ISIS me plis

 

Kërcënuan talibanët. Si na u duk? Si një shpullë idiotësh oqeanit me shpresën se do ta krijojnë një cunami apo u tërbuam se ISIS flet zyrtarisht edhe shqip. Çfarë zullumi bënë shqiptarët se?

Nga Jon Leka

Nëpërmjet një videoje që dje u botua në të gjitha mediat shqiptare, ISIS, respektivisht copa shqiptare e kalifatit kërcënoi jobesimtarët e Ballkanit, respektivisht shtetet e plisave se do t’i asgjësojë me eksploziv për shkak të zullumit ndaj myslimanëve.

Cilit zullum se?

Çka bëjnë shqiptarët pas këtij kërcënimi? Ua ka hutuar frika edhe molekulat më të fjetura subkutane; janë të tmerruar nga fakti se ISIS flet edhe shqip; janë gërditur nga kërcënuesit sepse edhe kamerën e bënin me miza nga papastërtia? Vërtetë si ndihen qeveritë, shoqëritë civile, mediat pas këtyre vrasjeve mizore nga shqiptarët e tëhuajësuar e të shndërruar në terroristë të tipit më brutal dhe më primitiv që nga Kanibali me të vëllanë Mago e deri sot? Të dështuar? Mos është dashtë qysh herët shqiptarët t’i detyrojnë myezinët e tyre të shndërrohen në rapsodë apo militantë të hipirevolucionit të Woodstock-ut, thjeshtë në emër të ndonjë higjiene psikoakustike të dekretuar nga shteti për t’i ruajtur pinjollët e tyre qysh në fetus nga ndikimi i halakulave saharike? Mos është faji te pakujdesia e shtetit dhe shoqërisë ndaj të devotshmëve që i ka lënë të ushtrojnë trusjekoken mbi qilima ku miliona milingona nuk kanë as shenjë komunikacioni udhës për gjetur hundët e lira?

Çka bëjnë rekrutuesit, si ndihen ata? Edhe më interesant do të na bëhej po të kishim mundësi të pakufizuara empatike, telepatike e të futeshim në odën mentale të atyre imamëve që i rekrutuan, të atyre publicistëve që i arsyetojnë e mbrojnë e të shohim se ç’bëjnë, si ndihen? Bërtasin pazë: „Eu allah, elhamdulilah, kuluvallah më në fund bijtë tanë çojnë zërin“, apo edhe atyre u ka hy frika se në mos ndonjë raketë qorre kolateralisht i zë mu atëherë kur bythëpërpjetë e kokëpërtokë janë duke bërë namazin?

Çka duhet të bëjnë shqiptarët pas këtij kërcënimi? Ndoshta ministri i arsimit kërkon, menjëherë pas leximit të kësaj kollumne, që hoxhallarët mos të rrëfejnë më historinë e Ibrahimit që donë t’ia presë kryet Isakut sikur të ishte dhi e shterur por atë të Pelopit, respektivisht atit të tij Tantalit që pret në copa të birin, e zien dhe ua nxjerr për drekë perëndive për t’ua bërë një me zero. Apo ministri bën përjashtim, se gjendje e jashtëzakonshme pra dhe vendos njëherë e përmallë ta vë në funksion trurin dhe ndalon të dyja sagat me arsyetimin se nga sot as shkolla e as mejtepi nuk lejohen më të sakralizojnë krimin, qoftë ai i perëndive, kishave, xhamive apo tempujve të manistëve. Basta. S’ka më përralla me shpata, topa, bajoneta e as me shkopinj magjik që çajnë dete e popuj. Nga sot gjithandej do të mësohen vetëm rrëfimet e Erastëve (të dashuruarit) dhe Eromenëve (të dashurve).

Vërtet me çka e merituan shqiptarët kërcënimin e isisjanëve? Të rekrutuarit për në ISIS kanë mentorët, sponsorët dhe transportuesit e tyre. T’i pyesim ata? Për çfarë zullumi e ka fjalën brigada e tyre delirante para kamerave made in djalli dhe rrjetet sociale made in hebreji dhe me armët në dorë që nuk ka pasë shanse ti ketë në dorë as Abu Bekri, as Hazreti Alija e më hiç A. Muhamedi?

Shumë pyetje, supozime, propozime, sugjerime na dolën. Në fakt këtë kollumnë mund ta zëvendësonim me një letër drejtuar shteteve ta ndryshojnë kursin ndaj feve me arsyetimin se dështoi toleranca ndërfetare shqiptare dhe se duhen ligje cezariane dhe me një të fala talibanëve: fys!

SHKARKO APP