Italia në alarm

Në një video të publikuar më 15 shkurt, pas vrasjes së 21 egjiptianëve kristianë të Libisë, një militant i maskuar i Shtetit Islamik drejtoi gishtin nga bregdeti Italian dhe kërcënoi: “Dashtë Zoti, ne do të pushtojmë Romën”.

Kërcënimet rrënqethëse të ISIS ndaj Perëndimit nuk përbëjnë më lajm. Megjithatë, një dokumentet i autoriteteve italiane të sigurisë, i lexuar nga BIRN tregon se Roma ka shqetësim në rritje për rrezikun terrorist me origjinë nga Ballkani, po aq sa për Afrikën Veriore dhe Lindjen e Mesme.

Sipas dokumentit të lexuar nga BIRN, Ministria e Brendshme e Italisë ka identifikuar pesë celula radikale nga Ballkani, të cilat veprojnë në Itali e dyshohet se rekrutonin luftëtarë xhihadistë për Shtetin Islamik.

Këto celula ndodhen në Milano, Romë, Linguria, Lucca dhe Siena, të infiltruara brenda komuniteteve të emigrantëve myslimanë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia dhe Bosnja.

Deri më tani, tetë nga 59 njerëzit e identifikuar nga autoritetet italiane si luftëtarë përkrah grupeve militante në Siri dhe Irak janë nga Ballkani. Katër prej tyre kanë humbur jetën në konfliktin sirian.

Për shkak edhe të pozicionit gjeografik, autoritetet italiane janë të shqetësuara se fijet lidhëse mes predikuesve radikalë të ardhur nga Ballkani dhe komuniteteve myslimane lokale mund ta kthejnë vendin në një strehë për aktivitetin e Islamit radikal.

Që prej fillimit të luftës në Siri, qindra myslimanë të Ballkanit kanë përqafuar organizatat luftarake si Al-Nusra dhe ISIS.

Qendra Ndërkombëtare për Studimin e Radikalizimit, ICSR, një think-tank i King’s College në Londër beson se numri i luftëtarëve nga Ballkani, të cilët u janë bashkuar grupeve xhihadiste në Siri arrin në 632 vetë.

Javën e kaluar, dy imamë dhe shtatë ndjekësit e tyre u dërguan në gjyq në Shqipëri, një vit pas arrestimit të tyre, të akuzuar për rekrutimin e dhjetra luftëtarëve për ISIS dhe frontin Al-Nusra.

Hetimi tregon se imamët Bujar Hysa dhe Adburrahim Balla mundësuan rekrutimin e më shumë se 70 luftëtarëve shqiptarë përgjatë viteve 2002-2014, përmes xhamive të tyre në periferi të Tiranës.

ë prej fillimit të konfliktit, 10 shqiptarë janë vrarë gjatë luftimeve në Siri, ndërkohë që 30 të tjerët e kthyer në shtëpi mbahen nën vëzhgim të vazhdueshëm nga agjencitë e zbatimit të ligjit.

Ndërkohë, në shtator 2014, autoritetet e Bosnje Herzegovinës arrestuan imamin radikal Bilal Bosnic, gjatë një operacioni të koduar me emrin “Damask”.

BIRN ka mësuar se në këtë operacion morën pjesë edhe agjentë të antiterrorist Italian të qyteteve të Bergamos dhe Cremonës, ku ka një përqendrim të gjerë të emigrantëve me origjinë nga Ballkani.

Bosnic mbajti predikime “ngjitëse” në një tur në Itali në vitin 2011. Në një intervistë të dhënë për gazetën e përditshme Corriere Della Sera, në gusht 2014, Bosnic deklaroi se rekrutuesit e xhihadistëve ia kishin vënë syrin Italisë.

“Italia është një vend shumë i rëndësishëm për ne që besojmë se një ditë, e gjithë bota do të kthehet në një Shtet Islamik,” tha ai. “Vatikani vetë do të bëhet mysliman,” shtoi Bosnic.

Bosnic nuk është i vetmi imam radikal nga Ballkani që ka predikuar për emigrantët myslimanë në Itali. Tjetri është Shefqet Krasniqi, imami i Xhamisë së Madhe në Prishtinë.

Autoritetet kosovare e arrestuan Krasniqin shtatorin e shkuar me dyshimin e “thirrjeve për nxitje të urrejtjes fetare, racore apo intolerancës”.

Përpara arrestimit të tij, Krasniqi zhvilloi një takim me besimtarët e xhamisë El Hilal në qytetin Italian të Grosetos në afërsi të Toskanës në Itali. Predikimi është zhvilluar në dhjetor 2013 dhe një video e ceremonisë në xhami mund të gjendet në Youtube.

Përveç lidhjeve me imamët radikalë nga Ballkani, autoritetet italiane janë duke vëzhguar edhe emigrantët myslimanë nga vende të Ballkanit, të cilët ushqejnë internetin me propagandë islamike.

Italia ka rikthyer në lojë një dekret të vitit 2005, përmes së cilit Ministria e Brendshme mund të dëbojë këdo që përbën kërcënim për vendin. Që prej fundit të vitit 2014, ky dekret po shërben për të dëbuar emigrantët që postojnë simbolet e ISIS në faqet e tyre në internet.

Mes të deportuarve është edhe 22-vjeçari kosovar, Resim Kastrati, i cili akuzohet se po përgatitej për t’iu bashkuar ISIS në Siri. Ai u deportua nga Italia më 19 janar 2015.

Të shqetësuar nga lidhjet mes myslimanëve që jetojnë në Itali dhe rrjeteve xhihadiste të Ballkanit, autoritetet italiane po forcojnë bashkëpunimin me kolegët e tyre në rajon.

Shqipëria, Kosova, Maqedonia dhe Bosnja nuk janë anëtarë të Europolit, ndaj edhe Italia u ka dhënë një hov të ri marrëdhënieve bilaterale me këto vende.

Pas sulmeve terroriste të 7 Janarit në Francë kundër stafit të revistës satirike Charlie Hebdo dhe një supermarket hebre, ministri i Brendshëm Italian, Angelino Alfano dhe homologu shqiptar, Saimir Tahiri vendosën ngritjen e një task-force të përbashkët për shkëmbim të shpejtë të informacionit mbi elementët e islamit radikal.

BIRN ka mësuar se Italia synon të bëjë të njëjtën gjë edhe me vende të tjera në rajon.

“Ballkani, kjo pjesë e botës mund të konsiderohet strehë për terroristët, ku luftëtarët e huaj mund të trajnohen,” tha Alfano gjatë vizitës së 14 janarit në Tiranë. “Për Europën, kjo zonë ka rëndësi strategjike,” shtoi ai.

BIRN

SHKARKO APP