Ja na erdhi 21 Qershori!

 

Nga Ilva Tare/ Ka një nervozizëm të pashpjegueshëm ndër radhët e politikës, kundër sondazhit të IPR Marketing dhe Ora News. Me një gjuhë të patolerueshme dhe të padenjë për Shqipërinë e vitit 2015 dhe të standardeve që duam të arrijmë, ata sulmojnë, akuzojnë dhe fajësojnë një praktikë të njohur të anketimit të qytetarëve sipas një kampioni të përzgjedhur nga kompania e sondazhit, e cila fotografon në një moment të caktuar rezultatin e pritshëm të zgjedhjeve.

Këta përfaqësus të inatosur të politikës, që nuk lënë fyerje e shpifje pa adresuar për median, ndërrohen me turne dhe kanë kurajo të flasin edhe për lirinë e cënuar të medias në këtë vend, që pavarësisht këndvështrimeve duhet thënë se nuk është ndër më të kulluarat në rajon. Por e vërteta është se media nuk u ble apo shit as sot, as dje e madje as pardje. Media nuk mund dhe nuk duhet të qëllohet me gurë kur në një moment të caktuar nuk sillet si ushtar I bindur I partisë, që ushqehet me informacion apo bllokim të tij nga selitë partiake.

Portalet dhe gazetat janë po aq të shitura dhe të blera edhe kur marrin urdhëra politikë për të ‘zhdukur’ apo ‘dukur’ ndonjë lajm që ka interes publik dhe duhet trajtuar në interes të publikut. Unë nuk mund të kem respekt për ato media apo gazetarë që quhen të pavarur kur e varin ekzistencën e tyre tek lidhjet me politikën apo në rastin me të keq kur vendosen në shërbim të njërit apo tjetrit krah të politikës në varësi të interesit të radhës, që mund të jetë financiar, ideologjik, politik. Edhe pse rëndom është thjesht Pazar xhepash, fatkeqësisht.

Kompromentimi i diskutueshëm i medias, ashtu si edhe disa sektorëve të tjerë të jetës shoqërore në Shqipëri është po aq i vjetër sa edhe përlyerja e politikës me segmente të errëta që fillojnë me korrupsionin dhe përfundojnë me duarpërlyerjen në fshehjen e provave ndaj tij dhe kulturën solide të mosndëshkimit ligjor.

Sjellja inatcore ndaj praktikave ndërkombëtare dhe bashkëkohore, sic janë dhe sondazhet duhet parë si shenjë e primitivizmit me të cilin sillet dhe gjykon ajo pjesë e politikës që në të vërtetë nuk I bëhet vonë për lirinë e shprehjes dhe të medias. Janë po këta grupe njerëzish, që nuk kanë interes të investojnë dhe të mbështesin një Shqipëri sa më të hapur ndaj mendimeve ndryshe, ndaj standardeve ku vendi ynë kërkon të shkojë, atyre europiane dhe atlantike.

Ky qëndrim anti-standarde duhet mirëkuptuar edhe për faktin se sa më shumë t’u afrohemi si shoqërive të lira, aq më shumë do të shtohej numri I atyre që do të rrezikonin burgosjen e lirisë së tyre, për shkak të përfitimeve dhe përlyerjeve për të cilat akuzojnë kë të munden me përjashtim të vetvetes dhe formacionit politik që i përkasin.

Të gjithë të shqetësuarit për përdorimin dhe shit-blerjen e medias duhen këshilluar vetëm me një fjali – ja na erdhi 21 Qershori! Pas tij, le të ulemi të gjithë dhe të bëjmë analiza të ftohta dhe dialog në emër të standardeve me cilindo që ka pretendime e shqetësime ndër media dhe politikanë. Porse, edhe pas 21 Qershorit, alibia e tyre është e ditur, e parathënë dhe si përherë e dëmshme për shoqërinë shqiptare. Do të thonë që vota u manipulua, u ble, u deformua, u kërcënua e kështu me radhë me një seri të gjatë foljesh e përfoljesh…

javanews.al

SHKARKO APP