Inteligjenca artificiale krijon zëra për filma dhe për reklama
Një numër gjithnjë e më i madh kompanish po përdor inteligjencën artificiale për të imituar zërat njerëzorë. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Phil Dierking, një kompani po krijon zëra artificialë që mund të përdoren për reklama dhe trajnime.
“Ka stil përshkrues, stil për reklamë ose për dialog. Pra, e vendos këtu tekstin dhe krijojmë zërin”, tregon Sara Weisweaver.
“Mund të shfrytëzojmë një bazë të dhënash për të përshtatur tonin, pauzën, theksin dhe shumë prej veçorive stilistike të zërit, për ta mishëruar vërtet zërin autentik tek produkti”, thotë Matt Hocking.
Ai është drejtor ekzekutiv i kompanisë “WellSaid Labs”, themeluesit e së cilës ishin pjesë e Institutit Allen për Inteligjencën Artificiale, një organizatë kërkimore jofitimprurëse. Ata po punojnë për të krijuar zëra të kompjuterizuar që tingëllojnë më njerëzorë.
Kompanitë i përdorin këta zëra për reklama, në marketing dhe për kurse trajnimi duke mos patur kështu nevojën për të punësuar njerëz për leximin e pjesëve tonike.
Një person regjistron zërin e tij në kompaninë “WellSaid Labs”. Bazuar tek ky regjistrim, kompania përdor inteligjencën artificiale për t’i mësuar programit aspekte më të rafinuara. Sa kohë i duhet p.sh. një personi që të bëjë pauzë, apo kur merr frymë, si dhe cilat fjalë thekson. Kompania blerëse zgjedh zërin që i pëlqen dhe vendos tekstin që dëshiron të shqiptohet.
Kompania “WellSaid Labs” është bërë kështu pjesë e praktikës së vënies në përdorim të inteligjencës artificiale për të krijuar përmbajtje të re, fjalë, zëra apo imazhe, bazuar në sasi të mëdha të dhënash që i janë ushqyer kësaj teknologjie.
Aplikacionet e inteligjencës artificiale ngrenë shpesh shqetësime për etikën. Kompania “WellSaid Labs” ka hartuar udhëzime për klientët që përdorin zërat e prodhuar artificialisht.
“Nuk mund t’i përdorin këta zëra për qëllime pornografike apo ndonjë mesazh urrejtjeje apo diçka të dhunshme, apo të paligjshme”, thotë zonja Weisweaver, e cila është drejtore për etikën në kompaninë “WellSaid Labs”.
Ndërsa inteligjenca artificiale është duke u futur në shumë fusha, profesionistët pyesin veten se si do të preket puna e tyre.
“Për sa kohë që ka një njeri në epiqendër të kësaj, dhe ne vazhdojmë ndërtojmë mbi këtë, ndjehem më komode në bërjen e diçkaje që është krijuar më shumë nga kompjuteri”, thotë Gabby Fernandes, aktore zëri.
Një tjetër shqetësim është nëse do të mbyllen vendet e punës. Ndoshta, thonë vëzhguesit, por inteligjenca artificiale si WellSaid mund të rrisë gjithashtu prodhimtarinë dhe të përmirësojë rezultatin.
“Mendoj se në shumicën e rasteve do të jetë një bashkëpunimi mes njerëzve dhe inteligjencës artificiale për të përmirësuar dhe përshpejtuar procesin e krijimtarisë”, thotë Vu Ha, drejtor teknik me kompaninë “AI2 Incubator”.
Ndoshta është shumë herët për të ditur pasojat e programeve krijuese të inteligjencës artificiale, por sidoqoftë duket se ato do të vazhdojnë të përdoren./VOA/