Isa Boletini në një portret të gazetës austriake, 104 vjet më parë

Rehatohu Bacë Isë se Shqipëria dhe Kosova janë mirë."  Ishte kjo një nga shprehjet e kryeparlamentarit të Kosovës, Kadri Veseli në nderimet që iu bënë heroit të kombit, Isa Boletini, teksa eshtrat e tij u rivarrosën në vendlindje. Në fakt që pas udhëtimit legjendar të Isa Boletinit drejt Vlorës, ku mori pjesë më 28 nëntor 1912 në ngritjen e flamurit, për të shpallur lirinë e kombit, gati 100 vjet më pas ky është ndoshta momenti më i mirë për Shqipërinë e Kosovën bashkë, që ka qenë i përçarë dhe i pushtuar gjatë gjithë historisë. Sakaq, në mediat perëndimore të kohës, një figurë si Isa Boletini nuk mund të kalonte pa vëmendjen e duhur.  

Gazetari i njohur i “Zërit të Amerikës”, Ilir Ikonomi ka publikuar një shkrim në të cilin ka sjellë një portret të gazetës austriake “Neuer Freie Presse” për heroin kombëtar, Isa Boletini, portret i publikuar 104 vite më parë.

Nga Ilir Ikonomi

Gazetarët e huaj e quanin privilegj të bisedonin me Isa Boletinin. Një korrespondent, i cili e kishte takuar Isën në kullën e tij në Boletin, na jep një përshkrim të shkurtër që e gjeta në gazetën e Vjenës, Neue Freie Presse, të 6 prillit 1911. Në atë kohë, malësia e Mbishkodrës ishte përfshirë nga revoltat kundër xhonturqve. Përpara kësaj, revoltat kishin tronditur Kosovën dhe emri i Isa Boletinit përmendej në gazetat e mëdha. Vendosa ta përkthej këtë artikull, sepse korrespondenti e përshkruan Isën thjesht dhe pa ato fjalët e mëdha që lexojmë shpesh për të.

Në kohën e regjimit të Abdyl Hamitit, Isa Boletini jetonte në kullën e tij pranë fshatit Boletin dhe për të arritur atje, duhet të ecje nëpër një shteg fare të ngushtë. Kulla ishte e ndërtuar me gurë të mëdhenj, deri në një metër të gjerë dhe ngrihej mbi një kodër, në këmbën e së cilës rrjedh lumi Ibër. Kanatat e dritareve ishin prej pllakash të trasha hekuri dhe krejt kulla kishte një pikë vëzhgimi, prej nga mund të shihje si në pëllëmbë të dorës vendin rreth e qark. Nga kjo fortesë, Isa Boletini vëzhgonte gjithçka dhe, kur kërcënohej nga ndonjë rrezik, mjaftonte të shtinte një herë me pisqollë në ajër, që shqiptarët të rrëmbenin armët.

Për mendësinë tonë, Isa Boletini mund të konsiderohet si një grabitës ose vrasës, por për shqiptarët ai është njeri me një mision të shenjtë, i cili nuk ka bërë tjetër përveçse detyrën si shqiptar, sepse ka marrë hakun e të vëllait, kunatit dhe disa të afërmve të vrarë.

Isa Boletinit i ndalohej hyrja në Mitrovicë, e megjithatë të paktën dy herë në javë njerëzit kishin rast ta shihnin zotërinë nga Boletini në rrugët e qytetit, hipur mbi kalin e tij arab. Mbante jelekun e shkurtër tipik shqiptar të qëndisur me fije ari, ndërsa në brezin e gjerë ngjeshte një pisqollë të madhe me dorezë argjendi. Në qafë varte një martinë, edhe kjo plot me stolisje argjendi. Vazhdimisht rrethohej nga 40-50 burra, që të gjithë të armatosur deri në dhëmbë, disa që ecnin në këmbë e të tjerët mbi kuaj.

Në Mitrovicë turqit kanë një garnizon ushtarak, por askush nuk guxonte ta shqetësonte këtë burrë të respektuar.

Një ditë të bukur, Isa Boletini u bë mik me Sulltan Abdyl Hamitin, i cili i dhuroi një mulli dhe i caktoi një pagë mujore prej 50 lirash. Isa jetoi ca kohë në paqe me rrogën e qeverisë turke, por me rivendosjen e Kushtetutës në vitin 1908, të ardhurat e tij u shterën me shpejtësi, sepse qeveria nuk e paguante më dhe mulliri iu mor.

Mund të kuptohet kësisoj se përse Isa Boletini nuk është shumë miqësor me regjimin e ri turk. Ai nisi një propagandë antiturke dhe u shpall i jashtëligjshëm. Disa batalione turke shkuan për të sulmuar kullën e tij, mirëpo u sprapsën me humbje të rënda. Pas kësaj, kulla u rrafshua me top, por Isa Boletini kishte ikur dhe thuhet se ishte plagosur rëndë. Ai u tërhoq në pronat e veta në Pejë dhe kur filluan revoltat e shqiptarëve doli përsëri në skenë si luftëtar. Pas shtypjes së revoltave, Isa u tërhoq në Mal të Zi, por hyri disa herë në territoret shqiptare për të përgatitur kryengritjen. Të gjitha përpjekjet e turqve për ta dobësuar fuqinë e tij dështuan.

Isa Boletini është 45 vjeç, ka trup të gjatë dhe të derdhur, fytyrë të zbehtë dhe sy të zinj e melankolikë. Kur flet për familjen e tij, që është vrarë thuajse e gjitha për lirinë shqiptare, ai trishtohet dhe bie në mendime. Ka një djalë, të cilin e do shumë dhe e ngushëllon në heshtje

SHKARKO APP