Izet Haxhia: Hetoni krimet e Sali Berishës, jam gati të kthehem në Shqipëri dhe të dëshmoj!
Nga Alqi Koçiko.
Pas ndryshimeve kushtetuese të 22 korrikut 2016 (duke gdhirë 23-shi), i pari në listën e 7 ligjeve të rëndësishme që premtojnë të jetësojnë në terren reformën e drejtësisë, ishte ligji i vetingut. Që do të thotë, mënyra sesi do përzgjidhen dhe filtrohen gjyqtarët dhe prokurorët e posaçëm, plus stafi i Byrosë Kombëtare të Hetimit.
Në listë pritjeje është drafti i ligjit për SPAK, ku parashikohen organe që kanë krijuar njëfarë pritshmërie se pas përfundimit të strukturimit, do nisin hetimin e “dosjeve të mëdha”.
Kjo mbetet për t’u parë, por nëse do kishte një dëshmitar që duhej pyetur nën betim për një pjesë të madhe të ngjarjeve tragjike që kanë bashkëshoqëruar shoqërinë shqiptare në 26 vitet e fundit, padyshim që ai do ishte Izet Haxhia. Nuk është sekret se që prej fillimit të rrëfimeve të tij në DITA mbi një seri ngjarjesh të përgjakshme, deliktesh e personazhesh që kanë shenjuar dekadën e parë të Shqipërisë pluraliste e ku strumbullar është tashmë deputeti Sali Berisha, komentuesit dhe lexuesi i thjeshtë e fton atë të dëshmojë para drejtësisë.
Më saktë, ftesa është “dykalimshme”: Pra, duhet që drejtësia ta marrë nën betim dëshminë e Haxhisë. Deri tani, askush nuk kishte shpresë se drejtësia shqiptare do të bënte një hap të tillë. Tani e mbrapa, gjithçka është pezull, në pritje. Sepse “drejtësia tjetër” është në lindje e sipër dhe njerëzit kanë të drejtë të ruajnë një dozë goxha të majme skepticizmi. DITA kontaktoi me Izet Haxhinë, pikërisht për këtë temë.
-Izet, këto vite ke denoncuar publikisht përmes DITA-s, shumë krime e ngjarje të errëta. Ke shprehur ndërkaq mosbesimin tënd të thellë për drejtësinë shqiptare…
Unë nuk i jam shmangur asnjëherë drejtësisë, as për çështjen Hajdari për të cilën jam dënuar në mungesë, por rrethanat dhe mënyra e shpejtë dhe komandimi e dirigjimi i atij gjyqi nga selia blu dhe në marrëveshje me SHIK-un e kohës, më bënë të tërhiqem nga kthimi im në Shqipëri.
-Pse, në rrethana të tjera do ishe kthyer; ç’të ka penguar?
Po ti edhe sot shikon se ka nga Ata, që tani rrëfimeve të mia u vënë nga njëmijë bishta, “jo ka qenë roje, jo po ai është kriminel e vrasës e nuk mund të besohet”, apo ato që unë jam i sponsorizuar nga gazeta Dita, madje dhe nga Rama, apo punoj për të majtët… Këta nuk do të ma kishin dhënë “shansin” të rrëfehesha para gjykatës, por atë të “rrëfimit” para Zebanit kur do të kalonim urën e Siratit për të përfunduar në xhehenem apo parajsë… Me një fjalë, do më çonin në botën tjetër.
-Nuk e di sa e ke ndjekur debatin dhe lajmet për reformën e drejtësisë dhe institucionet e reja. Besoj se shumica e shqiptarëve, të imagjinojnë ty duke dëshmuar…
Sa për institucionet e reja të drejtësisë që do krijohen dhe nuk e di se kur do fillojnë nga funksionimi (dhe që disa media na paskan caktuar edhe axhendën e tyre se kë do pyesin, pra mua), nuk kam ndonjë besim. S’kam ndonjë entuziazëm të madh se do bëjnë ndonjë pastrim të madh në stanin kriminal të politikës 25 vjeçare…
-Pse?
Sepse lista është shumë e gjatë. Në qoftë se duhet të vëmë drejtësi për këtë vend që është në prag të falimentimit, duhet të fillojmë që me ngjarjet kriminale të 2 prillit ‘91, që me ngjarjen e Fushë Arrëzit ku u dogjën me qëllim 42 vetë të pafajshëm vetëm për të mbjellë kaos e pasiguri. Pastaj duhet të vazhdojnë që nga vrasje të ndryshme të bëra nga Grupi Antikrim i krijuar në ‘94 e që deri më tani nuk ka folur askush për të, edhe pse e kam përmendur disa herë ekzistencën e tij; duhet të fillojë nga zhdukja e Remzi Hoxhës e deri tek vrasja e Artur Rustemit në Vlorë. Duhet të fillojë nga vrasja e punonjësve të Shik-ut në Vlorë e të policëve nga Fieri në qafën e Koshovicës, kur po përgatitej sulmi ndaj Jugut. Duhet të fillojë me vrasjet pa gjyq që u bënë fill pas marrjes së pushtetit nga Nano në 6 Shtator ’97 dhe të vazhdojnë me rastin Tropoja: Kjo është dosja më e errët që tregon bashkëpunimin e shtetit me opozitën dhe agjenturat e huaja për të futur në vëllavrasje e vrarë një krahinë të tërë. Duhet të merret me dosjen e bombës tek VEFA si një shembull i terrorit dhe vrasjes shtetërore mbi popullsinë civile. Ka plot raste të tjera, si ai i vrasjeve në Përmet etj,. Po nuk u hapën këto dosje, asnjëherë nuk ka për të pasur drejtësi në vendin tonë.
-Janë shumë…Dikush do thoshte, sikur edhe njërën nga këto të hetojnë, do ishte fillim i mirë.
Në qoftë se kërkojnë me të vërtetë të pastrojnë politikën nga krimi, atëherë duhet filluar me këto. Pa fol për çështjet e pronave që është një faqe tjetër kriminale e drejtësisë në bashkëpunim me politikën. Sepse është krim mbarëkombëtar. Po nuk u bënë këto veprime nga institucionet e reja, atëherë çdo gjë do ngelet e mangët dhe pa vlerë në vendosjen e drejtësisë. Ka ardhur koha që të gjithë që kemi pasur diçka në dorë apo kemi kontribuar për këtë gjendje katastrofike ku ndodhemi, të ballafaqohemi me të vërtetën e drejtësinë sado të hidhura të jenë ato të vërteta apo sado i madh të jetë ndëshkimi i drejtësisë. Pa bërë këtë pastrim radikal, do vazhdojmë të notojmë në ujërat kriminale ashtu si këto 25 vjet.
-The se sekush duhet të bëjë çfarë ka në dorë?
Po. Për veten time unë e kam thënë dhe e përsëris që jam i gatshëm të bashkëpunoj me një drejtësi të pavarur që do vendoset në Shqipëri, për të kontribuar me dëshmitë e të vërtetat e mia në zbardhjen e shumë enigmave e krimeve…
-Po të pyes shkoqur: Projektligji për SPAK (hetimi special i korrupsionit dhe krimit të organizuar) parashikon dhe statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë. Ti a e sheh këtë si një mundësi?
Unë nuk do ta pranoj kurrë një rol apo pozicion të një të penduari të drejtësisë, çfarëdo që do të ishin favoret që mund të japë ky pozicion. Por nga ana tjetër jam i gatshëm të dëshmoj para çdo organi hetimor shqiptar që kërkon zbardhjen e hetimin e çdo ngjarje kriminale që kam dijeni apo kam pjesën time në to, siç është Grushti i Shtetit i 14 Shtatorit.
–Izet, të mos pranosh lehtësirat e statusit që thua, domethënë të kryesh dënimin.
Po, unë e kam marrë dënimin dhe dënimi më i madh për mua është ky, që më ka detyruar të qëndroj larg atdheut, familjes e fëmijëve. Jam i gatshëm që pjesën e jetës që ka ngelur ta kaloj në burg; por ama, vetëm të arrij të kontribuoj për vendosjen e drejtësisë dhe çrrënjosjen e krimit në vendin tim.
-Pra, do dëshmoje?
Do kisha dëshirë që dëshmitë e mia t’i jepja në një sallë gjyqi në Shqipëri, ku përballë të kisha kryekriminelin e shqiptarëve, qoftëlargun Berisha.
-D.m.th nëse krijohet struktura e ti bindesh që drejtësia e ka seriozisht dhe ngrenë akuzën ndaj Berishës, atëherë pranon të vish, të dëshmosh dhe të vuash burgun pa asnjë nga ato që quhen “marrëveshje me drejtësinë”…?
Po mëse e vërtetë. Unë nuk kam bërë as do bëj marrëveshje me askënd. Vetëm me të vërtetën, edhe në qoftë se ato të vërteta më fundosin mua apo këdo tjetër.
-Qartë Izet, ke diçka tjetër?
Po, vetëm aman sqaroji lexuesit që siç e sheh, ke folur me Izet Haxhinë dhe jo me Meron (Baze), se Saliu tenton të përhapë mjegull përmes veglave të tij.
DITA