IN MEMORIAM/ Martirë pa varr, por me fotografi të varura në bulevard

Nga Gjergj Erebara

Papa Françesk është një papë shumë simpatik me shqetësimet e tij për problemet e kohës sonë si dhe me gadishmërinë për të thyer tabu të çelikta të kishës si problemet e komunitetit LGBT. Ai po viziton Shqipërinë, dukshëm për të dhënë një mesazh të rëndësishëm mbështetjeje për ne të gjithë, në rrugën drejt Bashkimit Europian. Megjithatë, ia vlen të përmblidhen dy tre shqetësime të krijuara nga kjo vizitë, sido që, shqetësimet, ngjajnë shumë periferike në krahasim me vetë ngjarjen e vizitës.

Shqetësimet vijnë nga mënyra se si autoritetet Shqiptare po e presin, te një farë hipokrizie e dukshme e elitës politike, te kritikat e ekstremit të majtë ndaj papës si subjekt sulmi në tërësi dhe jo ndaj Papës Françesk në veçanti, te shqetësimet se shteti shqiptar po bëhet papritur “më katolik se vetë papa”, siç thotë shprehja popullore.

Shqetësimi i parë për t’u renditur është varja përgjatë bulevardit Dëshmorët e Kombit të portreteve të 40 klerikëve të vrarë gjatë regjimit komunist. Ata janë në një listë të Vatikanit dhe konsiderohen si kandidatë për t’u shpallur martirë. Në rast se shpallen martirë, ata mund të bëhen kandidatë për shenjtorë. Duke qenë se janë martirë, ata nuk kanë nevojë të kryejnë mrekulli pas vdekjes që të shpallen shenjtorë, siç është rasti i Nënë Terezës.

Për popullatën katolike, kjo është një çështje shumë e rëndësishme, aq e rëndësishme sa të tjerët mund ta kenë të vështirë ta kuptojnë. Mes portreteve të varura në bulevard ka një numër të konsiderueshëm shkrimtarësh të jashtëzakonshëm, emrat e të cilëve ne pothuajse nuk i njohim fare për shkak se 25 vjet pas rënies së komunizmit, rrallë shfaqen nëpër librat e letërsisë së shkollave. Ata kanë shkruar në gegnisht, një gjuhë që vijon të konsiderohet si thuajse mëkat nga shoqëria shqiptare nëse përdoret. Dhe kjo është për të ardhur keq. Sot gjuha në të cilën ata kanë shkruar është një specie në zhdukje, por shumë pak i kanë rënë ziles së alarmit për këtë humbje.

Problemi është se qeveria jonë, me varjen e fotografive të tyre në bulevard me rastin e vizitës, duket sikur po mburret para Papës Françesk me numrin e priftërinjve katolikë të vrarë nga komunizmi, jo me vlerat e tyre si klerikë, si njerëz, si shkrimtarë, si dijetarë apo si politikanë.

Duket sikur Enver Hoxha na paska bërë nder që i vrau ata të gjithë sepse po të mos ishte Enver Hoxha, nuk do të kishim çfarë të varnim në Bulevard për t’ia treguar Papës dhe as listë priftërinjsh kandidatë për martirizim në Vatikan. Disa prej atyre figurave meritojnë të ekspozohen përgjatë të gjithë vitit si figura të rëndësishme kombëtare dhe jo vetwm me rastin e vizitës sw papës.

Problemi tjetër është që qeveria, përfshirë edhe kryeministrin Edi Rama të vetërrëfyer si katolik, është kujtuar për këta njerëz vetëm me rastin e vizitës së Papës. Disa prej portreteve të njerëzve të varur në bulevard janë sot e të gjithë ditën pa varr. Qeveritë shqiptare, përfshirë edhe këtë aktualen, nuk kanë bërë asgjë për t’i gjetur eshtrat e tyre. Gjetja e eshtrave ka qenë një procedurë tepër bezdisëse. Ndryshe nga varja e fotografive. Ajo është më kollaj.

Vetë procedura e varjes dhe gjërat e shkruara mbi fotografi hanë vend për debat. Ndoshta do të qe më mirë që fotot e tyre të paraqiteshin në stenda në vend që të vareshin në banderola dhe që shënimet mbi fotografitë të përqendroheshin në atë se çfarë qenë këto njerëz dhe jo se si vdiqën.

Françeskanët e varur në bulevard kanë qenë para së gjithash shkrimtarë. Ata kanë kaluar disa filtra dhe një nga kriteret është që martirizimi i tyre duhej të ketë ndodhur për arsye të fesë. Por mes priftërinjve katolikë të ekzekutuar kishte edhe të tjerë, politikanë përpos të qenit shkrimtarë, si At Anton Harapi, të cilët nuk janë në listë, për shkak se vdekja e tyre duket se ka ardhur si pasojë e veprimtarisë politike dhe jo si pasojë e veprimtarisë fetare. Si regjent në kohën pushtimit gjerman ai qe bashkëpunëtor i Nazi-Fashizmit. E vërteta duhet të jepet e plotë. Vlera fetare e Françeskanëve mundet të jetë më e madhe te të dyzetët e kandiduar për martirizim. Por për shoqërinë, është më e gjerë se sa kaq.

Fakti tjetër është që qeveria do të bëjë mirë të ndihmojë në varjen e këtyre figurave nëpër librat e shkollave, në librat e historisë apo ato të letërsisë si dhe gjuhës së tyre, gegnishten, në mënyrë që gjenerata tjetër e shqiptarëve ta dinë se ekziston gjysma tjetër e vendit dhe gjysma tjetër e letërsisë dhe kulturës shqipe të zhvilluar jashtë kornizave zyrtare. Do të qe shumë mirë që të varurit në bulevard t’i shërbejnë vendit për çfarë kanë bërë dhe jo për atë se si vdiqën. Kjo duhet të jetë edhe një farë ndjese publike dhe zyrtare për të shkuarën, një pastrim i brendshëm pa të cilin Shqipëria vështirë se mund të ndërtojë një shoqëri normale dhe paqësore.

Dhe këtu mbërrijmë te fjalët e Papës Françesk, i cili tha se do ta vizitojë Shqipërinë për shkak se ka vuajtur në komunizëm. Bashkë me dyzet priftërinjtë e kandiduar për martirë kanë vdekur edhe mijëra shqiptarë të tjerë, fotot e të cilëve nuk janë varur në bulevard. Kur flasim për viktima, një shkrimtar, prift martir apo jo, nuk mundet dhe nuk duhet të jetë më i rëndësishëm se sa njeriu më i panjohur që ka pasur të njëjtin fat. Por duke u përqendruar nxitimthi mbi vuajtjet e komunizmit vetëm për hatër të vizitës së Papës Françesk, ne po bëjmë asgjë më shumë se sa atë që bëri Shqipëria komuniste në krah të kundërt, një hierarki vdekjeje e neveritshme.

Kam përshtypjen se shumë prej njerëzve të varur në bulevard do t’i mbetej hatri të konsideroheshin veçantë nga mijëra të tjerët që patën të njëjtin fat, vetëm për faktin se ata qenë priftërinj dhe në masë të gjerë, intelektualë.

Vizita e Papës Françesk po kthehet në një moment reflektimi për shoqërinë shqiptare. Do të qe mirë që ky reflektim të mos mbarojë mbrëmjen e së dielës bashkë me largimin e Papës./BIRN

SHKARKO APP