Ibrahim, na kanë vrarë të gjithë nga pak miku ynë!
Nga Saimir Tahiri
Fjala e Ministrit të Punëve të Brendshme në homazhet për “Dëshmorin e Atdheut”, Ibraim Basha
Ibrahim,
Jemi mbledhur këtu, vëllai ynë.
Për të të thënë lamtumirë, tani që po shkon në shtëpinë tënde të fundit.
Është familja jote këtu. Është nëna dhe motrat, është babai, është vëllai yt i vogël, janë dajat, xhaxhallarët.
Janë miqtë, shokët dhe kolegët e tu. Është çdo shqiptar sot me ty. Kjo është Familja jote e madhe.
E përulemi para teje me mirënjohje e respekt të thellë, Ibrahim.
Fati i keq e deshi që një dorë e pabesë të të merrte jetën.
Dora e frikës dhe terrorit, që padrejtësisht u ngrit mbi ty.
Jo përballë, siç i ka hije trimave. Siç i ka hije një trimi si ty. Por fshehtas, pabesisht.
Ka shumë dhimbje këto 24 orë! Të mund të shihje sa shokë e miq ke pasur në të gjithë Shqipërinë e sa shumë të janë bërë gjatë këtyre orëve.
E gjithë Shqipëria, anembanë, është me ty, po të përulet me mirënjohje Ibrahim.
Thonë se heronjtë njihen kur flenë nën dhe', por t'i hero ishe edhe për së gjalli. Me shokët e tu, të vendit tënd e të huaj, në forcat e Aleancës së Bashkuar, duke luftuar në ato vendet e largëta e me luftë të vërtetë, për ta bërë botën më të mirë, më të drejtë, më të lirë dhe më demokratike.
E tani e gjithë Shqipëria u shtang, pse dora e krimit e terrorit të mori jetën, këtu në vendin tënd. Ku luftë nuk ka, po ku për më shumë se dy dekada ka pabesi të pashoq, që ka mbjellë plagë të neveritshme në trupin e vendit tonë.
Siç ishte edhe fshati ku ca kriminelë të morën jetën Ty.
Luftove për të bërë të lirë e të sigurtë vende të tjera e popuj të tjerë, por jetën tënde e dhe për popullin tënd, këtu në vendin tonë.
Në atë fshat të mbajtur peng për dekada, për t'i marrë lekët e drogës dhe votat e pushtetit. Ku turpi i trashëguar mbi kurrizin e të gjithëve çoi në këmbë djem si ti për t'i bërë ballë vështirësive për një Shqipëri të re.
Dora e pabesë që u ngrit mbi ty ka më shumë se dy dekada që rritet për t'i bërë karshillëk Shqipërisë, për të sfiduar shtetin, ligjin dhe drejtësinë. Ajo dorë, dje të mori jetën.
Në atë fshat plot me njerëz të ndershëm, por ku kanë mbetur ende ca kriminelë të përdorur. Në atë fshat të cilin vjet e çliruam nga droga e krimi, por që nuk kemi mbaruar ende.
Se ti dhe shokët e tu në Policinë e Shtetit, në FNSH dhe Repartin RENEA dini diçka që nuk e thoni kurrë. Dini diçka që publiku nuk e di, shpesh.
Krimit i mjafton të ketë sukses 1 herë në 100 apo 1000 raste. Qoftë një herë të vetme. Ndërsa policisë i duhet të ketë sukses çdo herë. Punonjësit të policisë i duhet të ketë sukses çdo sekondë të jetës.
Dhe e djeshmja ishte dita jote pa fat, Ibrahim.
Na kanë vrarë të gjithë nga pak miku ynë! Ajo dorë ka goditur shtetin dhe ligjin.
Është ngritur kundër shoqërisë. Kundër çdo shqiptari të ndershëm.
Këtë e di familja jote. E dinë miqtë e tu.
E dinë kolegët e tu në Policinë e Shtetit, që edhe tani janë në Lazarat për të vazhduar punën tënde e për t'i dhënë goditjen e ligjit kujdo që ka guxuar e guxoi të vërë dorë mbi shtetin, mbi Policinë e Shtetit. Mbi ty, Ibrahim.
Por nuk je vetëm, as tani, as nesër nuk do jesh. Çdo punonjës i Policisë së Shtetit është me ty. Ne jemi me ty. Shqipëria është me ty. Tani më shumë se kurrë.
Dhe nuk ka kurajo më të madhe për punonjësit e Policisë së Shtetit sesa ajo që bëre ti. Nuk ka shembull më të fortë për të gjithë ata që luftojnë me armë, siç bëre ti, apo në çdo mënyrë tjetër, për ta bërë Shqipërinë një vend më të drejtë.
Ne sot përulemi me respekt e mirënjohje të thellë, me premtimin se nuk do të reshtim kurrë të vëmë para drejtësisë dorën e krimit që u ngrit mbi ty, mbi Policinë e Shtetit, mbi shtetin vetë.
Sfidat na bëjnë më të fortë. Vështirësitë na e bëjnë rrugën më të qartë. Sakrifica jote na e bën vullnetin më të hekurt, për ta bërë Shqipërinë më të paqtë e më të lirë nga kërcënimi i frikës. Atdheu nuk mund të kishte miq më të mirë sesa ty, Ibrahim. Hero për së gjalli, dëshmor sot. Më i gjallë se kurrë. Prehu në paqe miku im! Të ndrittë shpirti gjithmonë!
Lamtumirë, Ibrahim!
KOHA JONË SONDAZH

