Ibrahim Basha, ti e kreve detyrën tënde
Nga Ilir Meta
"Fjala e Kryetarit të Kuvendit, z. Ilir Meta në homazhet për nder të efektivit të RENEA-s, Ibrahim Basha"
“Të nderuar familjarë, kolegë, shok dhe miq të Ibrahimit, sot nuk është një ditë e zakonshme. Askush nga ne nuk do të donte kurrë të takoheshim në këto rrethana. Jemi sot bashkë për të ndarë dhimbjen, jemi sot bashkë për t’u shprehur solidaritetin më të thellë dhe më të sinqertë prindërve, familjarëve, shokëve, miqve dhe kolegëve të Ibrahimit, heroit më të ri të atdheut tonë që u qëllua pabesisht në një pritë banditësh.
Ibrahim Basha kreu me nder dhe profesionalizëm detyrën e tij ndaj atdheut. Me rënien në krye të detyrës meritoi lavdinë dhe nderimin tonë më thellë dhe të përjetshëm.
Ibrahim Basha, dëshmor i atdheut, ti dhe kolegët e tu në Forcat e Armatosura na keni bërë krenarë me shërbimet që keni kryer në misionet e paqes dhe të luftës kundër terrorizmit në Afganistan, Irak e kudogjetkë, krah për krah me aleatët tanë më të mëdhenj, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe NATO-s.
Ti dhe kolegët tu në Policinë e Shtetit keni sakrifikuar gjithçka në përballjen me krimin dhe kriminelët për ta nxjerrë Shqipërinë nga harta e trafiqeve, për të garantuar rendin publik dhe qetësinë tonë të përditshme, për të ofruar më shumë rend, siguri dhe qetësi.
Mirënjohje dhe respekt Ibrahim Basha. Mirënjohje dhe respekt për jetën dhe sakrificën tënde. Fatkeqësisht terrorizmi të goditi pabesisht dhe pas shpine, duke të ndarë nga njerëzit e tu të dashur, familja kolegët dhe shokët. Duke të këputur në mes 31 vitet e jetës tënde të shkurtër, por të jetuar me dinjitet, nderim ndaj flamurit dhe atdheut, përkushtim ndaj betimit dhe detyrës. Duke shtuar në mënyrë të dhimbshme listën e të rënë në krye të detyrës dhe në shërbim të atdheut.
Ibrahim Basha, ti e kreve detyrën tënde. Është përgjegjësia jonë, e shtetit, e institucioneve dhe e gjithë shoqërisë që të kryejnë detyrën tonë. Të vendosim drejtësi për Ibrahimin dhe gjithë dëshmorët e rënë. Është sakrifica e tyre sublime që kërkon drejtësi, rend dhe ligj.
Është kjo sakrificë sublime që kërkon nga të gjithë ne dhe gjithë shoqëria të jemi në mbështetje të plotë të shokëve dhe kolegëve të Ibrahimit, të cilët me përkushtim dhe profesionalizëm rrezikojnë jetët e tyre për të bërë të sigurt jetën e qytetarëve dhe fëmijëve tanë. Është kjo sakrificë sublime që kërkon nga ne të konsolidojmë më tej shtetin ligjor, dhe të garantojmë një shoqëri të drejtë.
Është kjo sakrificë sublime, një nxitje e madhe dhe një arsye më shumë, për të vazhduar me më shumë forcë dhe vendosmëri, rrugën e gjatë të forcimit të shtetit të së drejtës, thellimit të reformimit të trupës policore dhe gjithë sistemit të drejtësisë në vend.
Vepra e Ibrahim Bashës është lavdia e tij dhe detyrimi ynë për të garantuar më shumë drejtësi, më shumë përgjegjësi dhe përgjegjshmëri.
Ngushëllimet më të sinqerta për këtë humbje të rëndë.
I paharruar dhe i përjetshëm kujtimi i heroit më të ri të atdheut tonë, Ibrahim Basha!
KOHA JONË SONDAZH

