Inxhinier Egon Gjadri, gjeneratori gjigand i energjisë shqiptare

Nga Arben Braçe –
Këto ditë bëhen 5-vjet, që inxhinieri i shquar, Egon Gjadri nuk ndodhet midis nesh, por ka lënë pas një pafundësi veprash energjitike dhe konstruktive të standartit bashkëkohor, që akoma nuk kanë ndodhur në Shqipëri dhe ndoshta do të duhet një kohë e gjatë për t’i arrirë. Ai hyri shumë i ri në këtë profesion, pikërisht në fund të viteve-50, kohë në të cilën totalitarët komunistë kërkonin të sfidonin modernitetin perëndimor, nëpërmjet zhvillimit të ekonomisë, të teknollogjisë shkencore dhe të kulturës masive, një ëndërr e vjetër kjo, sa vetë bota, për krijimin e njeriut universal, si një mendim pjebejas i aspiratës së Rilindjes Europiane.
Ai hyri në këtë profesion në një kohë të vështirë, kur shteti i ri totalitar, po bëhej nismëtar i zhvillimit industrial dhe gjithçka, që do të binte ndesh me këtë utopi, sikurse familja, feja, klasa dhe kultura e lartë, ishin të destinuara të shkatërroheshin dhe gjithçka do të shpërbëhej në anonimatin e kolektivit. Rastësia qëlloi, që të punonte në një kohë, kur komunistët paeksperiencë, donin të krijonin një makinë industriale, me qëllim që të pushtonin parajsën.
Pikërisht në këtë kohë të pazgjedhur prej tij, qëlloi që inxhinieri i ri, Egon Gjadri, të nxirrte në pah vlerat dhe kapacitetin e veçantë intelektual. Ai është përfaqësues i elitave të para tërësisht indigjene, të përgatitura në universitetin e sapo krijuar shqiptar, të cilat i zunë vendin elitave të vjetra mbretërore dhe kozmopolite. Por në ndryshim nga kolegët e tjerë, ai hynte në këtë profesion si Gjadri junior, kur mbi shpatulla kishte emrin e gjeniut të inxhinierisë së racës shqiptare, të atin e tij, Gjovalin Gjadri. Një përgjegjësi e madhe për t’u ballafaquar, dhe nga ana tjetër edhe një sfidë e skajshme për t’u arrirë. Aq i madh saç ishte emri i të atit, i cili konsiderohej “njeriu urë” që kishte ndërtuar në karierën e tij me shumë sukses, 75-objekte ndërtimi më të rëndësishme në Shqipëri dhe shumë objekte të tjera, si dhe mbante të regjistruar në Austri ku kishte studjuar, patentën e “Formulës Gjadri” si një shpikje mjeshtërore e tij, po aq e madhe dhe vetëmohuese duhet të ishte puna dhe vullneti i tij, në fushën e pafund të inxhienierisë.
Qysh shumë i ri, ai shfaqi talent të spikatur edhe në fushën e sportit të volejbollit dhe atë të shahut. Brenda një kohe të shkurtër, arriti të përfshihet si pjesëtar i ekipit të kombëtares shqiptare, duke luajtur në krah të emrave të njohur të volejbollit tonë sikurse, Petrit Murzaku, Fatmir Meka, Qemal Gjinali, Vangjel Koja etj. Ishte ky ekip, që në vitin 1955, befasoi Europën dhe ku Kombëtarja e Shqipërisë, e panjohur deri atëherë, u rendit në 10-shtetet më të mira të Kampionatit Europian të Bukureshtit për meshkuj. Sidoqoftë, në kulmin e rinisë dhe të vrullit djaloshar, ai ndoqi rekomandimin e të atit dhe me vetëdije, zgjodhi rrugën e vështirë të dhe të bukur të inxhinierisë, duke lënë në plan të dytë pasionet e rinisë.
Sapo u diplomua në vitin 1958, në degën e Inxhinierisë së Ndërtimit në Universitetin Shtetëror të Tiranës, ai nisi menjëherë punën si pjesëtar i grupit të projektimit të HEC-it të Shkopetit dhe HEC-ve Bistrica I dhe II, të cilët ishin ndër të parët hidrocentralë për ushqimin me energji të vendit. Për dikë që e shikon këtë punë në sipërfaqe, kurrë nuk mund të imagjinojë, se çfarë përkushtimi dhe sakrifice është dashur për realizimin e një vepre të tillë.
Sistemi totalitar megjithëse e urrente kapitalizmin, ishte i detyruar që me anë të teknikës moderne dhe shkencës bashkëkohore, t’i përgjigjej kushteve të modernitetit. Puna e specialistëve dhe shkencëtarëve drejtues nuk matej me orë, apo me shpërblim, por përcaktohej njëzëshëm nga sundimtarët, të cilët nuk mbanin në konsideratë mundësitë dhe kapacitetet njerëzore të specialistëve dhe shkencëtarëve. Regjimi kishte një moralitet shtrëngues, që kërkonte sakrifica dhe altruizëm për hir të interesit të përgjithshëm. Por nga ana tjetër, megjithëse politika qëndronte mbi krye, besimi krenar faustian i specialistëve në shkencën gjithëpërfshirëse, ishte shtysa dhe besimi se vetëm zhvillimi industrial, ishte rrugëdalja e mundshme nga varfëria. Kjo ishte bindja që e ndoqi gjatë tërë karierës së tij dhe që me shumë inteligjencë e mbrojti nga goditjet e mundshme politike dhe intrigat e karierës së sistemit.
Më shumë përkushtim inxhinier Egon Gjadri iu përvesh punës shkencore duke u ballafaquar me ekspertë europianë dhe botërorë të fushës duke marrë dhe duke dhënë eksperiencë. Janë të shumta angazhimet e tij ndërkombëtare dhe teknologjitë e adoptuara në vendin tonë që kanë marrë admirimin e shumë ekspertëve ndërkombëtarë. Ai ndoqi punën si zv/drejtor i Institutit të Projektimeve Numër 3 prej viteve 1972-1982, duke mos ndalur asnjëhërë studimin dhe kërkimin shkencor bashkëkohor. Në vitin 1972 mbi bërthamën e këtij grupi u krijua Instituti i Studimeve dhe Projektimeve të Hidrocentraleve, të linjave të tensionit të Lartë e Nënstacioneve dhe të Porteve në varësi të Ministrisë së Ndërtimit. Gjatë punës vetëmohuese, në krah pati emra të mëdhenj të sistemit energjitik, sikurse Profesor Petrit Radovicka pa drejtimin skrupuloz të të cilit, punën vizionare të Rahman Hankut, mbështetjen e mjeshtrit të madh të projektimit të digave, Profesor Farudin Hoxhës, dhe zbatuesve gjenialë të projekteve, inxhinierëve të talentuar dhe shumë të përkushtuar dhe me fantazi bashkëkohore, Profesor Emin Mysliu, Profesor Ismail Ahmeti e shumë të tjerëve, nuk do të ishin arritur kurrë të realizoheshin këto vepra të mëdha. Natyrisht që elitat priren ta përkthejnë meritën intelektuale në gjuhën e shpërblimit të madh. Ato janë të prirura t’i homogjenizojnë vlerat kulturore, ta thithin, ta gëlltisin njëra-tjetrën dhe të krijojnë një hapësirë forcërisht të integruar, por ndoshta si në një rast unikal, grupi i specialistëve shqiptarë në këtë fushë, mbeti grupi më i harmonizuar dhe i konsoliduar dhe me arritjet më të mëdha që kishin ndodhur në Shqipërinë e atyre viteve. Natyrisht, që një meritë e veçantë, i përket personalisht karakterit human dhe paqësor të inxhinier Gjadrit, por edhe nivelit të lartë intelektual të drejtuesve të talentuar, shkencëtarëve dhe specialistëve të integruar në fushën energjitike.
Duke mos u ndalur për as edhe një moment të vetëm, inxhinier Gjadri drejtoi me shumë përkushtim prej viteve 1983-1993 Institutin e Projektimeve Numër 3, të cilin e shndrroi në përpos një qëndër të hulumtimit shkencor që prodhon energji, por edhe një megashkollë për trainimin dhe edukimin shkencor të dhjetëra specialistëve të rinj. Egon Gjadri formoi një bërthamë kërkuesish dhe projektuesish të talentuar, pa të cilët Shqipëria, nuk do të kishte arritur të transformohëj nga pikëpamja teknike.
Në këtë institut janë projektuar shumë vepra të rëndësishme të ekonomisë dhe projektet u kthyen në vepra, në sajë të punës plot sakrifica dhe nivel të lartë teknik të ndërtuesve të vendit. Këto vepra u ndërtuan nga shumë ndërmarrje të specializuara të Ministrisë së Ndërtimit sikurse Ndërmarrja për Ndërtimin e Hidrocentraleve, për Ndërtimin e Linjave të Tensionit të Lartë, të hekurudhave të porteve montimeve e shumë të tjera. Inxhinier Gjadri është projektuesi kryesor i tuneleve të devijimit, shkarkimit dhe të prurjes së ujit në Hidrocentralet e Shkopetit, Bistricës, Vaut të Dejës, Fierzës, Komanit dhe Banjës të nyjes hidroteknike të Bovillës, të projektimit të hidrocentralit të Bushatit si dhe të skicë-idesë së Skavicës, një punë kjo, e zhvilluar përafërsisht që prej viti 1963 deri në vitin 1985. Po kështu, inxhinier Gjadri është bashkëautor i skemës së shfrytëzimit hidroenergjitik të kaskadës së lumit Drin si dhe bashkëautor i bashkëvendosjes së hidrocentraleve të Vaut të Dejës, Fierzës, Komanit etj. Edhe tunelet e turbinave dhe tunelet e shkarkimit në Fierzë janë pjesë e kontributit të tij madhor.
Përpos veprimtarisë së rëndësishme në fushën energjitike inxhinieri i shquar është dhe projektuesi kryesor i tuneleve të hekurudhës sonë. Të 14-tunelet e linjës hekurudhore Elbasan-Prenjas, si dhe tunelit më të madh në atë kohë, prej 3000 metrash të Qafë-Thanës, tunelin e Koshovicës dhe atë të Tarazhit, mbajnë vulën e punës dhe të përkushtimit të tij, duke u personifikuar si “njeriu tunel. Natyrsht që një punë e tillë pati shumë vështirësi shkencore në zbatim, por edhe në teknologji. Rrjedhja e ujërave e tunelit të Qafë-Thanës, që vinte si shkak i studimeve të paplota gjeologjike, nga grupi përkatës ishte shkak që Kryemistri i kohës Mehmet Shehu të telefononte shpesh në mes të natës. Niveli i lartë intelektual, ndoshta për herë të parë, nuk i lejoi politikës, që të vendoste mbi domenin, që i takonte shkencës, se çfarë është e vërtetë dhe çfarë jo. Netë pa gjumë dhe punë të zgjatura me orë të tëra, si dhe ndjekje e punimeve në kantier, duke i dhënë përparësi, dijes shkencore, bënë atë, që inxhinier Gjadri dhe kolegët e tij të gjenin zgjidhjen e duhur, duke devijuar drejtimin e ujërave dhe duke i dhënë rrugë megaprojektit udhëhequr prej tij.
E ardhmja e regjimit varej nga teknika, dhe pikërisht për këtë, elektrifikimi dhe realizimi i veprave të tilla, shihej nga politika e kohës, si kusht i domosdoshëm për mbijetesën e vetë sistemit totalitar. Shkenca energjitike dhe ajo kuantitative, ishte sundimtari sovrani i degëve të dijes, llojet e tjera të dijes, veçanërisht ato që rrekeshin të kuptonin mungesën e humanitetit të respektimit të të drejtave të njeriut, unicitetin dhe cilësinë, mbikqyreshin dhe shikoheshin me një vemëndje arrogante, si joshkencore dhe që bëheshin shkak për t’u ndëshkuar. Gjithsesi, lufta për mbijetesë e sistemit diktatorial, që i kishte shterur ideologjia, mbështetej vetëm në arritjet teknike dhe ky ishte shkaku, që vendi i nderit i jepej gjithmonë punës, mundit, ose aftësive prodhuese. Në këtë frymë dhe duke marrë në konsideratë arritjet përkushtimin dhe kontributin e çmuar për vendin e tij, inxhinier Gjadri, është dekoruar me Urdhërin “Flamur i kuq i punës” i Klasit të Parë, si dhe “Çmimin e Republikës së Shkallës së Parë”
Paralel me veprimtarinë projektuese, Inxhinier Gjadri la për asnjë çast pas edhe veprimtarinë akademike dhe shkencore. Ai është autor dhe bashkëautor i librave të ndryshëm si “Ura dhe tunele” “Llogaritja statike e veshjeve monolite të tuneleve”, “Digat prej betoni me gravitet në bazamente shkëmbore”, “Veprat e devijacionit me presion në hidrocentrale” , “Llogaritja e digave hark me metodën e ngarkesës provë”, “Veprat e devijimit dhe të shkarkimit të plotave në disa hidrocentrale të vendit tonë”
Për të gjithë këtë veprimtari shkencore atij iu akordua titulli “Bashkëpunëtor i vjetër shkencor “ nga Komisioni i Lartë i Atestimit dhe në vitin 1995, në saj të punës projektuese dhe shkencore iu akordua titulli “Drejtues Kërkimesh Shkencore” Të dy këto tituj janë tregues të vlerësimit unamim, që ai gëzonte në gjirin e bashkësisë së shkencëtarëve shqiptarë të asaj kohe.
Në projektimin e të gjithë këtyre veprave të rëndësishme, Profesor Egon Gjadri, ka pasur bashkëpunim me shumë shkencëtarë, specialistë dhe ndërtues, punën dhe veprimtarinë e të cilëve ai e ka përshkuar me shumë skrupulozitet në një album të përgatitur enkas, ku gjithsecili emër i madh në fushën e tij, përshkruhet me një nostalgji dhe një etikë dhe vlerësim intelektual të admirueshëm.
Në vitin 1995 ai u tërhoq nga jeta aktive shkencore, duke mos pranuar asnjë ofertë politike, sikundër bëri në të gjithë karierën e tij të pashëmbullt. Sikur dikush në vend të tij, në cilindo vend të perëndimit të kishte realizuar, qoftë edhe një nga veprat e tij do të rronte si i pasur, ndërsa inxhinieri, që gjeneroi energji për të gjithë vendin dhe me të iluminoi gjenerata të tëra dhe që projektoi dhe ndërtoi më shumë se 40 vepra hidroteknike dhe 20 tunele hekurudhore dhe automobilistike, përfitoi atë që nuk ka çmim, mirënjohjen e atyre që prekën dobinë e veprës së tij dhe të gjithë gjeneratave, që do të vijnë.
Personalisht e kam përherë përpara syve në shtëtitjen e gjatë që bënte përnatë nën shoqërinë e të dashurës së jetës së tij Ikbalit, balerinës së hijshme të Teatrit të Operas dhe Baletit. Sa për atë, që thoshte Hajdegeri se moderniteti karakterizohet nga imagjinata teknologjike dhe se është kjo e fundit, që vret artin dhe kulturën, ai për sfidë kishte zgjedhur të ndërtonte dashurinë e tij pranë artit, atij që simbolizon lirinë.
Përherë më duket sikur do ta shikoj sërisht në bulevard, nën shoqërinë e hijshme të shoqes së jetës, si një çift simbol i respektit dhe i dashurisë.
Deri sa ndroi jetë, për asnjë moment nuk lëvizi nga Shqipëria, duke i treguar gjithkujt, që vendi më i bukur në botë për të jetuar, është atje, ku me mund dhe sakrificë, ke krijuar dhe ke sjellë ndryshimin e madh, pa të cilin jeta nuk merr kuptim dhe se atje, në botën e përtejme ku ka shkuar, akoma është duke punuar të na mbështesë me energji, për të bërë ndryshimin e shumëkërkuar.
Arben Braçe

SHKARKO APP