas shpalljes së fitores së Donald Trump si President i 45 i Shteteve të Bashkuara. Këtu ka shumë njerëz, madje mund të jenë shumicë, që shpresonin të mos fitonte Trump. Që nga maja e politikës dhe e shtetit këtu ka armiq të vërtetë të presidentit Donald Trump. Kryeministri i Republikës e quajti “turp për Amerikën” në qoftë se fiton Trump! Por jo vetëm ky: Gazetarë, nëpunës qeverie, opozitarë, hallexhinj pa bukë… Edhe në takimin që bënë pesë këshilltarët e Trump në Tiranë, me “Miqtë e Trump” më datë 6 Dhjetor, pikërisht kjo u tha: “Këtu ka shumicë që kishin shpresë të mos fitonte Trump”. Sigurisht fjalën “shumicë” e përdorën për kupolën e shtetit dhe të establishmentit.
Çfarë humbi Cuomo e çfarë humbën këta këtu?
Andrew Cuomo, dje gjithë ditën, teksa ishte mbledhur Kolegji Zgjedhor dhe do të “therte” Donald Trump- sipas tij e të tjerëve- ky rezervon 200 dhoma në hotelet e New Yorkut dhe fton miq nga Italia e nga Amerika për të festuar “humbjen e Donald Trump”. Ja, kaq humbi Cuomo, senatori i New York; shumë shumë- 10 ose 20 mijë dollarë, sepse sipas medias amerikane “dhomat ishin me çmim jo të lartë”.
Ndërsa këtu ata që kishin shpresuar se dje, e hënë, 19 Dhjetor, Donald Trump do të rrëzohej në Kolegjin Zgjedhor të Shteteve të Bashkuara, humbën orientimin. Humbja e orientimit është më e madhja në jetën e njeriut dhe të shteteve.
Dje, të gjithë kanë qenë si të dehur, ku t’i çonin këmbët. Vetëm kryeministri, që herë të tjera nuk le rast pa treguar se është “i dehur”, dje u mbyll në zyrë (a në shtëpi) dhe u grind në Twitter me popullin që i kërkonte: “Po ti, ore, merresh me ambasadorin e Rusisë e nuk e çan kokën për fëmijët në Aleppo?!”.
Ky iu kthehej e u thoshte: “Po mua më duhet ta vlerësoj këtë, pa edhe për sirianët më shemb shpirti!”. Puna e tij si i dëshpëruar gjithë natën pse fitoi Trump, ishte të fshihte fytyrën në mëngjes, të mos e kuptonin amerikanët e rinj që vijnë në administratë. Kjo- njëra. E dyta, i pasigurt se anën e kujt të mbajë mes tre elementesh: Turqi, Rusi, Siri, shkruante “mirë” si për njërën palë edhe për tjetrën. Por ky të paktën nuk doli sheshit, Amerikën nuk e “prek” më.
Të dehurit e tjerë dolën sheshit:
Kryetari i Shërbimit Informativ Shtetëror (SHISH), Vishe Ajazi, lëshoi bombën e vizitës së Drejtorit të CIA-s në Tiranë. John Brennan kishte vizituar Tiranën në 6 Dhjetor, ndërsa ky i këtushmi e lajmëron natën e 19 dhjetorit- duke u gdhirë 20. E lajmëron si një ngjarje famoze. Shiko çfarë shkruan: “Vizita e suksesshme e datës 06.12.2016, e Drejtorit të CIA, z. John O. Brennan… Takimet e zhvilluara u karakterizuan nga fryma e bashkëpunimit miqësor”. ..
A nuk të çudit entuziazmi? Bëhet pyetja: Vallë pse u shfaq deklarata për takimin “ e suksesshëm me Brennan”, pikërisht natën kur “do të fundosej” Donald Trump?!… Sepse ishte e sigurt se do të fundosej. John Brenan ka punuar me zellin më të madh që Donald Trump të fundosej.Është zyrtari amerikan më dinamik, më i pamëshirshëm kundër Donald Trump. Brennan është njeriu kryesor që thuri intrigën e “ndërhyrjes së Rusisë” në zgjedhjen e Donald Trump, aq sa edhe FBI e hodhi poshtë. Kjo ishte karta e fundit e Brennan e ndërtuar bashkë me Clintonët për ta çuar presidentin e zgjedhur në fund të pusit. Kur erdhi në Shqipëri për vizitë, vëzhguesit e Amerikës e panë vizitën me dyshim të madh. Një nga analistët më të njohur, Joseph Farah ka shkruar: “Ky ose është fëmijë, ose budalla…”. Me siguri Brennan e kishte urdhëruar Vishe Ajazin që ta lëshonte deklaratën mbrëmë, natën e “fundosjes” së Trump. Mirë se Brennan është konsideruar “o fëmijë, o budalla”, po ky i SHISH çfarë është. Thjesht i dëshpëruar pse fitoi Trump?!
Të dehur që nuk pinë kurrë alkool… Presidenti i Republikës, Nishani, sot, pa e marrë vesh fitoren e Trump, u nis për në Turqi, në takim me presidentin Erdogan… Vallë, edhe zoti Nishani- kaq i dëshpëruar saqë e kërkon ta mbysë dëshpërimin në Bosfor?! Nuk mund të mendosh se presidenti “merr lugën” për aty ku bëhet çdo ftesë. Dje në Stamboll u vra ambasadori i Rusisë, njësoj si vrasja e Farnz Ferdinand në Sarajevë në vitin 1914. Presidenti në këtë rast shkon o për ngushëllime, o për plane lufte. Në Turqi, pse tjetër? Turqia tani ndodhet para dilemës: “ta mbrojmë pushtetin me gjak, o ta dorëzojmë!”- sipas analistëve… Dje në mbrëmje pritej ngjarja e Amerikës, që me Trump si President bën ndryshime të mëdha në akset botërore. Shqipëria a e ka aleatin kryesor strategjik Amerikën?… Si humb njeriu drejtpeshimin nëpër Bosffor, si i dehur? Veç për një natë që “i zu jashtë”! Vallë edhe Presidenti i Republikës është mashtruar nga informacionet infantile sikur Trump do të fundosej… dhe ka dalë nëpër fqinjë?!
Media e dehur. Sot në mëngjes disa media u zgjuan me lajmin se, “atentatori i ambasadorit Rus” në Turqi, ishte shqiptar (!). Edhe fotografja e ekspozitës që u plagos (!). U çudita. Paska qenë një natë e rëndë për këta që kishin shpresa të kota! Media, thjesht me naivitet, ka mbartur qëllimin e keq të qeverisë për ta shpallur Shqipërinë” një vend ku veprojnë faktorë të tretë”. Media “patriotike” kthehet në thes dhe pranon çdo sajesë që e sjell era në redaksi. Lajmi se, “atentatori ishte shqiptar” e vërteton tezën djallëzore se këtu veprojnë faktorë të tretë. Domethënë Amerika dhe Europa lihen jashtë. Por puna është te Donald Trump; ky- jashtë!
Deri sot në mëngjes kishin shpresuar…
Mëngjesi sot i ka trazuar mendjet e këtyre që kishin shpresa për “fundosjen”. E përdora fjalën “fundosje” si anti-part të fjalës “swamp” që përdori Trump gjatë zgjedhjeve. “Swamp” ishte ky moçali që sapo thashë.
20 dhjetor 2016
KOHA JONË SONDAZH

