ILVA TARE: Pulsi i impulseve të qeverisë

 

Nga Ilva Tare.

Ilir Meta është i vetmi nga përfaqësuesit e koalicionit qeverisës që foli hapur dhe publikisht për qëllimet e LSI-së pas diskutimeve me Kryeministrin Rama. Duhen ndryshime në qeveri dhe ndaj atyre që këto ndryshime nuk u duken të nevojshme, Meta u shpreh me një fjali alla Nano, se nuk do të kishte shumë vlerësim. Me pak fjalë, ndryshe nga Rama që po përpiqet ta mbajë konfliktin me aleatin të lokalizuar brenda mureve të zyrës së Metës, qeverisë i ka ardhur ora të kalojë në sitën e humorit të koalicionit.

Për momentin, koalicionit të 1 Prillit duket se i ka ndalur pulsi i bashkëpunimit dhe pasojat e impulseve të munguara sipas LSI-së mund ta shpërbëjne qeverinë, në mos brenda Tetorit, në javët e ardhshme. Kur bashkëjetesa merr fund nga njëri partner, është e vështirë që lidhja të vazhdojë, pavarësisht këmbënguljes së pjesës tjetër që mund të ketë të gjitha arsyet dhe justifikimet për të këmbëngulur në mbajtjen në jetë të marrëdhënies.

Publikut i mbetet të paguajë koston e një lidhjeje të detyruar që nga ora në orë i shuhet pulsi i mbijetesës, për të gjitha arsyet që i dinë partnerët dhe që nuk pranojnë t’i ndajnë me votuesit e tyre. Dhe jo të gjitha arsyet janë parimore, e aq më pak pragmatiste. Është e vërtetë që është në dorën e Ramës të ndryshojë ministrat apo jo, sikundër është po në dorën e tij të zgjedhë strategjinë dhe kohën se ku do ta ndërrmarrë një hap të tillë.

Por është urgjente dhe e nevojshme që Edi Rama ta ndajë mendjen se çfarë do bëjë me Metën dhe njerëzit e tij në bashkëqeverisje, nëse ka ndërmend që administrata t’i kthehet punës dhe të jetë në gjendje të përballojë sfidat e integrimit për të cilat është angazhuar. Se çfarë bisedon në ai privat, këtë mund të vazhdojë  ta ndajë vetëm më atë rreth miqsh që siç ka vërtetuar koha nuk u beson, por i përdor për ndërmjetës, por kaq nuk mjafton. Ai ka një llogari të hapur me qytetarët që e kanë votuar dhe besuar. Atyre, u detyrohet t’u shpjegojë përse mendon se nuk duhet ta ndryshojë qeverinë, apo t’i japë impulse të reja, siç ja kërkon Meta.

Përdorimi deri në limit i aftësive për ta kaluar me batuta dhe sulme ndaj medias apo edhe opozitës që i konsideron si fabrikuese të problemeve të tij, nuk mund të zgjasë në pafundësi dhe përfundimisht nuk ja zgjidhin Ramës problemet me Metën. Opozita, por edhe mediat mund të kenë interes t’ja prishin koalicionin dhe kjo nuk do ishte as hera e parë dhe as ndonjë çudi edhe për demokracitë më të zhvilluara se kjo e jona. Por Rama duhet ta vendosë vetë në radhë të parë, nëse e do apo jo bashkëqeverisjen me Metën dhe të jetë i sinqertë me aleatin në radhë të parë dhe me shqiptarët në radhë të dytë.

Impulset për të cilët foli Ilir Meta kanë nisur të pulsojnë mbi kokat e ministrave të përfolur, si të dëshiruar për t’u larguar. Kryeministri mund të zgjedhë të mos i shohë ose t’i adresohet qytetarëve për të marrë mbështetjen që i duhet për të qeverisur me skuadrën e tij dhe për këtë i lipset një marrëveshje e re brenda lidhjes së vjetër, ose një lidhje e re në marrëdhënien e vjetër. Zgjedhja e tij, por i duhet një zgjedhje sa më parë.

SHKARKO APP