Hutimi i BE nuk duhet të çojë në përfundimin e gabuar se BE është i tepërt.
BE nuk po avancon. Mos u dëshpëroni, vazhdoni punën! mendon Bernd Riegert.
Viti i ndërlikuar i krizave 2016 përfundoi për BE me një takim të nivelit të lartë, në të cilin u përmendën thuajse të gjitha krizat, nga Siria, në Turqi dhe Ukrainë deri te migrimi, borxhet dhe Brexit. Zgjidhje të vërteta nuk pati.
Vetëm emëruesit më të vegjël të përbashkët qenë të mundur të arrihen midis 28 shteteve anëtare të BE, të cilat mundësuan që grindjet dhe mosdakordimi të mos dalin hapur në sipërfaqe. Takimi i nivelit të lartë i përngjante një fushe politike të minuar, në të cilën duhet të lëvizje shumë me kujdes. Vetëm në bisedimet për konfliktin e Sirisë qe e mundur që të demonstrohej në njëfarë mënyre unitet, sepse megjithë zhvillimet dramatike në Aleppo, nuk pati vendime të vërteta ose veprime. Pati shumë fjalë, kritika dhe dënime, thirrje dhe oferta për ndihmë për njerëzit në hall, por presion të vërtetë BE nuk mund të ushtrojë.
Sanksione kundër Rusisë ose Iranit për shkak të pëfshirjes në luftë nuk qe e mundur as të shqiptoheshin si kërcënim, sepse shtete u shprehën kundër dënimeve të reja për Vladimir Putinin. Ato do të ishin pa kuptim, sepse Putinin nuk do ta impresiononin, shumë shumë do ta provokonin, ky ishte gjykimi i përgjithshëm. Formula e thjeshtë, por e vërtetë është: asnjë evropian nuk do të dojë të vdesë për Sirinë. Këtë formulë e ka fiksuar shefi i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker.
Vendime vetëm për Ukrainën
Me njëfarë mundimi, kryetarët e shteteve dhe të qeverive arritën dakordim në një pikë tjetër. Sanksionet kundër Rusisë, për shkak të ndërhyrjes në Ukrainën Lindore dhe të aneksimit të Krimesë, u zgjatën me një gjysmë viti. Sepse procesi i paqes nuk po avancon. Edhe këtu BE i mungojnë mjetet e vërteta të presionit dhe opsionet e veprimit. Grindja për marrëveshjen e Asociimit me Ukrainën nuk u arrit të zgjidhej në mënyrë përfundimtare. Megjithë lëshimet e 27 shteteve të tjera anëtare, kryeministri holandez Marc Rutte dyshon nëse Parlamenti i tij do ta ratifikojë ndonjëherë marrëveshjen. Por nëse Holanda nuk e ratifikon shpejt marrëveshjen e Asociimit, atëherë marrëveshja nuk hyn në fuqi. Kjo do të ishte një goditje e rëndë për njerëzit në Ukrainë, të cilët u hodhën në vitin 2014 edhe për shkak të kësaj marrëveshjeje në revolucion dhe patën viktima. Pushtetmbajtësin rus, Vladimir Putin, kjo do ta gëzonte. Por nëse marrëveshja e asociimit me Ukrainën dështon vërtet, ky do të ishte një sinjal fatal për shtetet e Ballkanit Perëndimor. Anëtarësimi i tyre mund të pengohej nga ndonjë referendum diku në BE, sepse zgjerimi i BE presupozon gjithmonë unanimitet. Tendenca për nacionalizëm të ri në BE, për zgjidhje të thjeshta populiste, shpejt mund të kërkonte viktima të tjera.
Shtyrja në plan afatgjatë nuk është zgjidhje
Konflikte të tjera kryetarët e shteteve dhe të qeverive thjesht i lanë mënjanë. Kërkesën për zhvillimin solidar të politikës së azilit dhe migrimit? E shtynë. Sqarimin e raportit me fqinjin e rëndësishëm Turqi? E shtynë. Lehtësim për Greqinë dhe Italinë si shtete “të frontit”? E refuzuan. Një objektiv si duhet të veprojë BE pas Brexit me forcat centrifugale? Nuk u pa gjëkundi. Kryetarët e shteteve dhe të qeverive i shtynë të gjitha për vitin e ardhshëm. Vetëm në tri muajt e parë mot janë caktuar katër takime të nivelit të lartë, për të trajtuar më në fund probleme, të cilat në 2016-ën u lidhën në një gongë të koklavitur.
Por hutimi i BE nuk duhet të çojë në përfundimin e gabuar se BE është i tepërt. Përkundrazi: ai duhet të mbrohet prej rinacionalizimit dhe populistëve. Hapa të vegjël, kompromise të mundimshme. E gjitha kjo nuk është seksi, por pa alternativë.
(marre nga radio gjermane “DW”)