Ja mrekullia që mund të shenjtërojë Nënë Terezën
Vatikani po heton mbi shërimin e plotë të një personi nga Brazili, me tumor në tru e në gjëndje mjaft të rënduar të sëmundjes, falë vetëm mrekullisë së Nënë Terezës. Pikërisht ky shërim, shkencërisht i pashpjegueshëm mund të jetë dhe arsyeja e hyjnizmit të Nënë Terezës gjatë vitit 2016.
Nga e gjjithë bota kanë mbërritur në Vatikan prova të shumta mbi mrekullitë e aftësitë hyjnore të Nënë Terezës, por me sa duket për Selinë e Shenjtë mrekullia më e mirë e mundshme është shërimi i plotë nga një tumor në tru, në gjëndje mjaft të avancuar, të një besimtari nga dioqeza e Santos, në San Paolo të Brazilit. Mbi këtë rast ka nisur një proces dioqezan me mbikqyrjen e Kongregacionit mbi Cështjet e Shënjtorëve, i cili po mbledh prova, dëshmi të drejtpërdrejta e referime mjekësore. Braziliani i shëruar është një besimtar i devotshëm i Nënë Terezës e gjatë sëmundjes së tij i është dedikuar thellësisht lutjes së shpëtimit nga Nënë Tereza. Kanceri i cili kishte përfshirë pothuajse të gjithë trurin, papritmas e në mënyrë të pashpjegueshme, rezultoi i zhdukur plotësisht, konfirmuar dhe nga rezonanca magnetike . Një shërim i pamundur të shpjegohet shkencërisht e që sipas personit të shëruar i atribohet totalisht mrekullisë së Nënë Terezës e lutjeve të tij të pafundme ndaj aftësive e forcës së saj hyjnore.
Kanë kaluar gati 12 vjet nga dita kur më 19 tetor të vitit 2003, Papa Gjon Pali II e shpalli Nënë Terezën të Lumnuar. Para mijëra besimtarëve e shqiptarëve të pranishëm në këtë ngjarje shqiptoi formulën kanonike të Kishës që e nderonte Nënën e Madhe të të varfërve të mbarë botës, në lartësinë e altarit të Krishtërimit: “Ne, duke përmbushur dëshirën e Vëllait tonë Lukas Sirkar, Kryeipeshkëvi i Kalkutës, si dhe të shumë vëllezërve të tjerë në Episkopat e të shumë besimtarëve, pasi kemi marrë mendimin e Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve, me Autoritetin Tonë Apostolik pranojmë që Shërbëtorja e nderuar e Hyjit, Tereza e Kalkutës, tani e tutje të quhet “E Lume” e që festa e saj të kremtohet në vendet e sipas rregullave të caktuara nga e drejta kanonike, çdo vit, në ditën e lindjes së saj për qiell, më 5 shtator”.
Detaje
Procesi i Lumnimit të Nënë Terezës deri më ditën historike të 19 tetorit 2003
Më 12 dhjetor 1998, Papa Gjon Pali II i dha Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve lejen për hapjen e procesit dioqezan i cili, sipas rregullave, mund të fillonte vetëm pas shtatorit të vitit 2002;
– 9 mars 1999 u caktua si postulator i çështjes, Atë Brian Kolodiejchuk, rregulltar i Misionarëve të Bamirësisë;
– 26 korrik 1999 në Kalkutë u hap faza dioqezane e procesit me 15 kërkesa gjyqësore e me dëgjimin e 113 dëshmitarëve;
– 15 gusht 2001 në Kishën e Shën Mërisë në Kalkutë përfundoi procesi dioqezan: u mblodhën 80 vëllime me 35.000 faqe;
– shtator 2001 Kongregata përkatëse miratoi dekretin mbi vlefshmërinë e procesit;
– nëntor 2001 Kongregata emëroi si relator, Imzot Jose Luis Gutierrez;
26 prill 2002 në Vatikan u dorëzuan katër vëllimet e asaj që njihet si “positio” nga ana
– 20 dhjetor 2002, në Sallën Klementine, në Vatikan, Kongregata për Çështjet e Shenjtorëve shpalli 18 dekrete, që kanë të bëjnë me lumnimin ose shenjtërimin e 9 Shërbëtoreve e 8 Shërbëtorëve të Zotit. Mes tyre dhe Nënë Tereza.
Motivacioni
“Murgesha imcake shqiptare, Nënë Tereza e Kalkutës – Gonxhe Bojaxhiu (1910 – 1997) në shekullin e kaluar qe simbol botëror i dashurisë së krishterë. Pa i mbushur mirë 18 vjetët, duke iu përgjigjur thirrjes për veprimtari misionare, hyri ndër motrat e Loretos, që e dërguan si mësuese në Indí. Në Kalkutë zbuloi fytyrën e Krishtit të vuajtur në fytyrën e të varfërve më të braktisur. Këtu në jetën e saj filloi kthesa e madhe. Themeloi për të varfrit Misionaret dhe Misionarët e Bamirësisë. Sipas shembullit të saj, lindi një lëvizje e gjerë impenjimi bamirës e shoqëror në dobí të njerëzve më të lënë mbas dore, më të mjerë, më të harruar”./ Ora News