Ja një CV “model”
FEJTON
(Kujdes se nga CV-të të ikin “dhitë”)
Nga Thoma Goga
Një ditë u paraqit një burrë i kollarisur te ish-kompania shtetërore ku punoja. Ecte drejt si Koçi i teto Ollgës. Besoj ju kujtohet kandidat – dhëndëri që ecte sikur kishte gëlltitur okllahinë…E kishte dërguar partia e tij të fillonte punë tek ne. Thashë se ky, me gjithë atë prezencë, me gjithë ato letra, do kish bërë hatanë për çlirimin e vendit…Dhe ashtu ishte vërtetë. Megjithëse kanë kaluar vite, (që ju ta kuptoni mirë ku e përplas llafin), po mundohem të riprodhojë një pjesë nga CV e “personalitetit”.
– Viti….kam mbaruar shkollën fillore (sa shpejt e kishte filluar karrierën!…)
– Viti … kam mbaruar shkollën 7-vjeçare (a thua se ishte kualifikim i lartë…)
– Viti….kam mbaruar profesionalen 2- vjeçare për pompist me rezultate të larta. (Hallall, thashë këtë herë me gjithë mend, po nota më e lartë ishte 5…)
– Gjatë këtyre viteve kam qenë krahu i djathtë i drejtorisë, (për spiunllëqe se në mësime ishte më e mirë gjyshja ime…)
– Viti… Kam mbaruar shkollën e lartë juridike tek Plepat në Durrës (hajde shkollë, hajde. Ç’më erdhi në mend batuta e filmit “Udha e shkronjave”- “Me tre aspra miku, dashka verë të mirë…”. Mirë, mirë, po me 3 muaj u bënë bota avokatë e noterë. Le që ia fus kot unë, ka mundësi që gjysma e parlamentit të jetë më këtë “gradë” të lartë. Dhe kërkohet reformë në drejtësi…)
– Viti 1996… kam udhëtuar në një avion me Berishën… (o, çfarë fati edhe pse njëri ka qenë afër pilotit e tjetri te shalët e avionit…!)
– Viti 1997 – Kam ruajtur Qafën e Koshovicës me armë në dorë…(Hajde trim, hajde. E para, nga kush e ruajti? E dyta, ku i gjeti armët që e ruajti dhe e treta, ç’do ta gjente Qafën e Koshovicës sikur të mos e ruante ky trimi?… Vazhdojmë më tej).
– Viti 1997- Më ka nxjerr policia në mesnatë me brekë jashtë. (Këtu ia ka futur vetes, sepse në këtë rast trimërinë e ka bërë policia, jo ai që e ka shkruar në CV. Policia të nxjerr edhe sot jashtë, me brekë edhe pa brekë, po të kesh bërë ndonjë gjë).
– Viti…etj. etj.etj.
Ai “personaliteti” doli të priste në korridor deri sa të merrej një vendim. E mua më erdhi në mend një fjalë e urtë e sovranit që thotë “Prite sipas kostumit e përcille sipas mendjes”. Në fillim mendova se drejtuesit e kompanisë e pritën sa për të larë gojë…Këtë herë fjala e popullit nuk pinte ujë. Siç duket edhe sovrani ia fut ndonjë herë si kau pelës. Them kështu se nuk vonoi dhe, si rrufe në qiell të pastër, erdhi vendimi. “Pompisti” u bë shef zyre. Ula kokën e meditoja, meditoja… Pastaj nxora CV time e fillova ta krahasoj. Më erdhën në mend librat që kisha shkruar apo redaktuar, tekstet e këngëve, vjershat, gazetat e revistat ku kisha botuar, çmimet që kisha fituar, institucionet që kisha drejtuar… Desha – s’desha u bëra pak si Belul Gjeraqina…Gjepura! Sa s’më iku fiqiri! Desha të shaja e mallkoja profesorët e mi që më arsimuan, po ç’faj kanë ata? Desha t’i bija murit me kokë, po ç’faj ka muri? Dreq o punë, thashë e u përmenda. Jo mor vëlla, ngado që ta kapja, ma kalonte CV-ja e atij burrit të kollarisur. Gjithë administrata e pati mirë me “pompistin”, (mbase kishin frikë nga zakoni i vjetër i spiunllëkut). Kurse me mua nuk e pati dhe aq mirë. Siç duket ishte ajo puna e CV…
Solla këtë fakt, që pavarësisht trillit artistik dhe trajtimit gazetaresk, ka brenda shumë të vërteta, ka brenda faktin real. Jam i bindur se ata që kanë punuar në sektorin e naftës, sapo të lexojnë këtë shkrim, e dinë se për kë e kam llafin. Ai “personalitet” njihet shumë mirë në kasabanë tonë e më gjerë. Por ta lëmë personin dhe “personalitetin” e të kalojmë te fenomeni, që tashmë është bërë “sëmundje” administrative. E kjo “sëmundje” kërkon një vaksinë. Puna është kush do ta gjejë. Rilindja është e infektuara kryesore. Jo shumë ditë më parë, në një fejton tjetër, kam përmenduar faktin se një konkurs për redaktor e fitoi një çupë që ishte për ta pirë në kupë. Kush është ai budalla që e ha se, para redaktorëve më përvojë, ta fitojë konkursin një bukuroshe e sapodalë nga universiteti? Janë ca punë ku bukuria nuk hyn fare në punë. A, është tjetër gjë në qoftë se i marrin për tjetër punë…Përvoja dhe puna janë universiteti më i mirë. Por jam i bindur se, po t’i bëjmë radiografinë e CV së bukuroshes, do të dilte se ishte mbesa ose vajza e ndonjë “personaliteti”, apo e ndonjë deputeti. E si mund ta fitonte konkursin vajza e një bariu, që e than era, e djeg dielli, e lag shiu? Apo vajza e një romi që mbledh kanaçe, vajza e një minatori që, para se të hyjë në galeri, i takon familjarët si për herë të fundit?…Testoni të rinjtë në institucionet e shtetit dhe, po dolën se janë bijtë e barinjve apo punëtorëve të varfër, do vras veten tek parku RINIA, aty tek monumenti i Pavarësisë, që është kthyer në shurrtore publike… Le të bëhem unë dëshmori i parë se, në fund të fundit, pa punë jam e nuk i prish punë askujt. Vetëm Rilindja do trishtohet ca se i iku në Shishtufinë një votë. Futuni po deshët nëpër ministrira e drejtorira e do të lexoni akoma CV-ra interesante. Aty zbulon se ca të rinj fringo, në të njëjtën kohë kanë bërë nga dy ose dhe tre universitete. Si ka mundësi të ndahesh në tre copa e të jesh në tri vende në të njëjtën kohë?!. Le pastaj kur thonë se “dinë” disa gjuhë (po nuk dinë të shkruajnë shqip, që ngatërrojnë Pavarësinë me çlirimin e vendit). Dhe fillojnë punë shpejt, mjafton ta kenë gjakun rozë. Kurse masterat janë si byrekët me gjizë që i blen ku të duash. Kam njohur kandidatë për deputetë që i kanë të gjitha “kualifikimet”, por që mezi lexonin pesë rreshta gazetë e bëheshin ujë në djersë. Po nuk më besuat, pyesni këtej nga kasabaja jonë. Pse deputetë të tillë nuk ka? Populli po e shikon, edhe koha po e tregon. Jetojmë në shekullin e çudirave, merr vesh ti…
E hapa këtë shkrim me CV e atij “personaliteti” dhe dua ta mbyll po me atë. Jo pa qëllim e lashë për në fund faktin më interesant nga letrat e tij. I kishte “shpëtuar” qyqarit një gabim “i vogël” . Në krye kishte shkruar “VC-ja ime”. Mos u çudisni, po kjo është më se e verëtetë. A thua ta ketë ngatërruar ?! Sidoqoftë ka thënë një të vërtetë. Nuk është për të qeshur, por është për të qarë…Bir Selmani i nënës, oi !