Ja kush do jetë Zonja e Parë e Francës
“Brigitte, Brigitte, Brigitte!”, brohoriste turma kur ajo u ngjit në skenë në krah të bashkëshortit të saj, të presidentit të ri të zgjedhur francez Emmanuel Macron. Po Kush është ajo?
Së pari, siç edhe kanë deklaruar ata marrëdhënia e tyre nuk është e zakonshme. Madje, në ditën e dasmës, zoti Macron është shprehur se “ata nuk ishin shumë të zakonshëm, një çift jo shumë normal, por ne jemi një çift”.
Çifti ka një diferencë moshe prej 24 vjetësh, e njëjta si ajo ndërmjet Donald dhe Melania Trump. Macron 39 vjeç dhe Brigitte 64 vjeç u takuan kur Zonja e Parë ishte mësuesja e tij e dramës.
Emanueli kur ishte 15-vjeç kishte një zhvillim intelektual jonormal për moshën. Ai ishte nxënës në një shkollë private jezuitësh në Amiens. Brigite ka thënë se ai sillej si i rritur, në vend që të sillej si një adoleshent dhe tha se ishte kapur tërësisht nga magjia e inteligjencës së këtij djaloshi.
Mësuesja e dramës ka qenë e martuar me bankierin André Auzière dhe ka tre fëmijë. Prindërit e Emmanuelit e kishin kuptuar se djali i tyre kishte rënë në dashuri, por nuk e dinin se me kë.
Ndërkohë, siç shkruan biografi Anne Fulda, ata mendonin vajza nga e cila ai ishte tërhequr ishte Laurence Auzière, që ishte një vajzë në klasën e tij. Në fakt, ajo për të cilën ai po linte kokën mund të ishte “mamaja e tij”.
Kur prindërit e tij e kuptuan, ata i kërkuan Brigitte të qëndronte larg tij derisa ai të mbushte 18 vjeç, por ajo u tha “Nuk mund të premtoj asgjë”.
Në moshën 17-vjeçare Emmanueli i kishte thënë gruas së tij aktuale se nuk do të shpëtonte prej saj dhe se do të martohej me të një ditë. Kështu në vitin 2007 do të realizohej kjo martesë.
Sot nëna e zotit Macron e konsideron Brigitte më shumë si një mikeshë sesa si nuse.
Laurence, vajza e Brigitte, është bërë një nga mbështetëset më të mëdha të njerkut të saj, duke u paraqitur edhe në tubimin e tij të fundit në Paris. Edhe vëllai i saj, Tiphaine, 32 vjeç ka punuar si avokat në fushatën e Macron.
Të gjithë anëtarët e familjes iu bashkuan festimeve të Macronëve pas rezultateve të së dielës në Louvre, Paris.
Presidenti i zgjedhur ka tre thjeshtër dhe rrjedhimisht edhe shtatë nipër e mbesa.
Zysha e Letërsisë dha dorëheqjen nga puna pasi burri i saj u bë ministri i Ekonomisë dhe ajo u bë kështu mbështetja e kryesore në ambiciet e tij politike.
Ajo ka ndikuar në pikëpamjet e tij për rolin dhe pjesëmarrjen e grave në politikë. Kështu, Macron ka premtuar se gjysma e të gjithë kandidatëve, që do të konkurrojnë për partinë e tij “En Marche” në zgjedhjet e Asamblesë Kombëtare të qershorit do të jenë gra.
Presidenti i ri francez është shprehur se do ta zyrtarizojë rolin e Zonjës së Parë. Në një intervistë që ka dhënë muajin e kaluar për “Vanity Fair”, ai ka thënë: “Nëse unë zgjidhem – jo, kur të zgjidhemi ne, ajo do të jetë atje, duke pasur rolin dhe vendin e saj”.
Si një ish-mësuese, Zonja e Parë, pritet të ndihmojë të rinjtë. Pikërisht, sesi do ta bëjë këtë gjë, kjo mbetet për t’u parë.
Në kushtet kur roli i Zonjës së Parë nuk ka status zyrtar, Zoti Macron ka premtuar se do të propozojë të formohet një pozicion formal për zonjën franceze, megjithëse të papaguar. “Ajo do të këtë zërin dhe pikëpamjet e saj dhe do të jetë në anën time, ashtu siç ka qenë gjithmonë, por gjithashtu do të ketë edhe një rol publik.”
Qëkur çifti doli në publik, fokusi kryesor i medieve dhe i disa programeve satirike të radios dhe televizionit ka qenë diferenca e moshës së çiftit, më Macron si një nxënës që merr udhëzime nga ish-mësuesja e tij. Ndërkohë, edhe kundërshtarja e tij, Marine Le Pen, ka ironizuar shpesh lidhur me origjinën e marrëdhënieve të tyre.
Duke parë poshtë në shënimet e saj, ajo qeshi dhe i tha: “Zoti Macron … e shoh që po përpiqesh të luash mësuesin dhe nxënësin me mua, por unë nuk jam e shqetësuar, kjo nuk është çështja ime”.
Zonja Macron shpeshherë ka bërë edhe shaka lidhur me ndryshimin e moshës që ka me bashkëshortin e saj, duke u cituar të ketë thënë: “Ai duhet të kandidojë në vitin 2017, sepse në vitin 2022 problemi i tij do të jetë fytyra ime”./marrë nga BBC,