Ik nga Rama, zoti Meta*

Placeholder Image

Artur Zheji

Në të vërtetë duket se Ilir Meta nuk ka qenë kurrë më parë, kaq reflektiv, kaq i përmbajtur dhe kaq pak i lexueshëm, në maratonën e gjatë të bashkëqeverisjes me Edi Ramën.

Sepse ai dhe vetëm ai, është “forca” e vërtetë e Ramës në pushtetin e tij të sotëm, që vetëm thërrmohet.

Sepse numurat parlamentarë në Kuvendin e Shqipërisë, janë holluar kaq shumë në këto tre vite, saqë edhe parashikuesi më kobndjellës nuk do ta pikaste dot, në vitin 2013.

Mungojnë në apel, Ben Blushi, Mimoza Hafizi, Koço Kokëdhima, Vladimir Kosta, Tomë Doshi dhe e fundit Mira Shehu.

Dhe disa të tjerë, që na luten të mos përmenden, janë gati të braktisin lidershipin e Ramës, të lodhur dhe të rrasakapitur nga drejtimi i tij, si një gjeneral fuqiplotë, i gjithëditur dhe i gjithëpushtetshëm. Njëkohësisht kryenec dhe vetëdhurues i pandreqshëm i vetvetes.

Me një listë të gjatë dështimesh që ulurasin, të dukshme dhe të prekshme, mbi të gjitha në ekonomi dhe në funksionim të shtetit.

Suksesi i tij impresionues në marrëdhëniet direkte në politikën e jashtme, me treshen Obama, Merkel, Hollande, është ende për ca kohë mbulesa vezulluese, e pothuaj katastrofës ekonomike që po kalon Shqipëria.

Arroganca dhe duart e gjata të administratës shqiptare në xhepat e shqiptarëve të thjeshtë dhe të biznesit të trembur, është tanimë një metodë. E dononcuar qindra herë, jo nga Opozita, por nga vetë brenda Partisë Socialiste që bën edhe festime.

Kokëdhima, Blushi, Hafizi, Kosta, Shehu, nuk janë opozitarë, por socialistë që e kanë sjellë në pushtet këtë kryeministër që kemi sot dhe po të zbardhësh vetëm denoncimet dhe akuzat e tyre, është e mjaftueshme për të kuptuar se sa e rëndë është situata.Sa e dënueshme dhe sa korruptive.

Por mbi të gjitha dukshëm jashtë kontrollit, duke nxjerrë në pah, një mplakje kaq të parakohshme të vullnetit politik ndryshues, reformues dhe ekonomikisht transformues, të kësaj Shumice.

Një impotencë të mirëfilltë dhe një nënshtrim ndaj segmenteve më të errta kriminale të shoqërisë.

Dhe një nënshtrim, ndaj një kupole të përzgjedhur, të një Kaste të re të biznesit, që merr qindra miliona euro rryshfet nga qeveria, në formë koncesionesh, ditën me diell, në këmbim të shërbimeve që ka bërë, apo që pritet të bëjë, duke varfëruar edhe më shumë shqiptarët, në të sotmen e tyre. Por e keqja më e madhe është, duke i varfëruar ata edhe në të nesërmen e tyre.

Kjo panoramë e zymtë dhe asapak aksidentale, por shumatorja e një numuri të lartë lajthitjesh dhe mëkatesh të vetëdijshme, e ka rrëzuar popullaritetin e Ramës në nivelet më të mëshirueshme dhe kartolinat lluksoze, nga Parisi, Berlini apo Varshava, janë një gjethe e pamjaftushme fiku, për të mbuluar hallatet e tredhura dhe të varura, të mbarëvajtjes së shtetit, ekonomisë dhe shërbimeve ndaj qytetarit.

A i sheh dhe ai i konstaton edhe Ilir Meta, të gjitha këto?

Dikur Rama e thëriste Metën, me nofkën poshtëruese “paterica” e Sali Berishës, por tani Meta, është hiç më pak, se vetë themeli ku Rama, mbahet ende më këmbë!

Pa hyrë në konspiracionin e marrëdhënieve ndërmjet tyre, për të cilin kemi folur plot herë, dhe nuk jemi përgënjeshtruar asnjëherë, duket e habitshme se përse Ilir Meta, vazhdon të verë në shërbim të qeverisë Rama, pa asnjë kusht politik të vetëm, të gjitha numurat e sigurisë maksimale të kësaj Shumice.

Po ta pyesësh për këtë, Ilir Meta të përgjigjet politikisht dhe formalisht se stabiliteti i vendit, është kryesori dhe se ai, Meta pra, është kokëfortë dhe besnik në respektimin e Marrëveshjeve!

Por kur grabiten paratë e shqiptarëve ndër aeroporte ditën me diell dhe askush nuk merr mbi vete një përgjegjësi reale?

Por kur Krimi i Përgjimeve shtetërore, viktimë e së cilës mund të jetë edhe ai vetë, varroset me dhunë dhe frikësim të Gjygjësorit, nga vetë kryeministri?!

Por kur financat e këtij vendi, tronditen më keq nuk bëhet, borxhi rritet dhe shpërdorimi mëndjelehtë i të ardhurave tona nga administrate shqiptare, kanë kapërcyer cdo masë dhe kufi?

Por kur aventurizmi dhe jo arësyetimi shtetformues, mbizotëron në të gjitha fushat dhe spiralja e padrejtësive në kurriz të të mashtruarve vetëm rritet dhe tuneli duket shumë i gjatë dhe pa dritë në fund të tij?

Dikur shkruaja se: “Ilir Meta i di vetë punët e veta!”, por Eksperimenti Rama duket se mjerisht dështoi, ndërkohë që askush prej nesh nuk e dontë një gjë të tillë!

Sepse dështimi i një kryeministri, është sidoqoftë dështimi i Shqipërisë. Dhe Metës i kërkohet nga opinioni publik, të ndrrojë kuajt, në karrocën e gremisur të qeverisë aktuale shqiptare! Sepse më vonë, është shumë vonë.

*Titulli i redaksise

SHKARKO APP