Ismail Qemalit dhe vëllai Erdogan

 

Ilir Levonja

Kishat na i bëri Greqia. Dhe për këtë i jemi mirënjohës Janullatosit. Xhamitë po na i bën Turqia. Dhe për këtë i jemi mirënjohës Erdoganit. Parlamentin po na i ribën Turqia. Dhe për këtë prapë i jemi mirënjohës Erdoganit. Shtëpitë në Gjirokastër po na i meremeton po Turqia. Dhe prapë ne i jemi mirënjohës Erdoganit.

Lind pyetja, po ne, çfarë do bëjmë vet?

1)Në hollet shqiptare të pritjes shtetare, në rrugë, në qoshe . Përmes fotoshopëve në webe të ndryshëm, Rexhep Taip Erdogan, parakalonte përpara relievit të Ismail Qemalit. Por edhe nën tabela rruge po me emrin e plakut të Vlorës. Njeriut që shpalli pavarsinë e Shqipërisë nga Turqia. Nga ecja aq me elegancë dukej sikur sulltani i ri i thoshte shqiptarit rebel se, prapë ke çengeli im ngelët.

Cili është ky sulltan që hodhi para me bollëk për vëllezërit shqiptarë?

Prej kohësh ka shpallur një armik opozitar, me emrin Fetullah Gylen. Madje nën emrin e këtij armiku, që e cilëson si mentor të terrorit, justifikon luftën politike pa kompromis me kundërshtarët e tij politikë. Mbron abuzimet me pushtetin, tenderimet publike, duke i dhënë vetes absolutizmin politik. Kulmin e arriti në dhjetorin e 2013 me arrestimet e pafundme nga fëmijët e ministrave dhe zëvedësministrave, tek prokurorë e gjykatës, shefa policie e gjithfarësoj race që përbente sipas tij një kërcënim për paqjen në Turqi.

Protestave të popullit u është përgjigjur gjithmonë me dhunën e uniformave.

Ndërtoi një pallat presidencial me vlerën 370 milion euro. I filloi punimet kur ishte Kryeministër i Turqisë. Dhe e inaguroi ditën që u bë President i saj.

Eshtë cilësuar një lloj binjaku i Putinit. Pasi e kopjon edhe në formën qeverisëse. Në ndërrimin e pushtetit. Mes miqve e shokëve të sërës së tij. Erdogan, Gyl, dhe së fundmi Davotogluja. Një lloj Lavrovi i Kremlinit.

Dikur na këshilloi të rishikonim tekstet e shkollës në lidhje me periudhën e pushtimit osman. Dje na kërkoi të dënonim terroristët gylenistë. Kështu mos u habisni që pas kësaj, ndonjë nga kolegjet turke, aty në vendin tonë, të mbyllen për sabotazh, a spiunazh kundër shtetit shqiptar dhe atij vëlla turk.

2)Fetullah Gyleni…, dijetari 74 vjeçar që sot jeton në shtetin e Pensilvanisë të Shteteve të bashkuara, para disa muajve dha një interviste. Foli për herë të parë për raportin e tij me vendin e lindjes. Për arsyet e moskthimit aty. Midis të tjerave theksoi se edhe këtu, ku po jeton, shkon të flej me mendimin se mund të mos zgjohet nesër.

Po cili është ky njeri që vërtet shtë kërcënimi real i pushtetit të Erdoganit? Babai i terrorizmit apo babai i asaj lëvizje të moderuar që mban emrin e tij. Dhe që përqafohet pa teserë partie nga shtresat më të përparuara të shoqërisë.

Janë një sërë burrash të po kësaj Turqie që i heqin atij kapelen. Nga Sulejman Demirel, Turgut Ozal, Bulent Exhevit, Mesut Yelmaz etj. Madje edhe stoikja femër, Tansu Çiller.

Eshtë i pari imam, ligjërues i tolerancës fetare për dialog midis feve në botën e gjerë.

Për këtë takohet me Patriarkun e Stambollit, Bartholomeu.

Takohet me Papën Gjon Pali i II në Vatikan.

Pret një përfaqësi të gjerë të hebrejve në Amerikë.

Ideator dhe prezent në Pajtimin Kombëtar . Darke e madhe e Turqisë në dimrin e vitit 1997.

Mikëpritës i përfaqësueve të Bashkimit Botëror të Kishave.

Njeriu që i është rezervuar reportazhi më i madh televiziv për së gjalli në Turqi me mendimin dhe veprën e tij.

Eshtë një ithtar i islamit të moderuar edhe në çështje zakonore si shamia e kokës. Ai nuk ka qënë dhe nuk është për atë.

Ai sot është një manjat i kolegjeve nëpër botë, mbi edukimin dhe fenë. Edhe këtu në Amerikë firma e kolegjeve të tia është e fortë. Në Gjermani po ashtu. Në Afrikë njihet si një baba i përparimit.

E sa të tjera.

A mund të jetë terrorist një njeri i tillë.

3)Shqipëria është bërë shumë pragmatiste. Madje edhe opinionet ishin të natyrës që, çfarë na duhet ne lufta politike e Erdoganit. Na duhen paratë e tia. Megjithëse në historinë tonë, pragmatistët i kemi shfarosur, i kemi shpallur tradhtarë të kombit. I kemi quajtur kuislingë e të tjera. Kurse sot, pragmatizmi nuk është tradhëti. Mjafton që një sulltan, një baron droge, a një alien të derdhi para aty. Të tjerat nuk na interesojnë.

Po a niset vallë mbarë kështu, shtëpia e besimtarëve. Në fund të fundit, a kemi klerikë? A kemi qeveri? A punojmë? A prodhojmë? Sepse çdo tre mujor jepen shifra të kënaqshme bilancesh.

Arritjesh. Sidomos nga doganat.

A ka baltë Shqipëria? A ka çimento? A ka hekur për të bërë kupola?

Ku janë vulnnetarët që ndërtuan hekurudha, që hapën tunele, që ngritën hidrocentrale etj? Ku janë këta njerëz që të vrasin po tu kritikosh Ramën.? Apo kryetarin e Parlamentit që e priti i dobësuar një dorë e gjithë qeshje Erdoganin.?

Ky është sukses qeveritar, mbledhje ndihmash.? A nuk quhesh më i shitur tek tjetri.? I mvarur.? Apo i kapur nga fyti?

A e di Erdogani se ne quajtëm Rilindje periudhën e përpjekjeve për tu shkëputur nga Turqia.? Apo e parë në syrin e tij, Rilindja tashmë i përket Turqisë Erdoganiste?

4)Para një muaji shkrova një reportazh për shtëpinë e ish Kryeministrit tonë, Noli. E gjeta atë shtëpi diku në qëndër të Fort Lauderdalel-it. Këtu në shtetin e Floridës. E nisa në shume editore në Shqipëri, me ndjesinë e sensibilizimit për një vëmendje të qeverisë ndaj kësaj banese ku prehet historia jonë. Mirëpo asnjë nga këto editoriale nuk denjoi ta botonte. Ia nisa edhe Kryeministrisë. As nga këtej nuk mora ndonjë shenjë. Më kujtohet para dy vjetëve, kur i kujtoja Presidentes së Kosovës diçka mbi rolin e njeriut të parë. Të paktën e mora një sinjal. Kjo, jo për vlerën e njërit apo tjetrit, por për atë vlerën e komunikimit. Heshtja është më e keqe se kundërshtimi.

Gjtihsesi, vetëm një njeri biznesi dhe një gazetar që jeton në Amerikë, kërkuan të dhëna më të detajuara. Shkrimin e botuan të gjithë webet jashtë Shqipërisë. Por asnjë brenda saj.

Sot mora përgjigjen e duhur. për mosbotimin. Edhe nga opinionistët. Edhe nga qeveritarët shqiptarë. Ata duan sugjerime kur u jep para. Jo të japin para.

Kështu më duhet t'i them Imzot Nolit, që të mos mërzitet pse ia kanë shitur kishën. Pse e kanë braktisur. Jemi në kulmin e lypjes. Njohim dhe respektojmë vetëm atë që na jep.

SHKARKO APP