Ja arritëm!
Nga Blendi Fevziu –
Ja arritëm!
Arritëm atë që e besonin fare pak nga ne, por shumë e shpresonin!
Arritëm atë që në botë thuajse nuk e besonte askush dhe madje na ironizonin!
Arritën atë që breza të tërë futbollistësh dhe tifozësh nuk kishin guxim as ta ëndërronin!
Arritëm atë që ravijëzohej prej javësh në dëshirën e mijëra tifozëve që ndjekin ekipin kombëtar në Francë me një hare festive dhe një besim që po i befason të gjithë!
Arritëm atë që Shqipëria thuajse nuk e kishte arritur kurrë në historinë e saj. Të jemi të barabartë me më të mirët e kontinetit, në një prej evenimeteve më të rëndësishme të sportit botëror e madje shpresojmë të shkojmë më tej në 3 ditët e ardhshme. Ditë deçizive për ne, por që tani nuk varen më nga ne!
Arritëm atë që kishin ëndërruar prindërit emigrantë të futbollistëve shqiptarë të Kosovës. Ata që lanë Kosovën në luftë dhe i rritën fëmijët e tyre në Zvicër duke shpresuar që një ditë do të bëheshin qytetarë model të vendit ku jetojnë dhe po ashtu simbol të vendit prej nga i kishin ikur dhe ku kishin lënë një pjesë të rëndësishme të historisë së tyre!
Arritëm atë që besonin futbollistët emigrantë shqiptarë. Ata që kishin ikur si fëmijë me gomone apo të tjerë që qenë lutur në dyert e ambasadave për një vizë që të konfirmonte në perëndim talentin e tyre. Një talent pa kufij dhe pa kombësi.
Arritëm në rradhë të parë të kemi besim tek vetvetja. Pas 85 vitesh humbje dhe nëpërkëmbje.
Arritëm që në 3 ndeshje të dalim çdo herë nga fusha krenarë.
Ka shumë gjëra që nuk i kemi bërë siç duhet ose i kemi bërë keq. Por sot na mjafton të gëzojmë. Pak rëndësi kanë të tjerat. Pak rëndësi ka që rumunët na kanë mundur 68 vjet rresht. Ne i mundëm në ndeshjen më të rëndësishme që kemi luajtur mes nesh; Pak rëndësi kanë kritizerët që do të gjejnë edhe këtë herë ndonjë difekt; pak rëndësi kanë politikanët që vrapojnë të postojnë statuse për fitoren e ekipit edhe pse nuk e dinë tamam se me çfarë fanele ka luajtur Shqipëria. Ka rëndësi që sot ne ja arritëm! Të gjithë bashkë, falë 23 profesionistëve dhe stafit të ekipit kombëtar. Arritëm atë që e mendonim po nuk guxonim ta ëndërronim. Arritëm të jemi ndryshe nga sa kemi qenë me dekada. Ndaj faleminderit për emocionin e mrekullueshëm. Edhe në mos qoftë një fitore historikë, ishte gjithsesi një natë magjike!
Ju faleminderit nga zemra! Opinion.al