Ikën i fundit nga administrata e Obamës

Tom Shannon, Nën Sekretari amerikan i Shtetit për Çështjet Politike, ka njoftuar dje dorëheqjen nga shërbimi i jashtëm i Shteteve të Bashkuara. Në një letër drejtuar kolegëve dhe miqve në Departamentitn e Shtetit, Shannon ka pohuar se vendimi për t’u larguar, pas më shumë se 30 vjet shërbim në diplomacinë amerikane, është marrë për arsye personale.

Shannon u emërua Nën Sekretar për Çështjet Politike—pozicioni i treti më i lartë nga hierarkinë e Departamentit të Shtetit pas atij të Sekretarit dhe Zëvendës Sekretarit të Shtetit—nga Presidenti Obama dhe e mori detyrën në prill 2016. Ai ishte një nga rastet e pakta kur në këtë detyrë emërohet një diplomat karriere, pasi pozicioni zakonisht është i rezervuar për emërime politike.

Largimi i Shannon shënon largimin e personit të fundit në Departamentin e Shtetit që ka qenë përgjegjës për politikën dhe marrëdhëniet e qeverisë amerikane me Shqipërinë. Shannon ishte drejtuesi më i lartë i diplomacisë amerikane që mbajti qëndrim për krizën politike të vitit të shkuar. Në prill 2016, pas një takimi me Ministrin e Jashtëm Bushati, Shannon pohoi domosdoshmërinë që të gjitha partitë politike të merrnin pjesë në zgjedhjet e qershorit 2017, deklaratë që u interpretua si goditje ndaj qëndrimeve të opozitës e cila në atë kohë kërcënonte me mospjesëmarrje në zgjedhje.

Në janar 2017, dha dorëheqjen nga shërbimi i jashtëm Ndihmës Sekretarja e Shtetit Victoria Nuland, zëvendëse e Shanonit dhe personi direkt përgjegjës për formulimin e politikës amerikane për Shqipërinë. Nuland ishte personi kyç që u përfshi në mbështetjen e reformës në drejtësi dhe që negocioi mes paleve politike shqiptare për arritjen e konsensusit mbi reformën.

Një vit më vonë, në janar 2018, u largua nga shërbimi diplomatik zëvendësi i Nulandit Hoyt Yee, Zëvendës Ndihmës Sekretar i Shtetit. Hoyt Lee ishte personi që u përfshi direkt në zgjidhjen e krizës politike parazgjedhore në Shqipëri dhe që mundësoi me anë të presionit arritjen e marrëveshjes Rama-Basha në maj 2017.

Në qershor të këtij vitit, do të largohet nga Tirana ambasadori amerikan në Tiranë Donald Lu, i cili ka qenë personi me ndikimin më të madh në formulimin e qëndrimeve amerikane ndaj Shqipërisë, dhe personi i huaj me një ndikim të jashtëzakonshëm në politikën e vendit përmes protagoznmit të ti individual me ndërhyrje, qëndrime dhe deklarata personale për çdo çështje politike në Shqipëri gjatë tre vjetëve të fundit.

Donald Lu i përket të njëjtës qasje në politikën e jashtme të mishëruar dhe zbatuar nga ish-shefja e tij Victoria Nuland, ndërhyrjes për të zbatuar me çdo mjet në vende të ndryshme vizionin e tyre të ndërtimit-të-kombeve të tjera—qasje tashmë e diskredituar sidomos në Ukrainë, ku Nuland akuzohet se krijoi një kaosin me nxitjen dhe mbështetjen që ajo i dha rrëzimit me forcë të presidentit legjitim të Ukrainës, çfarë i hapi rrugë ndërhyrjes ruse që përfundoi me aneksimin e Krimesë.

Politika e jashtme amerikane nën Presidentin Trump ka ndryshuar rrënjësisht, duke hequr dorë nga imponimi i vlerave amerikane duke fokusuar në gjetjen e bashkëpunimit me çdo vend për të mbështetur interesat amerikane, në radhë të parë sigurinë e Shteteve të Bashkuara.

Ndryshimi i politikës së jashtme amerikane është shoqëruar me dorëheqjet e detyruara apo vullnetare të gjithë drejtuesve të lartë të Departamentit të Shtetit, përfshi individë që mbanin pozicione të larta menaxheriale jopolitike. Dorëheqja e Shannon tashmë ka plotësuar ndryshimin tërësor gjithë drejtuesve të trashëguar nga periudha Obama-Klinton në të gjitha nivelet e Departamentit të Shtetit. /Exit/al

SHKARKO APP