I dënuar me “detyrim paraqitje” çdo të mërkurë – Nga Çim Peka

Nga Çim Peka

Tifozeria e Tironës ka një këngë për atë të Partizanit ku në një prej koreve të tyre thuhet: “si nuk e kuptoni… barsaleta e këtij veni”. Por duket se pjesa e fundit i shkon për shtat incidentit më të fundit që Rama pati gjatë faljes së të mërkurës tek tyrbja e aleatit të tij bektashi Ilir Meta, në Kryesinë e Kuvendit kur ashensori me të cilin ngjitet në katin e 3-të ngeci për disa momente.

Me shumë gjasë në krizën klaustrofobike që Rama thuhet se përjeton kur është në ambientet të izoluara ai i ka bërë një pyetje vetes: “Si përfundova unë në këtë derexhe”. Jo më shumë sesa incidenti në ashensor sesa, rrugëtimi i tij përmërkurshëm drejt Ilir Metës.

Ndoshta 2-3 herët e para kanë qenë më interesante për Ramën i cili rrugëtonte drejt zyrës së Metës, për të bërë atë që di të bëjë më mirë, të shfajësohet si engjëll ndërsa në kokë nuk i fsheh dot brirët e djallit.

Ashtu si dikur i përgjërohej në gjunjë Dritan Priftit me pëllëmbët e mbledhura si mëkatari para altarit, me sytë e përlotur “Please just do it”, që ai, Dritan Prifit ta publikonte videopërgjimin e Metës me bllok në dorë, me shumë gjasë edhe ato ditë të para shtatori kur nisi pelegrinazhin e tij të përmërkurshëm, ai duhet ti ketë rënë në gjunjë Ilir Metës, duke ju përbetuar se dosjen e CEZ-DIA-s nuk ia kishte nxjerrë ai. Ndoshta duke përdorur sërish anglishten për tu betuar që nuk ishte ai “I swear”.

Zelli i 2-3 herëve të para për të rrugëtuar më këmbë drejt zyrës së Ilir Metës, duket se i ka rënë Edi Ramës, prandaj ato 600 metra nga zyra e tij tek ajo përballë, Rama tashmë përdor Mercedesin e tij. Kjo duket si një fitore e vogël për Ramën, por Ilir Meta sërish ka gjetur një mënyrë për ta ushqyer “barsaletën e këtij veni”.

Në takimin e fundit, ashensori që barte Ramën e vetëm në të ngeci për shkak të një luhatjeje tensioni, pikërisht në godinën shtetërore e cila ka disa fidra alternative ushqyese energjie për të shmangur çdo blak-out të mundshëm energjetik. Ndërsa edhe njëherë Meta dhe Rama e shmangën divorcin e martesës së tyre politike të kurorëzuar më 1 Prill ashtu siç thotë Berisha “për hir të fëmijëve”, duket se sërish një tjetër re krize, vërvitet mbi qiellin e aleatëve-rivalë.

Bëhet fjalë për Byronë Kombëtare të Hetimit (BKH), të cilën Meta e do nën varësine e Llalës ndërsa Edi Rama nën varësinë e vetes, natyrisht. Kur disa ditë më parë, Ylli Manjani i ka raportuar shefit të tij politik se gjatë mbledhjes së qeverisë Edi Rama kishte futur për miratim një draft të ngritjes së BKS-së sipas një modeli që kontrollin e saj e ka ekzekutivi, sigurisht që Meta ka menduar sërisht me vete “Si nuk vuri mend”.

Dhe për ti dhënë leksionin e radhës se butonin e uljes dhe ngritjes së mazhorancës e ka ai, Meta ia bllokoi ashensorin e Kryesisë së Kuvendi disa minuta në hava Edi Ramës, me mesazhin e përhershëm “ashensori është i imi, dhe butonin e shtyp unë”.

Së fundi, për të gjithë ata që e konsideronin triumf indipedence dhe tregues force të Edi Ramës, shkëputjen e tij prej të fortit Doshi, si ndjehen çdo të mërkurë kur lideri i tyre niset si tigër drejt zyrës së Ilir Metës, për të bërë “miauuu..”?

SHKARKO APP