Ja përse kultura do të jetë feja e ardhshme e njerëzimit

Nga Gentiana NISHICA (MALAJ)

Sot bota falë revolucionit të magjishëm industrial në pararojë të të cilit janë mendjet më të ndritura të shkencës, falë mjeteve ultramoderne të transportit, teknologjisë së informacionit e mediave vizive e gazetarisë është unifikuar e përtej kësaj është shndërruar në një “fshat” të përbashkët. Besimet fetare siç na mëson historia dhe arkeologjia kanë lindur që në agimet e qytetërimit, që në atë kohë kur të bijtë e Adamit dhe Evës siç shkruhet në Bibël apo të Ademit dhe Havasë siç i cilëson Kur’ani Famëlartë u bënë të ndërgjegjshëm në radhë të parë të varrosnin të vdekurit e gjakut e të gjinisë së tyre (sipas mësimeve të shenjta, nga balta bëhen në baltë do të kthehen) dhe së dyti e çka është më e rëndësishmja stërgjyshërit tanë prehistorikë u ndërgjegjësuan për ekzistencën e një qenie superiore a më mirë të shprehemi të krijuesit të tyre që disa e quajnë Zot, disa Allah, të tjerë Jehova sipas gjuhëve e kulturave të popujve e racave të ndryshme që popullojnë planetin tonë.

Respekti, frika, por edhe dashuria ndaj Krijuesit suprem e të Plotfuqishëm të Gjithësisë bëri që njerëzit e civilizimet t’i kushtonin Atij (Më të Lartit të Qiejve) jo vetëm lutjet e adhurimin, por njëherësh edhe tempujt e besimit, veprat më të bukura e më të përsosura inxhinierike dhe artistike që ka njohur historia e njerëzimit. Gjithçka deri këtu ishte e përsosur, sublime dhe një besëlidhje e sinqertë mes Krijuesit dhe krijesave të Tij. E kjo vazhdoi për shumë kohë, derisa shteti e politika, sundimtarët egoistë e të pafre e përdorën besimin e njerëzve te Zoti jo më si një adhurim të sinqertë ndaj Mbretit Absolut të Gjithësisë të tokës, detit e qiejve, por si një instrument të politikës së tyre në egon e pafre për pushtet absolut e pasuri.

Kjo është zanafilla djallëzore e ngritur në doktrinë e politikë shtetërore të diktatorëve e sundimtarëve barbarë të egër e obskurantistë për t’i parë njerëzit që i luten të njëjtit Zot sipas traditave, gjuhës e zakonit të tyre, si armiq të egër të cilët duhen zhdukur me çdo mjet e sakrificë. “Qëllimi justifikon mjetin” thoshte Nikolo Makijaveli në librin e tij “Princi”, i cili ka plot pesë shekuj që është shndërruar në një “Bibël” të sundimtarëve tiranë e despotikë në mbarë botën pavarësisht nga përkatësia e tyre e civilizimeve, racave apo feve.

Shumë perandorë e burrështetas të shquar që nga Antikiteti e deri në kohët e vona janë përpjekur ta unifikojnë njerëzimin nga pikëpamja e legjislacionit, e civilizimit dhe e mënyrës së ndërtimit të shtetit, një fenomen ky të cilin politologët, filozofët e përfaqësuesit e shquar të jurisprudencës dhe të së drejtës ndërkombëtare e kanë cilësuar me termin “rendi i ri botëror”. I pari që bëri një tentativë të tillë ishte Aleksandri i Madh, apo Leka i Madh siç e quajtën me dashuri gjyshërit e stërgjyshërit tanë perandorin e madh të historisë dhe gjeniun e pa të dytë të racës së tyre. I dyti është Jul Çezari perandori më i famshëm i Romës i cili për idetë e tij të mëdha pati fundin tragjik të një atentati nga senatorët e Romës e miqtë e tij të ngushtë.

Edhe Napoleoni i madh i Francës që përmbysi tiraninë e mbretërve absolutë të Europës të shekullit të XVIII-të nuk pati fat më të mirë se Aleksandri e Jul Çezari. Ai vdiq në internim në ishullin e vetmuar të Shën Helenës, sepse bota obskurantiste, despotët e sundimtarët nuk ishin akoma të gatshëm të bënin të vetën trininë e shenjtë të revolucionit francez “Liri – Barazi – Vëllazëri”. U ndala tek këta tre perandorë të ndritshëm e njëherësh burrashtetasit më të mëdhenj e vizionarë të historisë për të treguar se ata nuk e përdorën asnjëherë fenë si një instrument sundimi. Ata ditën t’i ndajnë punët e Zotit e të robit duke e parë besimin fetar si një çështje krejtësisht shpirtërore e personale në të njëjtën kohë. Asnjë nga këta tre gjeni të njerëzimit nuk ka frymëzuar apo udhëhequr luftra fetare.

Janë të tjerë ata sundimtarë të pakulturuar e të pangopur me pushtet, lavdi fallco e pasuri të cilët që nga mesjeta e hershme e deri më sot e kanë përgjakur njerëzimin nëpër luftra fetare e këtu kam parasysh mbretërit, diktatorët e sundimtarët e popujve që përfaqësojnë dy besimet më të mëdha monoteiste të botës, të krishterët dhe myslimanët. Luftrat e përgjakshme e kryqëzatat nuk janë zhvilluar vetëm në emër të Krishtit e Muhamedit, por edhe në emër të sekteve përbrenda të njëjtit besim siç janë ato mes katolikëve e protestantëve në Europën Perëndimore apo mes myslimanëve të sektit sunit atij bektashi në Arabinë Saudite e në Lindjen e Mesme. Sot njerëzimi jeton një nga periudhat më të vështira të historisë së tij.

Po bëhet një vit që bota mbarë jeton nën terrorin e pushtetin e një armiku të padukshëm, i cili ka marrë gati 1.5 milion jetë njerëzish dhe ka terrorizuar të gjitha shtetet, civilizimet e rajonet e planetit. “Covid 19” ka “vendosur” rendin e ri botëror duke mbjellë kudo terror, vdekje, shkatërrim e varfëri. E theksoj këtë fakt për të treguar se kjo tragjedi mbarë njerëzore duhet të na bëjë më në fund të ndërgjegjshëm për fatin tonë të përbashkët e për të ardhmen e njerëzimit.

Ngjarjet tragjike të Parisit e Vienës ku protagonistë ishin persona të papërgjegjshëm, të paarsimuar e të manipuluar lehtësisht nga ata që nuk besojnë tek Krijuesi e Librat e Shenjtë, por te militantizmi ekstrem, shkatërrues na e tregojnë qartësisht se vetëm kultura e dija do të jetë besimi dhe garancia e të ardhmes për një botë më të mirë, pa dhunë e terror.

Çdo hap drejt dijes, civilizimit, humanizmit e solidaritetit njerëzor është një gur kilometrik në rrugën drejt Zotit. Diversiteti ynë nuk është fatkeqësi, por DHURATË e Krijuesit tonë.

SHKARKO APP