Ish-ministri i PS Elmaz Sherifi: Fletë-Rrufe, si Rrufeja!
Prof. Dr. Elmaz Sherifi, ish ministër i PS-së
Prokurori special i Hagës befasoi, jo vetëm Presidentin Thaçi, por, edhe këshilltarin e Trumpit, Grenell, me akuzën për krime lufte, kur Presidenti Thaçi ishte nisur për në Washington për firmosjen e marrëveshjes me Vuçiç. Presidenti, me të drejtë, deklaroi se nuk do të ishte i pranishëm në Washington, nuk bëri asnjë deklaratë, nuk u rikthye në Prishtinë, por kaloi disa orë “relaksi” me kryeministrin Rama, në Bregdetin e Jonit.
Pardje në Prishtinë, me qetësi deklaroi, se nuk jep dorëheqje, derisa të ketë një vendim gjykate që e akuzon. Mendoj se është një qëndrim normal dhe korrekt. Në Prishtinë shkoi edhe kryeministri i Shqipërisë. Nuk kam asnjë të drejtë, të hamendësoj qëllimin e vizitës dhe axhendën e takimeve. Por, askush nuk mund të më paragjykojë të analizoj deklaratat e tij, në Konferencën e Shtypit, që për mendimin tim, ishin të shumta, disa të pakuptimta, por mbi gjithçka dallonte etiketimi i thirrjes së prokurorit special, si një “Fletë- Rrufe”!
Unë jo rastësisht e konsideroj “Filozofi Surelist i Së Drejtës”. Se edhe për këtë rast, ai gjeti një formulim të ri të modelit “Albanistan” për thirrjen e prokurorit special. Cili mund ta ndalojë ta konsiderojë “fletë- rrufe” thirrjen? Pyetja më normale do të ishte, nëse ajo është një “fletë- rrufe”, përse është shqetësuar aq shumë kryeministri i Shqipërisë, nga “fletë- rrufeja”, kur akuza nuk është për atë, por për Presidentin e Kosovës?
Kryeministri ynë, mund të ketë shumë informacion rreth kësaj ngjarjeje, që të gjithëve na ka brengosur. Por, a i shkon statusit të tij shtetëror të parashikojë si Kasandra, “ditët e kiametit” që po vijnë, dhe që sipas tij edhe Lufta Çlirimtare, mund të konsiderohet terroriste? Sinqerisht, e kam të pamundur, që me arësyetim dhe logjikë juridike të kuptoj gjendjen e tij “alarmante” dhe humbjen e besimit edhe te aleati ynë strategjik, SHBA.
Sepse, politikën krimiminale të Milosheviçit dhe ministrit të tij të propagandës, Presidentit të Serbisë Vuçiç, nuk mund t’i jepnin fund ne shqiptarët dhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës, pa mbështetjen e Washingtonit dhe të presidentëve Klinton dhe Bush.
Filozofi surelist, parashikon “ditë të këqia”, por nuk na tha se ç’mund të bëjmë. Teza, se duhet të “jemi bashkë”, nuk mund të ndalë efektet e thirrjes së prokurorit special. Duhet pritur me qetësinë e Thaçit vendimin e Gjykatës Speciale. Pa një vendim gjykate, asnjë pasojë nuk mund të ketë Presidenti Thaçi, dhe unë e dëshiroj të ndodhë.
Filozofi Surelist duhej që këtë impenjim ta kishte në 2015, kur u miratua Amendamenti Kushtetutes për krijimin e Gjykatës Speciale. Atëhere Filozofi heshti, ashtu, si nuk u shqetësua aspak, për thirrjen që kjo Gjykatë i bëri kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj. Jo vetëm kaq, por ditën e përkujtimit të Masakrës së Reçakut, ai depozitoi padi penale për të, për shpifje, në Gjykatën e Kosovës. Unë e përshëndes tërheqjen e padisë në Konferencën e Shtypit në Aeroportin e Prishtinës.
Me deklaratat e tij, tregoi se nuk ka më besim, as te këshilltarët e Trump dhe politika amerikane. Sepse prokuri special është propozuar nga administrata e Trump dhe Grenell as u shqetësua nga tërheqja e Thaçit. Përkundrazi, ai ishte i bindur se marrëveshja do të nënshkruhej, sipas tij, nga Kryeministri Hoti. Këtë e deklaroi me statusin e tij, sapo Thaçi deklaroi anullimin e ftesës.
A ka shkak kryeministri ynë të parashikojë ditë të vështira për shqiptarët dhe Institucionet e Kosovës? Është e drejta e tij. Unë nuk mendoj se do të ketë kohë, sipas parashikimeve të “filozofit”. Drejtësia nuk mund të jepet nga politika, aq më tepër, që Gjykata e Hagës, nuk mund të marrë urdhëra si gjykatat shqiptare. Prokurori special i ka tejkaluar kompetencat e tij me atë thirrje. Por korigjimin mund ta bëjë vetëm Gjykata. Presim, që ajo ta japë verdiktin e saj dhe Thaçi të ketë fakte për ta rrëzuar akuzën. Atë dëshiroj të ndodhë!