Itali: Referendumi kërcënim për euron?

Tregjet financiare janë nervoze para referendumit në Itali, sepse në rrezik është edhe eurozona.

Pas votës së Britanikëve për Brexit-in dhe fitores se Trumpit në SHBA, referendumi i 4 dhjetorit në Itali po prezantohet si ngjarje vendimtare. Nëse italianët do të votojnë me Po, atëhere vendi mund të reformohet me themel, beson kryeministri Matteo Renzi, nëse votojnë me Jo, ky mund të jetë fillimi i fundit të eurozonës.

Shumica e anketimeve flasin për një Jo, pra për refuzimin e reformës kushtetuese, e cila do ta pakësonte pushtetin dhe madhësinë e Senatit, dhomës së dytë të parlamentit. Bashkë me ndryshimin e ligjit zgjedhor të miratuar këtë verë, kjo do të lehtësojë punën e qeverisë, sepse partia që do të fitojë në të ardhmen 40% të votave, do të ketë në parlament shumicën absolute. Në këtë mënyrë ajo mund të realizojë reformat urgjentisht të domosdoshme.

Dobësia e reformave

Politika italiane ka vuajtur gjithmonë prej dobësisë, dhe në 70 vitet e fundit ka pasur 63 qeveri. Christian Dunstmann, profesor për ekonominë në University College në Londër, thotë për DW-në se “qeveritë italiane kanë dështuar pikërisht, kur janë përpjekur të ndërmarrin reforma.”

Italien Fiat Autos in Rom (Reuters/A. Bianchi)

Tregjet financiare janë nervoze tani para referendumit. Përqindjet e interesit për bonot e thesarit italian të shtetit janë dyfishuar me më tepër se 2% – një tregues që investitorët llogarisin se do të shtohet pasiguria. Sipas tyre një Jo në referendum do të thotë fitore e populistëve dhe kundërshtarëve të euros.

Papunësi e lartë

Renzi erdhi në pushtet para tre vitesh si reformator. Dunstmann-i thotë se ai ka bërë disa gjëra në drejtimin e duhur, si p.sh. reformimin e ligjit të punës, e cila ua bën më të lehtë sipërmarrjeve pushimin e personelit. Po ashtu ai ka arritur edhe lehtësime fiskale për sipërmarrjet e mesme dhe të vogla.

Reforma kushtetuese është nëna e të gjitha reformave, thotë Jërg Buck, drejtor ekzekutiv i Dhomës së Tregtisë Gjermano-Italiane në Milano, i cili thotë se qeveria i ka bërë detyrat e saj të shtëpisë. Por gjendja e vështirë ekonomike e dobëson pozitën e Renzit. Po ashtu rreth 12% e italianëve janë të papunë, kurse në radhët e të rinjve papunësia është rreth 40%.

Ekonomia është sot më e dobët se para dhjetë vjetësh, dhe borxhi i shtetit është mbi 130% e PBB-së. Italia renditet kështu direkt pas Greqisë.

Italien Italienische Euro-Geldmünze (picture-alliance/dpa/J. Büttner)

Problemi qëndron tek euroja

“Rreziku më i madh për Italinë nuk është referendumi, por stanjacioni ekonomik”, mendojnë analistët. “Problemi është se me anëtarët e sotëm të eurozonës, euroja nuk funksionon dhe është po ashtu tejet josociale.” – thotë Charles Dumas nga LSR. Gjermanët kanë nevojë për një politikë krejt të ndryshme monetare nga italianët dhe kjo u jep populistëve një bazë solide.

Pas referendumit në Itali ata kanë disa mundësi të tjera për të tronditur Evropën. Zgjedhjet në mars 2017 në Holandë, në prill ato në Francë dhe në vjeshtë në Gjermani. Në këto vende ka parti të forta populiste të djathta që e refuzojnë euron dhe BE-në. Në Itali zgjedhjet e rregullta zhvillohen në pranverën e vitit 2018, kuptohet në rast se Renzi vazhdon ta mbajë pushtetin.

SHKARKO APP