ISIS do të jetë “Bashkimi Sovjetik i xhihadit”

 

Ka gabuar edhe Obama, ashtu si të tjerët, kur ka injoruar mësimet e historisë. Edhe ai ka nënvlerësuar një ushtri revolucionare, për shkak se është e vogël, e improvizuar, e udhëhequr nga njerëz pa tradita ushtarake.

Dhe kështu, ushtria modeste e ISIS-it ka vënë përfund atë irakene dhe atë siriane, me një teknikë ushtarake të re, me fuoristrada të shpejta, me kamionë kamikazë të mbushur me 10 tonë eksploziv, në gjendje të shkatërrojnë një fortesë, duke terrorizuar armiqtë dhe prerë kokat e të gjithë të burgosurve.

Obama dhe gjeneralët e tij nuk kanë mësuar nga historia që lëvizjet revolucionare përmbysin skemat, sjellin risi, shpikin? Në luftërat boheme të viteve ‘400, Zosca mposhti katolikët duke vendosur topat mbi karro të shpejta. Në vitet gjashtëqind, Oliver Kromuelli mposhti ushtrinë mbretërore me Ushtrinë e Modelit të Ri. Në vitin 1796, ushtria e improvizuar e kolonëve amerikanë mposhti ushtrinë angleze, pasi kish vënë në përdorim luftën guerilase.

Pak vjet më vonë, Revolucioni francez fitoi, duke krijuar atë ushtri kombëtare që edhe sot e kësaj dite marshon nën tingujt e Marsejezës. Duke ardhur në kohët më të fundit, amerikanët u mundën nga Vietkongët, që kishin mbështetjen e fshatarëve.

Sadam Huseini u përpoq të pushtojë Iranin gjatë revolucionit të Khomeinit, dhe u spraps nga një ushtri e fanatizuar, e cila dërgonte përpara fëmijët për të çminuar terrenin.

Obama dhe gjeneralët e tij nuk kujtojnë as që Goeringu donte ta fitonte luftën kundër Anglisë, duke përdorur vetëm aviacionin, dhe dështoi? Në Amerikë, nuk e studiojnë historinë? Ndoshta duhet ta bëjnë, për të kuptuar që avionët dhe raketat që dërgohen tek ushtarët e frikësuar irakenë, nuk do ta pengojnë Kalifin që të krijojë një Shtet Islamik të ri e të fuqishëm, i cili përfshin veriun e Irakut dhe të gjithë Sirinë. Një shtet i pasur me naftë, që do të njihet nga shtetet e tjerë. Dhe që do të shndërrohet në fuqinë udhëheqëse, motorrin, shembullin, modelin e revolucionit botëror xhihadist, të formuar nga miliona meshkuj të rinj në moshë, të etur për gjak që po mobilizohen në të gjithë Azinë Qendrore, dhe që në Afrika po afrohen, përmes vendeve që lagen nga Mesdheu, drejt jugut të Europës.

Një shtet prijës, ashtu si ishte, përgjatë gjithë Nëntëqindës, Bashkimi Sovjetik për lëvizjen komuniste ndërkombëtare. / Il Giornale – Bota.al

SHKARKO APP