ISIS po e përdor edhe ujin si një armë lufte
Nga Walaa Hussein*
Lindja e Mesme po përballet me krizën e ujit. Ndërsa rajoni po përjeton konflikte mbi ujin dhe përballet me rrezikun e vazhdueshëm të përshkallëzimit të luftimeve, ekspertë të ujit parashikojnë se Shteti Islamik, synon ta përkeqësojë këtë krizë, siç dëshmohet edhe nga përpjekjet e tij për të vënë nën kontroll lumenjtë dhe digat në Siri dhe Irak, duke filluar nga viti 2013.
Lidhja Arabe ka punuar që nga viti 2008, për të krijuar një konventë të re arabe, mbi përdorimin e ujit, e cila do të krijojë parametrat sesi të trajtohet kjo krizë. Megjithatë, drafti përfundimtar është ende në shqyrtim, për shkak të rezervave të disa shteteve anëtare.
“Price Waterhouse Coopers”, një organizatë konsulente ndërkombëtare, ka identifikuar rajone të shumta, ku kriza e ujit, kërcënon të shndërrohet në një konflikt global. Turqia, Siria dhe Iraku janë të përfshira në këtë listë, për shkak të digave turke, që kontrollojnë rrjedhën e lumenjve Tigër dhe Eufrat.
Irani dhe Iraku, janë gjithashtu dëshmitarë të një gare të egër, mbi rrjedhën e përbashkët të këtyre lumenjve, të njohur si Shatt al-Arab. Kjo betejë gjithashtu përfshin Egjiptin, Sudanin dhe Etiopinë, të cilat janë dëshmitare të një tjetër konflikti mbi lumin Nil. Egjipti, Sudani, Libia, Çadi dhe Nigeri, po përjetojnë gjithashtu një krizë në lidhje me një ujëmbledhës 800 metra nëntokë, nën gurët ranorë të Nubias.
Libia dëshiron të investojë në këtë zona, duke ndërtuar një lumë artificial dhe furnizuar bregdetin e saj me ujëra të ëmbla. Mahmud Abu Zeid, president i Këshillit Arab të Ujërave, tha për Al-Monitor se rajoni po përballet me një krizë, për shkak të mungesës së shiut dhe të burimeve ujore në dispozicion.
Rajoni arab, llogaritet të ketë më pak se 7 përqind të rezervave ujore të botës, sipas Abu Zeid, dhe më pak se 1 përqind të ujit të rrjedhshëm, ndërsa shiu nuk e kalon 2 përqindëshin e mesatares botërore. “Uji arab po përballet me një rrezik të madh, i cili paralajmëron për përkeqësimin e konfliktit mbi të, duke qenë se burimet e ujërave të ëmbla janë tejet të kufizuara. Megjithatë, ekziston një hendek edhe mbi ushqimin, që rritet me rritjen e popullsisë, dhe që kërcënon një krizë deri në vitin 2025, në mungesë të përpjekjeve të përbashkëta”- shton Abu Zeid.
Ai paralajmëron ndërkaq se ISIS-i, po e përdor uji si një armë. “Zgjerimi i Shtetit Islamik, është përqendruar në rajonet e burimeve të ujit në Siri dhe Irak, dhe është shumë e qartë se ISIS-i po tenton të marrë nën kontroll pjesë të burimeve ujore arabe. Duke pasur parasysh se uji përfaqëson jetën, mbajtja peng e burimeve të tilla në vendet arabe do të jetë shumë serioze dhe do të përbënte një mjet çnjerëzor presioni”.
Luftëtarët e ISIS-it, kontrollojnë shumicën e zonave të epërme të lumenjve Tigër dhe Eufrat, të cilat rrjedhin nga Turqia në veri, drejt Gjirit Persik në jug. I gjithë Iraku, dhe një pjesë e madhe e Sirisë mbështetet tek këto lumenj për ushqim, ujë dhe industrinë. Abu Zeid, parashikon se përpjekjet për të kontrolluar burimet arabe të ujit, do të çojnë në një krizë më të madhe, që do të linte në hije konfliktin e vazhdueshëm mbi naftën, pasi uji është një çështje e jetës ose vdekjes.
Abu Zeid shprehet se Këshilli Arab i Ujit, është duke përgatitur një raport, mbi situatën e kritike të furnizimit me ujë në zonat e kontrolluara nga ISIS-i. Ekspertët e këshillit, kanë monitoruar një sërë lëvizjesh serioze, që kanë për qëllim marrjen nën kontroll të burimeve arabe të ujit, si një mjet për të ushtruar presion, sikurse është pushtimi i një dige në Irak dhe kontrolli i burimeve ujore në Siri.
“Ne do të punojmë, për ngritjen e këtij problemi në nivel ndërkombëtar, sepse kjo është shenjë e një katastrofe humanitare, duke pasur parasysh numrin e vendeve ku ISIS-i është stacionuar”- tha ai. Një raporti i shtatorit 2014, nga Qendra për Studime mbi Lindjen e Mesme në Bejrut, e konsideron kontrollin e lumenjve dhe digave, një armë më të rëndësishme sesa nafta.
“Përpjekja e ISIS-it, për të kontrolluar burimet e ujit, është në përputhje me njoftimin e grupit për të zgjeruar të ashtuquajturin Kalifatin e tij nga Levanti në Egjipt, Etiopi dhe Magreb, sipas hartës së Kalifatit, të publikuar në korrik 2014 në mediat sociale”- citon raporti.
Ky Kalifat do të shtrihet në burimet e Nilit. Besnikëria e Boko Haramit në mars të këtij viti, ndaj kreut të ISIS-it Emir Ebu Bekr El-Bagdadit, kishte ndodhta si synim mbështetjen për të vënë nën kontroll ato burime.
I pyetur mbi strategjinë e Këshillit Arab të Ujit, për t’u përballur me krizën e ujit, Abu Zeid tha:”Ne jemi duke punuar për maksimizimin e burimeve ujore në rajonin arab, veçanërisht qëkur konflikti mbi ujin ka përfshirë konfliktet ndër-arabe, për shkak të pranisë së lumenjve të përbashkët në mesin e një numri të madh vendesh arabe, si dhe konfliktet arabe me vendet e tjera, veçanërisht qëkur sasia e ujit që vjen nga jashtë rajonit arab, përbën më shumë se 60 përqind të ujit të përdorur në vendet arabe. Ky është kërcënimi që na nxiti të përdorim ujë jo-tradicional, sidomos trajtimin e ujit që përdoret në bujqësi dhe ujërat e zeza. Ne po punojmë, duke shfrytëzuar drejtpërdrejti ujin e njelmët, i cili gjendet me bollëk në ujëmbledhësit nëntokësorë arabe, në bujqësi. Ndërkaq po përpiqemi ta përzierjmë këtë ujë jo të freskët me ujë të pastër. Ne kohët e fundit, publikuam një manual që përshkruan përdorimin e atij uji. Shtuar këtu edhe teknikat e shkripëzimit të detit, që janë miratuar nga disa vende arabe si Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, të cilat përballen me mungesën e ujit”-deklaron Abu Zeid.
Lufta e ujit është një fantazmë, që kërcënon Lindjen e Mesme. Ndërsa është popullata e varfër e këtij rajoni, ajo që e ka paguar çmimin e konfliktit të naftës, luftërat e ujit nuk do të kursejnë askënd.
*Al-Monitor-bota.al