Irani ka nevojë për një revolucion të ri
Nga Eli Lake
Katër dekada më parë, në muajt që çuan në Revolucionin Islamik në Iran, Ajatollah Ruhollah Khomeini i mërguar në Irak, bëri shumë premtime. Ai foli për respektimin e të drejtave të pakicave, demokracisë dhe barazisë për gratë.
Intelektualët perëndimorë, si filozofi francez Mishel Fuko, e vlerësuan vizionin e Khomeinit. Në Iran, liberalët dhe komunistët ishin të lumtur t’i bashkohen ndjekësve të tij, për të rrëzuar regjimin e korruptuar të Shahut. Khomeini karizmatik, po u thoshte atë që ata donin të dëgjonin.
Ose, për ta thënë ndryshe:Ai ishte duke gënjyer. Khomeini “nuk ishte i përkushtuar ndaj gjithçka që kishte thënë”, mendon Abolhasan Bani-Sadrit, presidenti i parë i vendit pas revolucionit. Duke folur në një intervistë në fillim të këtij muaji, ish-presidenti tha se Khomeini i përshkroi si “pragmatiste”, premtimet që bëri përpara se të vinte në pushtet
Ky është një përshkrim elegant. Menjëherë pas shpalljes si lider suprem, Khomeini braktisi pothuajse të gjitha premtimet e tij publike. Në librin e tij të vitit 2016 ”Demokracia në Iran:Pse dështoi, dhe si mund të ketë sukses”, profesori Misagh Parsa, përshkruan qeverinë post-revolucionare të Khomeinit si “një shtet ekskluziv” që “hodhi poshtë premtimin për demokraci”.
Klerikët dhe ndihmësit e tyre, kishin shumë punë për të bërë. Ata ndaluan alkoolin, dhe muzikën popullore në radio dhe televizione, si dhe shëtitjet e qenve në park. Ata ndërmorën ndërkohë një fushatë publike mizore, duke shpallur dekrete për të ndëshkuar shkelësit e kurorës dhe kriminelët e tjerë me rrahjet me kamxhik, apo ekzekutime me goditje me gurë.
Në vitin 1988, pati ekzekutime masive të rreth 40.000 “armiqve” të shtetit. Sipas organizatës “Reporterët pa Kufij”, midis viteve 1979-2009 regjimi ka arrestuar, burgosur dhe vrarë të paktën 860 gazetarë.
Deri më sot, mediat televizive shtetërore transmetojnë histori të diktuara nga lart. Verën e kaluar gjimnzistja Maedeh Hojabri, pranoi “krimin” e postimit në Instagram të një videoje, ku ajo shfaqej pa hixhab në kokë.
Mizoria preku dhe tek iranianët që jetojnë jashtë. Regjimi ka qenë i njohur për dërgimin e vrasësve në Evropë, për të eleminuar udhëheqësit e opozitës. Ish-kryeministri iranian Shapur Bakhtiar, që drejtoi një qeveri reformiste në muajt e fundit të regjimit të Shahut, u qëllua për vdekje në apartamentin e tij në Paris në vitin 1991.
Vetëm javën e kaluar, ministri iranian i Drejtësisë, njoftoi se do të fillonte ndjekjen penale për gazetaren dhe aktivisten Masih Alinexhad, pasi ajo u takua me Sekretarin Amerikan të Shtetit, Majk Pompeo.
Alinexhaf ëshë akuzuar gjithashtu, se ka inkurajuar gratë iraniane të publikojnë video të tyre pa hixhab. Ndërkohë, teksa shteti i ndërtuar nga Khomeini po i persekuton qytetarët e vet, udhëheqësit e tij po pasurohen.
Në këtë drejtim, Republika Islamike sot nuk është shumë e ndryshme nga regjimi i korruptuar, që u zëvendësua 40 vjet më parë. Për shembull, Garda Revolucionare e ushtrisë, funksionon njëherzi si një lloj sindikate kriminale, që kontrollon pjesë të mëdha të ekonomisë së vendit.
Udhëheqësi i tanishëm suprem dhe pasardhësi i Khomeinit, menaxhon një fond me vlerë dhjetëra miliarda dollarë, që sipas një hetimi të agjencisë Reuters në vitin 2013, është ngritur pjesërisht nga pasuritë shteterore të konfiskuara dikur nga qytetarët iranianë.
Shumë iranianë, e kuptojnë tashmë se udhëheqësit e tyre, janë të korruptuar dhe të paaftë. Protestat dhe grevat mbarëkombëtare, nisën në dhjetorin e vitit 2017 dhe po vazhdojnë. Iranianët e zakonshëm, duke marrë ndër sy një rrezik të madh për veten e tyre, e shfaqin shpesh pakënaqësinë e tyre ndaj sundimtarëve duke dalë në marshime publike, me anë atë mbishkrimeve nëpër mure, apo postimeve anonime në mediat sociale.
Iranianët jashtë vendit, të mërguar nga halli apo zgjerdhja e tyre, po fillojnë të planifikojnë mbi atë që vjen më pas. Disa disidentë, po bëjnë thirrje për një referendum kombëtar, mbi kompetencat që duhet të ketë udhëheqësi suprem.
Asnjë person serioz, nuk e beson që Irani është një demokraci. E megjithatë ende është e mundur të dëgjohen, në disa qarqe të Brukselit dhe Uashingtonit, ide të dykuptimta rreth garës së ideve, midis të moderuarve dhe atyre të linjës së ashpër në Iran.
Ministri i Jashtëm i Iranit, Xhavad Zarif, pretendon nëpër botë se është i dërguari i një vendi të lirë. Është një refren, që përsëritet prej 40 vjetësh. Më 16 shkurt 1979, e përdishmja amerikane “The Neë York Times”, botoi artikullin e një profesori të së drejtës ndërkombëtare në Universitetin e Prinstonit.
Përkufizimi i Khomeinit “si fanatik, reaksionar dhe bartës i paragjykimeve të egra”, shkruante ai, “është me siguri mjeran dhe i rremë”. Editorali titullohej “Besojeni Khomeinin”. Shumë udhëheqës perëndimorë, vazhdojnë t’i besojnë pasardhësve të Khomeinit.
Edhe sot, Bashkimi Evropian dhe ish-Sekretari amerikan i Shtetit, Xhon Kerri, po punojnë për të shpëtuar marrëveshjen e vitit 2015, që kufizon programin bërthamor të Iranit. Ata besojnë tek premtimi i regjimit Iranian se nuk do të ndërtojë armë, kur pjesa më e madhe e marrëveshjes skadon në më pak se 15 vjet.
Lajmi i mirë është se miliona iranianë, nuk besojnë më asgjë nga ajo që thotë ky regjim. Ata kanë duruar terrorin, privimin dhe mizorinë, e shkaktuar nga Revolucioni Islamik 40 vjet më parë. Ajo që mund të bëjnë më së paku amerikanët dhe evropianët, është mbrojtja dhe mbështetja e luftës së tyre për një revolucion demokratik.
“Bloomberg View” – Bota.al