Ilir Meta: “Demokracia funksionoi si një mrekulli amerikane”.
Kryetari i Kuvendit, Ilir_Meta bëri një urim të përzemërt për Presidentin e ri të përzgjedhur të Shteteve të Bashkuara të Amerikës duke theksuar se edhe zgjedhja e z. Trump, por dhe vlerësimi i tij për rivalen, znj. Clinton, pas përfundimit të kësaj gare, tregojnë qartë që Amerika është një vend me një dinamikë të jashtëzakonshme demokratike dhe është një vend i vendosur për të ecur përpara dhe përmes debatit, por në fund fare, gjithmonë përmes bashkimit.
“Procesi ndoshta ishte edhe më demokratik se sa duhet. Në kuptimin që gara ka qenë mjaft e fortë dhe ndonjëherë etika nuk u ruajt në ato parametra që ne jemi mësuar në garat amerikane apo demokracive perëndimore. Por në çdo rast fundi i procesit është ai që mbahet mend, por ka qenë një fund i mrekullueshëm përsa i takon kulturës politike dhe demokratike. Besoj se ky proces do ta ndihmojë Amerikën të eci më shpejt përpara,” tha ai.
Kryetari i Kuvendit theksoi se midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka një partneritet strategjik dhe këto raporte kanë qenë solide për një kohë të gjatë, pavarësisht nga ndërrimi i presidentëve dhe raportet në Kongres apo Senat. Ai shprehu bindjen se ky partneritet do të vazhdojë të lulëzojë në interesin të dy vendeve tona. “Unë jam i bindur që marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe SHBA-ve do të jenë marrëdhënie mjaft solide, mjaft funksionale edhe afatgjata,” theksoi Meta.