Ishe më mirë mbrapa ferrës o Bushati!

Nga Artur Zheji/ Edhe të këshillova në shkrimin tim më të fundit, (që më ka sjellë kaq shumë klikime në 360grade.al, “Pse është nervoz Andi Bushati”, kush nuk e ka lexuar ta lexojë), mos e ul stekën, por ti, ngaqë nuk di të bësh tjetër gjë më mirë, nuk më dëgjove, e ule, saqë u bëre si Kaçi. Si Kaçi M., derëziu.

 “Ështe mërzitur të rëntë një pikë! Shumë, shumë fare!” më tha përsëri njëri nga shoqëria yte në telefon. (Unë nuk e kuptoj pse më marrin mua, që të të ruaj ty? Apo janë të poshtër dhe provokatorë dhe i gëzohen fjalëkëmbimit tonë publik?)

Kurse një tjetër më tha: “Prit të shohësh se çfarë do të bëjë!”

 Dhe e lexova mërzinë tënde zhgaravitëse, plot mllef, vrer dhe gëlbazë.

Shkove deri në fund, se më poshtë nuk mund të shkohet. Hape si të thuash, një vërë në ujë. Këtë e di vetë edhe ti. Shkove deri te Kaçi M., streha e fundit e të sëmurëve mendorë, sajonjësve të rrëshqitur, që kanë qelb dhe jo tru në kafkë.

Por kam një aleat në shkumëzimin tënd të gërmëzuar. Steka jote e ulët, sharjet, fyerjet, akuzat, thashethemet, insinuatat e një shkolle të pështirë gazetarie. Gazetari që shet kukureca të palarë dhe plënca, bagëtie dhe jo argumenta.

Se  analizën ta harrojmë!

 Kam aleat “O argumentet” e tua pra, përveçse një “Biografie” të sajuar timen, sikur të ma bëntë organizata e partisë së Punës, mbasi të isha shpallur “kulak”, apo “armik” i klasës. Të janë zgjuar genet bllokmene, që aq mjeshtërisht i kishe përgjumur, sepse u lëndove në sedrën e nipçes së përkëdhelur. Që zë e thyen gjithë lodrat e shtrenjta. Moralin e të komunikuarit, të parin. Nëse e ke pasur ndonjëherë, kuptohet.

 Sepse dikush të provoi publikisht dhe jo mprapa ferrës, natyrën tënde të dyfishtë, proqeveritare, si  edhe në të njejtën kohë, dashurinë e sëmurë që ke për veten.

A nuk shkrove ti sëfundi mbrapa “ferrës”, shkrimin tënd mbi “shndërrimin” tim të ashtuquajtur?

 Për qënien time në “celulën antiamerikane” dhe të tjera pisllëqe si këto? Dhe plot shkrime të tjera fyese për mua? A ishin ato pa emër në Portalin-ferrë?

Hap arkivat dhe shiko. Se ferra, thuhet se  të pëlqente që i vogël kur gjuaje me guralecë shoqëruesit dhe kalecat e gjyshit, që nuk mërziteshin dot me ty, çamarrokun e preferuar. Ke mbetur fëminor dhe prandaj ke nevojë për ferrën Andi, pas saj ndjehesh i fortë, sepse i fshehur.

Në të vërtetë ishe më mirë mbrapa ferrës, sepse kështu lakuriq si dole, mbas ca mesazheve që ke marrë nga mediokriteti i gazetarisë shqiptare dhe ca shokë të tu besnikë, ti e di, po aq mirë se sa unë, se nuk ke qullosur gjë.

Asgjë cilësore dhe që të më prekë qoftë edhe 1 cm, diku poshtë lëkurës.

Më kujtove po, ca qindra shkrime paçavure që më qëndisnin sindikalistë dhe gazetarë pa emër, kur isha drejtor i përgjithshëm dhe ti, ishe me votat e deputetëve të Partisë Socialiste, anëtar i Këshillit Drejtues të RTSH. Apo e ke harruar këtë “detyrë të lartë” shtetërore?

 Dhe më ke votuar “pro”,  për drejtor të përgjithshëm, në një mocion kundër meje, ti Andi Bushati, me votën tënde, për ata që nuk e dinë.

Ti pandeh se unë do të bie kaq poshtë, e ti kujtoj publikut se si bëra një emërim femëror, për hatrin tënd në RTSH? Jo nuk zbardh as emra dhe as për llogari të kujt e bëmë atë kompromis shoqëror. As edhe nuk do të flas, se çfarë bën ti natën. Se me kë dhe çfarë. Ndonëse të gjithë ne e dimë, në këtë fshat që jetojmë. Sepse janë poshtërsira dhe janë futje e neveritshme hundësh në jetën personale.

Unë nuk e kam ndërruar ndonjëherë shkollën e mesme për të rregulluar mesataren, me ndihmën e pakursyer të familjes. Asgjë nuk replikove nga çfarë të shkruajta, por vetëm grumbullove vrer dhe më bëre siç të thashë më lart, “biografinë” e armikut, të të poshtrit, të hipokritit… dhe, e dhe për konsum publik, përpara zërit të masës…

Termin “obez” që ti përdor, e ke huazuar edhe atë nga Rama, dorë pas dore.

Por le të saktësojmë pak “Biografinë”, o i si ngjashmi i Kaçit M. Unë nuk ka çfarë të fsheh, vlla, që qesh me vete dhe jo me mua… Në vitin 1990, mbasi lashë punën si dramaturg në Teatrin Kombëtar,  dhe deri në vitin 2001, kam punuar 11 vite në Romë si gazetar i parë në Radio Radicale , kur ti, përmirësoje gjuhën shqipe (se frengjishten e mallkuar nuk e mësove dot asnjëherë) dhe punoje si çirak te Nikollë Lesi, si gazetar i vockël.

 Kur u ktheva në Tiranë dhe mora në drejtim editorial Televizionin Arbëria, ti bubrroje nën mburojën e Marsel Skëndos te Revista Klan. Dhe pastaj, se çfarë ndodhi, po Marseli që të krijoi dhe të bëri me para, përveç atyre të shumtave të familjes dhe biznesit të karburanteve farefisnore, u tradhëtua, nuk dihet se nga kush… Por nuk hy më thellë… megjithëse ka më thellë… sepse ruaj klasin tim dhe jo tëndin.

Ishe i zjarrtë pas Fatos Nanos, gjatë “betejës së katharsisit” në PS, por pastaj, Fatosi, nuk u soll një natë xhentil me ty… dhe unë qëllova prezent, por nuk rrëfej më shumë se kaq, as edhe për këtë… dhe më duhet të them, për ndershmërinë që kam me të tepërt, më shumë se sa ty, se atë natë, ti kishe të drejtë…

Dhe të kam takuar atë natë dhe të shpreha solidaritetin tim… por pa dobi, ti je ende i pa rritur dhe i llastuar e me raketake në dorë. Merre si komplimet! Do plakesh me vonesë. Mos u mërzit Busho! Sepse unë jam ai që qesh dhe jo ti, sot! Una  e kisha mik dhe besoja tek Fatos Nano dhe darkoja e pija verë tavolinave me të. Si i barabartë dhe madje si i përkëdhelur. Isha shumë më i ri atëhere, vija nga jashtë dhe nuk e kuptoja se kjo gjë, të xhelozonte dhe të nxinte nga brenda ty dhe ca të tjerë. Skam faj që nuk e kam kuptuar këtë gjë. Unë nuk kam shkruar asnjë fjalim për Nanon, ai e kisht speech writer-in e vet. Dhe një nga këta ka qenë rast pas rasti thuhet edhe Edi Rama, që përparoi në karierë falë edhe kësaj dhuntie e gatishmërie.

Do një kuriozitet? Sprovën e parë letrare të Ramës, që ishte vetëm piktor, e kam korigjuar unë, në vitin e largët 1984.

 E pra, mbasi unë drejtoja emisionet e mia maratonë në Televizionin Arbëria, ti, u përpoqe të bësh një “Emision” në TV Klan, të ndihmoi Sandri i shkretë, sa më ska.

Të dha studio, të dha gazetarë, të dha emër, të dha para. Por ti “nuk e katranose dot o Busho!”, do thoshte Çani. Por ti, sedërliu i sotshëm, të kam dëgjuar vetë se herë i ke “gëlltitur” me ca nënqeshje të pakuptueshme, ca të shara të tmerrshme, nga ato të Sandrit! Ti e di si i gëlltisje! Vajte edhe të Vizion Plus, të dha Tan Dulaku, zotni burrë e djalë bujar, edhe ai, studio e gazetarë, para dhe mundësira. Nuk katranose gjë edhe aty, megjithëse u përpoqe dhe ca dokumentarë i ke pasur të mira. Nuk ta ha dot hakun. Por kur mërzitesh, atëhere të fillojnë problemet. U mërzite te “Laguna Blu” me Sandër Frangajn që po ndërtonte dhe çfarë nuk the për atë “bamirës” tëndin.

E akuzove edhe për gjëra të tmerrshme, në mënyrë të pafalshme.

Por Sandri të fali. Si e kam falur edhe unë Kaçin M., për sëmundjen e vet paranojake, të shkretin. Si edhe ty sot.  Tani edhe dy tre gjëra të fundit, për kësaj rradhe…

E para, marrëdhënia ime me Metën nuk ka qenë dhe nuk është e fshehtë. Derisa kam kandiduar si deputet i pamvarur 7 vjet më parë.

Nëse ky është krim, e paskam bërë një të tillë. Më mirë unë se sa ndonjë vrasës apo ndonjë diller droge, apo jo?  Por për ata, ta thashë edhe herën tjetër, Lapsi yt, thyhet nga frika dhe ti shkon prapa ferrës, kur ata të shfaqen përpara. Dhe mirë bën, nuk të vë faj.

Dhe ti kuptohesh kur shkruan, në lidhje me Ilir Metën, që ke ca ngjyra raciste dhe lokaliste të pakuptueshme. Apo mbase sepse Iliri nuk është me preardhje nga zarat e bllokut, që pamvarsisht viteve, ti i numëron, si të klasit të dytë?

 Mirë apo keq, Meta, është ai që është, apo si i thonë anglezët “self made”, dhe është aty ku është, pamvarsisht se nuk është lëpirë kangjellave të bllokut.

A është argument ky, që ta paragjykosh, ti o Busho që qesh? Edhe hienat qeshin! Qeshin përpara kafshimit. Më mirë rri serioz, dëgjo mua buçko, mos e tund raketaken! Se me këtë llogjikë, je ti që më ke borxh mua. Dhe unë i zgjidh nevojat ekonomike, po të të kërkoj nja 40 vite qira të papaguara vile në mes të bllokut, për shtëpitë e gjyshit tim, që ja morrën hajdutshe dhe dhunshëm, që të rriteshe mirë e bukur ti, e të luaje në bahçen time kukamçefti, apo jo?

 Në lidhje me marrëdhëniet e mia me Ramën, në planin personal, janë paradoksalisht, shumë të mira, por kapjen e drejtësisë në vendin tim, do të mundohem të mos e lejoj.

As edhe diktaturën e ndritur te kryeministrit tënd të dashur, që sot e ke gëzuar pa masë.

Më thanë, e sigurt fare, që  ja hodhën menjëherë në tuit, pështymën tënde, ndaj meje.

Dhe kish thënë, thuhet, ay, kryeministri: “Të marrsha të keqen, Bushat!”

Dhe dikush, që ti e di, dhe unë e di, dhe ti e di që unë e di, por klasi që kam, me të tepërt në diferencë me ty, nuk më lejon ta shkruaj, i ka çuar sms, përgëzonjëse dhe lëvduese, për ty….

E të tjera e të tjera…

Më more shumë kohë sot.

Të pres i gatshëm, me shumë asortimente të tjera, nëse del prapë nga ferra, ose gjuan si rëndom, pas saj.

Dhe mos u mërzit o xhan!

Me dashuri të parrëfyer, Zheji. 360grade.al

LEXONI TE GJITHA REPLIKAT BUSHATI-ZHEJI

Bushati: Pse vazhdoj të qesh me Zhejin

Zheji: Pse është nervoz Andi Bushati?

Lapsi.al: A është Artur Zheji pjesë e një celule antiamerikane?

Zheji: Zoti Lu, pse duhet tja japim të gjitha pushtetet Kryeministrit?

SHKARKO APP