Investigimi/ Aferat e dyshimta të Erion Veliajt me tenderat e pastrimit
Nga Elton Qyno( BIRN)
Me 22 shkurt 2016, një komision i përbërë nga zyrtarë të bashkisë së Tiranës, u mblodh për të shpallur fituesin e një tenderi për pastrimin e zonës Lindore -1 të qytetit.
Kjo hapësirë urbane zgjerohet në formë trekëndëshi midis Blvd. Zog I në drejtim të Paskuqanit, si dhe drejt rrugës së Dibrës që ndiqet nga rruga Aleksandër Moisiu në Kinostudio.
Sipas bashkisë së Tiranës, kjo hapësirë ka rreth 80.8 mijë banorë, të cilët së bashku me bizneset e zonës prodhojnë mesatarisht 92.1 ton mbeturina çdo ditë.
Komisioni i vlerësimit të oferta, KVO, në bashkinë e Tiranës, ka shpallur fitues të tenderit me fond limit 120 milionë lekë për pastrimin e zonës Lindore-1 kompaninë Ecologica Albania Sh.p.k, me administrator biznesmenin Italian Antonio Abrusci.
Vendim i KVO-së është ankimuar në Komisionin e Prokurimit Publik, KPP, nga një nga operatorët pjesëmarrës në tender, Infinit Construction.
Edhe pse KPP-ja nuk është shprehur akoma me një vendim për ankimin e depozituar nga Infinit Construction, një kërkesë e saj për informacion drejtuar Drejtorisë së Përgjithshme të Transportit Rrugor, ka vënë në pah që një pjesë e dokumentacionit të mjeteve të kompanisë Ecologica Albania, të depozituara për tenderin e pastrimit në Agjencinë e Prokurimit Publik, APP, kanë qenë të falsifikuara.
Falsifikimi i dokumenteve nga ana e kompanisë Ecologica Albania, është bërë pjesë e një kallëzim penal i hetuar nga prokurori Ndini Tavani, i cili me datë 28 korrik ka nxjerrë një urdhër arresti për shtetasin italian Antonio Abrusci, duke ngarkuar policinë e Tiranës me detyrën e ndalimit të tij.
Abrusci nuk është arrestuar akoma, megjithatë tenderi i fituar nga Ecologica Albania nuk ka qenë i vetmi tender i dyshimtë për pastrimin e qytetit i mbajtur nga bashkia e Tiranës.
Që nga ardhja në krye të bashkisë të ish Ministrit të Mirëqenies Sociale Erion Veliaj në gusht 2015, ky institucion ka mbajtur të paktën 7 tenderë për pastrimin e zonave të ndryshme të qytetit me procedurë ‘negocim pa shpallje paraprake’ – një formë prokurimi e cila justifikohet vetëm në situata emergjence.
Sipas ekspertëve përdorimi i një procedure të tillë prokurimi nga ana e bashkisë së Tiranës është i pajustifikuar, dhe duhet të bëhet objekt hetimi nga Kontrolli i Lartë i Shtetit.
Në auditin e saj të fundit të ndërmarrë në bashkinë e Tiranës në vitin 2015, KLSH, pati konstatuar se vetëm firmat e pastrimit i kanë shkaktuar një dëm qytetit me mbifaturime me vlerë në dhjetëra milionë lekë, çka sugjeron që keqmenaxhimi i këtij shërbimi ka qenë prezent edhe para zgjedhjes së Veliajt si qytetar i parë i kryeqytetit.
E kontaktuar nga BIRN, Bashkia e Tiranës nuk iu përgjigj një kërkese për koment mbi tenderët me negocim dhe as mbi hapat që kishte marrë për arkëtuar dëmet e shkaktuara nga kompanitë e pastrimit.
Kontrata me negocim
Sipas planit kombëtar të menaxhimit të mbetjeve në Shqipëri 2010-2025, i përgatitur nga qeveria shqiptare me asistencën e Bashkimit Europian, në bashkinë e Tiranës prodhohen çdo ditë 1.5 kilogram mbetje për banor ose 547 kilogram mbetje në vit.
Mbetjet që gjenerohen nga banorët e Tiranës dhe depozitohen prej tyre në kontenierët e mbeturinave të shpërndarë në qytet, mblidhen sipas një grafiku ditor nga një numër kompanish private të kontraktuara nga bashkia e Tiranës dhe depozitohen në landfillin e Sharrës.
Praktika shumëvjeçare ka qenë që përzgjedhja e këtyre kompanive të bëhej me procedurë prokurimi të hapur, e cila mundëson një proces transparent dhe me konkurrencë, çfarë si rrjedhim ul kostot për taksapaguesit.
Por ndryshe nga praktika e mëparshme, me ardhjen në krye të bashkisë të Erjon Veliajt, ky institucion ka mbajtur një seri të gjatë tenderash për pastrimin e qytetit me procedurë prokurimi negocim pa shpallje paraprake.
Në fund të vitit 2015 dhe në fillim të vitit 2016, bashkia e Tiranës ka mbajtur 8 procedura prokurimi me negocim pa shpallje. Katër nga procedurat e prokurimit kanë qenë shtesa kontrate për pastrimin e zonave të ndryshme të qytetit, ndërsa tre prej tyre kanë qenë kontrata të reja pastrimi, për zonën lindore 1 dhe 2, si dhe zonën perëndimore 1 dhe 2.
Shtesë kontrate është përfituar nga kompanitë T.T.A ALBA LAM Sh.p.k, Infinit Constructions Sh.p.k, Korsel Sh.p.k dhe Fusha Sh.p.k, ndërsa kontrata të reja janë lidhur me Fusha Sh.p.k, T.T.A ALBA LAM Sh.p.k, Korsel Sh.p.k dhe Infinit Construction.
Vlera totale e fondit limit të këtyre 8 prokurimeve ka qenë 294.747.300 lekë ndërsa vlera e prokurimit ka rezultuar 294.624.761, ose 99.6 % e vlerës së fondit limit, çfarë sugjeron që konkurrenca në këto tenderë ka qenë virtualisht zero.
Sipas Manualit të Prokurimit Publik, të publikuar Agjencia Prokurimit Publik me ndihmën USAID, procedura e prokurimit me negocim pa shpallje përdoret vetm në raste shumë specifike, si për shembull kur një tender ka dështuar sepse nuk ka asnjë ofertë ose oferta të përshtatshme, kur tenderi për arsye teknike ose artistike lidhet me të drejtat e pronësisë intelektuale, ose kur ka nevoja të jashtëzakonshme për shkak të katastrofave natyrore, si tërmete ose përmbytje.
Sipas Dorian Matlisë, drejtor ekzekutiv i qendrës Res Publica në Tiranë dhe ekspert i procedurava të prokurimi publik, procedura e prokurimit me negocim pa shpallje është parashikuar nga legjislacioni shqiptar vetëm për situata kur autoriteti kontraktor nuk mund të bëjë një procedurë normale tenderi.
“Është gjithmonë një rast që përdoret në kushte urgjence, e pa këshillueshme dhe e palejueshme për t’u përdorur në rrethana normale,” tha Matlija.
“Tenderët e pastrimit të qytetit ndoshta do të hynin në këto rrethana, vetëm në qoftë se do të kishte ndodhur një fatkeqësi e madhe në Tiranë… dhe duhet të bëhej për shembull pastrimi i inerteve, gjëra të kësaj natyre. Ose duhet të kishte ndodhur përmbytje, qe të kishin dalë për shembull ujërat e kanaleve të zeza, por kur bëhet fjalë për një tender që është pastrimi normal i Tiranës, atëherë nuk ka asnjë arsye pse të përdoret një procedurë e tillë,” shtoi ai.
Sipas Matlisë, në qoftë se kjo lloj procedure ka qenë e përsëritur në bashkinë e Tiranës, atëherë kjo përbën shkas ose indicie për një kontroll ose audit të thelluar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit.
“Në qoftë së bëhet fjalë për raste të përsëritura, sigurisht që i takon një institucioni tjetër dhe nuk mund të pritet që auditi i brendshëm të ndërhyjë kur është bërë sistem,” tha ai.
“Këtë punë mund ta bënte më mirë Kontrolli i Lartë i Shtetit, sepse është organ kushtetues dhe i pavarur,” Matlija përfundoi.
Nën lupën e KLSH-së
Në vitin 2015, Kontrolli i Lartë i Shtetit publikoi një raport mbi auditimin e “ligjshmërisë dhe rregullueshmërisë,” në bashkinë e Tiranës, i cili përfshinte periudhën i janar 2013 – prill 2015.
Ky raport liston një numër shkeljesh me dëm financiar nga kompanitë e kontraktuara nga bashkia e Tiranës për pastrimin e qytetit, çfarë sugjeron që problematika me menaxhimin e mbetjeve në kryeqytet nuk është e lidhur vetëm me mandatin e Erion Veliajt si kryebashkiak, por edhe me atë të paraardhësit të tij Lulzim Basha, tashmë kreu i Partisë Demokratike në opozitë.
Sipas KLSH-së nga auditi rezultojnë diferenca të mëdha në volumet e zërave të shërbimit të pastrimit të prokuruar gjatë periudhës 2013, 2014 dhe Janar–Prill 2015, e krahasuar kjo me volumet e përcaktuara në kontrata e mëparshme për të njëjtin objekt.
Për shembull në tenderin e zhvilluar me objekt “Pastrimin e pjesës Lindore -3 të qytetit të Tiranës”,me vlerë limit të kontratës 164,9 milion lekë, zhvilluar më datë 25 mars 2013, dhe operator ekonomik fitues Victoria Invest, “konstatojmë ndryshim të theksuar të volumeve të shërbimit në vitin 2013 e krahasuar kjo me vitin 2012, në vlerën shtesë prej 5,8 milionë lekë, vlerë e cila duhet të kthehet në buxhetin e shtetit e cila është përfituar padrejtësisht nga subjekti,” shkruhet në raportin e auditit.
Auditi i Kontrollit të Lartë të Shetit ka konstatuar një problematikë të ngjashme edhe në 6 kontrata të tjera pastrimi të lidhura nga bashkia e Tiranës në periudhën Janar 2013- Prill 2015, të lidhura me kompani si Korsel Sh.p.k apo Infinit Construction, etj – të cilat kanë shërbyer vazhdimisht dhe vazhdojnë të shërbejnë si nënkontraktorë të bashkisë Tiranë.
Sipas KLSH-së dëmi i përmbledhur që i është shkaktuar taksapaguesve nga këto kontrata është 42.7 milionë lekë, të cilat bashkia e Tiranës duhet të ndërmarrë të gjithë procedurat e nevojshme ligjore dhe administrative për t’i arkëtuar. Është e paqartë në qoftë se ky dëm i shkaktuar është arkëtuar, por ajo që është qartë, është se edhe me ardhjen në krye të këtij institucioni të kryebashkiakut të ri, të njëjtat kompani kanë fituar tenderë të majmë për pastrimin e qytetit. /Elton Qyno, BIRN/