“I Madhi” që po habit dynjanë me ofertën e marramendjes me kanabisin medicinal

Nga Herion Mesi

“Do ta legalizojmë kanabisin për qëllime mjekësore brenda këtij sesioni parlamentar”, deklaron “i madhi” Edi Rama.

Them “I madh”, jo për nga gjatësia e trupore prej 1.98 cm, me të cilën edhe mburret sa herë i jepet mundësia.

“I madh” – quhet dikush të cilit i shkon mendja për një gjë që askujt nuk i bie ndërmend.

Pra, “I madhi” thotë që brenda korrikut do legalizohet kanabisi në Shqipëri!

Po si arrihet ky objektiv që tejkalon çdo mendje të shëndoshë dhe të pakontaminuar nga propaganda që shndërrohet në virus të frikshëm?

Atëherë që “Të madhit” t’i realizohet dëshira, fillimisht duhet të ndryshojë strategjia për bujqësinë, pasi them që duhen mbështetur dhe subvencionuar edhe fermerët zotërinj që do jenë presë e këtij projekti kombëtar dhe gati-gati një projekt internacional.

Duhet të ndryshojë Kodi Penal (me 84 vota), dhe të hapen burgjet, pasi në institucionet penitenciare shqiptare nuk mund të ketë vend për “hashashistët” e vegjël dhe të mëdhenj, madje këta të mëdhenjtë duhen “shfrytëzuar” si vlerë intelektuale për të kuptuar më mirë prodhimin që do i ofrojmë botës. Duhet të ndryshojë ndoshta dhe Kushtetuta me 93 e kusur vota, por që të ndryshojë ligji themeltar i shtetit duhet të hiqet “gjendja e luftës”. Megjithëse deri në korrik do e kemi fituar betejën me armikun e padukshëm, e kur të rikthehet ai në vjeshtë, siç thotë “I madhi”, arat tona do i kemi mbjellë dhe korrur.

Dhe e gjithë kjo infrastrukturë ligjore do ndryshohet përmes video-konferencave online, që mos e dhëntë Zoti të jenë si ajo që u publikua pak ditë më parë, ku një deputet argumentonte teksa drejtonte automjetin e tij, apo një tjetër të jetë diku në ndonjë vend të mbyllur për nevoja personale, e të tjera si këto.

Por të rikthehemi “seriozisht” tek dëshira e “Të madhit”, që të kultivohet kanabisi duhen dhe ca gjëra të tjera: fjala vjen, duhet të thuhet se kush është tregu i tij medicinal, sa fabrika vaji të kanabisit do hapen? Sa përqind tokave do mbillet në Shqipëri me kanabis? Kush do e garantojë tregun? Si do garantohet që ky kanabis të mos ketë lidhje me trafikantët ndërkombëtarë dhe krimin e organizuar?

Pra për këto dhe të tjera masa do të merren për një kultivim të shëndetshëm të kanabisit “Të madhit” i duhen vetëm 2 muaj kohë dhe ca deputetë që nuk përfaqësojnë askënd dhe asgjë në Shqipëri, pasi nëse do ketë një nismë të tillë duhen ca njerëz të votuar më parë dhe një konsensus i gjerë jo vetëm qytetar, por edhe nga fermerët.

Pra, “I madhi” na shpiku kanabisin në një kohë pandemie dhe rindërtimi gërmadhash që na la peshqesh tërmeti i 26 nëntorit, si dhe në një kohë kur Teatri Kombëtar është fakt i ndryshuar, apo edhe kur Gjykata Kushtetuese nuk është në horizont, së paku për të pasur një mundësi për ta kundërshtuar këtë nismën e madhe të kanabizimit medicinal të vendit.

Pra në mesin e këtyre dramave sociale që po mundohen të kalojnë shqiptarët, oferta për zgjidhje e bërë nga “I madhi” është marramendja me kanabisin.

SHKARKO APP