Ilir Meta për “New Europe”
Nga Ilir Meta
Ndërkohë që këto zhvillime të reja shtrihen dhe në 2017-tën dhe përtej, ne, në Europën Jug-Lindore, dhe veçanërisht në rajonin e Ballkanit, duhet të sigurohemi që vlerat themeluese të Bashkimit Europian dhe angazhimet Trans-Atlantike, pavarësisht sfidave aktuale, të çohen përpara dhe të përhapen në jetën tonë institucionale dhe politike.
Shqipëria, një vend modest i Europës Jug-Lindore, po ecën në mënyrë të qëndrueshme në rrugëtimin e saj drejt integrimit europian, pavarësisht sfidave të veta dhe lodhjes nga zgjerimi, me të cilin po përballet BE-ja.
Nga fundi i vitit 2016 Shqipëria ka marrë nga Komisioni Europian rekomandimin pozitiv për hapjen e bisedimeve të pranimit për anëtarësimin në BE, i dhënë nga vendet anëtare në takimin e dhjetorit të Këshillit Europian, në Bruksel, me kushtin që vendi të avancojë me zbatimin e “Reformës në Drejtësi”, një moment historik dhe vendimtar, që do të rindërtojë të gjithë systemin e drejtësisë dhe shpresojmë ta riorganizojë për mirë.
Një klimë e brendshme politike më konstruktive dhe bashkëpunuese, veçanërisht në lidhje me çështjet europiane, do ti shërbente peshës së pamohueshme të Shqipërisë në rajon dhe përtej.
Unë, nën përgjegjësinë time si Kryetar i Kuvendit të Shqipërisë që nga viti 2013, kam punuar për të inkurajuar klasën tonë politike drejt një konsensusi të dakorduar si gentelmen, në mënyrë që kur bëhet fjalë për vendime të politikës tonë të jashtme dhe asaj rajonale, ne duhet të jemi të bashkuar për të projektuar një vizion kombëtar të qartë, të fortë dhe të pakundërshtueshëm.
Shqipëria, megjithëse një vend modest sa i përket aspektit gjeografik, duhet të luajë një rol specifik në Ballkan.
Kjo jo vetëm për shkak të popullsisë etnike shqiptare që rrethon kufinjtë e saj në Mal të Zi, Kosovë, Maqedoni dhe Serbinë Jugore, por gjithashtu për shkak se Shqipëria është, pa dyshim, vendi më pro Euro-Atlantik në rajon dhe, si i tillë, mbart një përgjegjësi të veçantë për të avancuar me axhendën Trans-Atlantike në rajonin tonë të brishtë.
Që nga rënia e komunizmit, periudha e tranzicionit të Europës Jug-Lindore është e ndikuar fort nga agjenda më e gjerë Euro-Atlantike, me secilin vend që aspiron të anëtarësohet në Bashkimin Europian dhe në NATO.
Nga ana tjetër, vetë Bashkimi Europian dhe transformimi i NATO-s pas Luftës së Ftohtë janë ndikuar së tepërmi nga zhvillimet në rajonin tonë, gjë që dëshmon rëndësinë e tij të pamohueshme gjeo-strategjike.
Kjo bëhet akoma më e rëndësishme për vitin e ardhshëm dhe dekadën e ardhshme, ndërkohë që aktorë të ndryshëm botërorë konkurojnë për të zgjeruar ndikimin e tyre në të gjithë rajonin.
Siç është treguar këto dy vitet e fundit nga kriza e paprecedentë e emigracionit dhe sulmet terroriste, Europa si një e tërë duhet të jetë më e bashkuar, më e koordinuar dhe më e mirë- pregatitur për zhvillime të mundshme destabilizuese, të përmasave njerëzore shumë të mëdha.
Pasiguria, paqëndrueshmëria dhe mospajtimi në atë se si i trajtojmë sfidat e së ardhmes me siguri do të rrisin pasigurinë për shoqëritë tona dhe do të vazhdojnë të shtyjnë qytetarët e dëshpëruar të Europës të mbështesin alternativat politike nacionaliste, populiste dhe ksenofobe, gjë që mund të vejë në pikëpyetje të gjithë rendin perëndimor.
Brexit ishte këmbana e parë e alarmit për një rend të ri e të pasigurtë në Europë, dhe zgjedhjet e ardhshme në Hollandë, Francë dhe Gjermani rrisin frikën se një Bashkim Europian i dobësuar mund të mos jetë i mirë për pjesën tjetër të Europës, dhe sigurisht që nuk do të ishte i mirë për pjesën tonë të botës që historikisht është shqyer mes Perëndimit dhe Lindjes.
Në këtë kuadër, Shqipëria duhet të forcojë politikën e saj të jashtme dhe rajonale, tradicionalisht pozitive dhe konstruktive, me një sens më të mprehtë qasjeje vizionare, të palëkundur në besimin tonë të sinqertë se integrimi i plotë i të gjithë fqinjëve tanë në BE dhe në NATO do ti shërbejë, jo vetëm të ardhmes së qytetarëve tanë, por dhe do të forcojë sigurinë dhe stabilitetin e një kontinenti të tërë. Besimplotë në aleancën tonë strategjike me Shtetet e Bashkuara, të cilën do të vazhdojmë ta çojmë më tej me administratën e re amerikane, dhe të sigurtë për integrimin tonë të plotë në Bashkimin Europian, mbështetemi në një partneritet të fortë dhe të shëndetshëm Trans-Atlantik.
Kjo do të thotë një Europë e qëndrueshme dhe tërësisht e plotësuar me Ballkanin, si pjesë integrale e saj, dhe një NATO e fortë dhe efikase.
Shqipëria do të vazhdojë të punojë kundër çdo alternative nacionaliste apo populiste në rajonin tonë, e bindur se vetëm një rajon i hapur, demokratik dhe pluralist, pa pengesa garanton stabilitet, siguri dhe progres social për shoqëritë tona.
Të udhëhequr nga parimet e pandryshuara të marrëdhënieve të hapura, të sinqerta dhec të fqinjësisë së mirë, ne do të vazhdojmë të mbështesim përshpejtimin e integrimit Euro-Atlantik të të gjithë fqinjëve tanë, si e vetmja alternativë që forcon paqen dhe sigurinë për të ardhmen.
Kjo është arsyeja pse Kuvendi i Shqipërisë ishte ndër të parët që ratifikoi Protokollin e Anëtarësimit të Malit të Zi në NATO, të kënaqur se anëtarësimi në Aleancë i mikut tonë verior do të plotësojë një koridor bregdetar Adriatiko-Jonian tërësisht të sigurtë dhe të garantuar.
Ne do të vazhdojmë të intensifikojmë bashkëpunimin tonë të shkëlqyer me Malin e Zi dhe do të mbështetemi tek minoriteti shqiptar atje, si një urë e shkëlqyer miqësie dhe partneriteti.
Marrëdhëniet tona shumë të ngushta me Kosovën janë ngritur drejt një bashkëpunimi institucional më cilësor, përmes shkëmbimeve në të dyja anët e kufirit.
Shqipëria do të vazhdojë të lobojë për më shumë njohje ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës, ndërkohë që do të çojmë përpara axhendën e integrimit të saj në organizatat rajonale dhe ndërkombëtare. Kjo është e domosdoshme për qytetarët e Kosovës dhe jetike për të gjithë rajonin.
BE-ja nuk duhet ta vonojë më regjimin pa viza për qytetarët e Kosovës, ndërsa dialogu midis Serbisë dhe Kosovës duhet të avancojë me rezultate të prekshme dhe me një mirëkuptim konstruktiv dhe të ndërsjelltë. Shqipëria do të vazhdojë të nxisë normalizimin e plotë të marrëdhënieve Serbi-Kosovë, që duhet të kulmojnë me njohjen e Kosovës.
Shqipëria duhet dhe do të vazhdojë të nxisë marrëdhënie më të ngushta dhe më të hapura me Serbinë, pasi nëse rajoni do të përparojë, ai duhet të hedhë pas krahëve zakonet dhe barrierat e vjetra, dhe të ecë përpara drejt shkëmbimeve më të shumta politike, kulturore, tregtare dhe ekonomike.
Angazhimi i sinqertë nga Tirana, qoftë me homologët tanë në Beograd, apo me përfaqësuesit tanë shqiptarë në Luginën e Preshevës në Jug të Serbisë, gjithmonë i ka drejtuar marrëdhëniet drejt një prirjeje pozitive.
Ndërkohë, Shqipëria do të vazhdojë të rrisë kontributin e saj për një Maqedoni të qëndrueshme dhe të zhvilluar, e cila ka nevojë të integrohet plotësisht në NATO dhe në BE. Kuvendi i Shqipërisë do të vazhdojë të inkurajojë faktorin e rëndësishëm etnik shqiptar që të jetë një forcë shtytëse për integrimin europian dhe për një orientim të qartë euro-atlantik.
Në ndjekjen e politikës tonë rajonale, ne do të vazhdojmë të mbështetemi fort tek dy fqinjët tanë të BE-së, Italia dhe Greqia, si dy partnerë jetikë dhe strategjikë dhe avokatë të fortë të axhendës tonë europiane dhe zhvillimit tonë ekonomik.
Ata që kanë qenë dëshmitarë të rendit të mëparshëm komunist në rajonin tonë e dinë shumë mirë që ekziston një lidhje direkte mes shoqërive të hapura demokratike dhe begatisë ekonomike.
Është në mënyrë të pamohueshme e vërtetë që axhenda euro-atlantike ka qenë vendimtare për çuarjen përpara të këtyre ambicieve për të gjithë rajonin.
Kjo është veçanërisht e vërtetë për të gjithë ata që janë në vijën e parë të zhvillimit të të gjithë Europës Qendrore dhe Jug-Lindore.
Ndaj, detyra jonë për vitin 2017, në Shqipëri, kudo në Ballkan dhe përtej do të ishte përshpejtimi i veprimit tonë të përbashkët, së bashku me BE-në dhe NATO-n, si dhe me shoqërinë civile dhe grupet e interesit në vendet tona, për të forcuar kredencialet tona demokratike.
Kjo do të thotë forcim i dukshëm i shtetit të së drejtës, luftë më e ashpër kundër korrupsionit endemik dhe krimit të organizuar, sistem drejtësie solid dhe i pavarur, më shumë transparencë në mënyrën tonë të qeverisjes dhe llogaridhënie të plotë në jetën publike, si një element i panegociueshëm i rrugëtimit tonë drejt një zhvillimi të zgjuar dhe të qëndrueshëm politik, ekonomik dhe social për brezat tanë të ardhshëm.