Ikën “greku”, vjen “çami”. Po Greqia ç’thotë?!
Nga Skënder Minxhozi*
Zëvendësimi i Vangjel Dules me Shpëtim Idrizin është një nga ato alkimi politike të habitshme, me të cilat shqiptarët janë mësuar prej vitesh.
Dule, një aleat i vjetër i Ramës, e sheh veten sot të spostuar nga një aleat i zgjedhjeve të fundit, i Lulzim Bashës.
Ndërrojnë vend dy figura politike me peshë në skakierën kombëtare dhe duket se asgjë nuk ndodh.
Në fakt shumëçka është konsumuar në paskuintat e fushatës elektorale të 21 qershorit.
Aty ku partia e Dules nuk gjente pika takime me socialistët dhe ku, nga ana tjetër, Idrizi përgatitej të merrte një listë bashkish, si “prikën” e aleancës së re që po lidhte.
Zëvendësimi i një partie me një tjetër, mund të konsideroet si një proces fiziologjik i koalicioneve në Shqipëri.
Por kur flitet për një shkëmbim mes PBDNJ dhe PDIU, situata nuk është kurrë banale.
Partia e Vangjel Dules është parë përherë si një prezencë e kamufluar në jetën tonë politike, e linjës zyrtare të Athinës.
Ndërkohë që partia e Idrizit ka qenë krejtësisht e kundërta e të parës.
Duke kthyer papritur përmbys këtë realitet gjërash, Edi Rama rrezikon të ndërlikojë mes të tjerash, edhe marrëdhënien me fqinjin grek, i cili gjatë tetë vjetëve të Berishës mundi ta mbajë PDIU në një distancë “të shëndetshme” nga postet në qeverisjen qëndrore.
Rënia e kësaj tabuje mund t’i shtojë edhe pak më tepër benzinë zjarrit që digjet prej muajsh në marrëdhëniet shqiptaro-greke.
*Javanews.al