Ja si na vjedhin përditë!

Nga Blendi Fevziu

Shqipëria është vendi i 4 më i varfër i Europës. Ajo lë pas vetëm Moldavinë, Kosovën dhe Ukraninën e rrënuar nga konflikti me Rusinë. Të paktën këto janë statistikat nëse i referohesh disa prej institucioneve financiare botërore. Por shqiptarët paguajnë sot cmimet më të larta në Europë dhe ndër më të lartat në bote për biletat e udhëtimit me avion.

Ndërkohë nga Tirana operohen më pak destinacione se nga cdo kryeqytet i Europës. Nëse heq qytetet Italiane, mbeten vetëm Viena me Frankfurtin e Ljubjanën në Perëndim dhe Stambolli me Athinën në lindje. Ky është izolimi më i madh që i mbetet Shqipërisë pas heqjes së vizave. Një izolim i imponuar.

Nëse i referohesh disa prej aplikacioneve që kryejnë krahasimin e cmimit të biletave dhe numrin e pasagjerëve, si Hopper psh, rezulton se shqiptarët paguajnë 119 euro më shumë mesatarisht për biletë se sa Maqedonasit në të njëjtin destinacion; 81 euro më shumë se sa malazezët dhe 39 euro më shumë se shqiptarët e Kosovës.

Ndërkohë që numri i banorëve të Maqedonisë është 2.4 milion, i Shqiptarëve të Kosovës 1.8 dhe i Malit të zi afro 650 mijë. Shqipëria numëron afro 4.2 milion banorë nëse përfshin edhe emigrantët që vijnë dhe ikin. Pra thuajse 2 fishin dhe më shumë të vendeve që kanë bileta më të lira se sa ne.

Një tjetër kërkim të tregon që nga Aeroporti i Rinasit nuk fluturon pothuajse asnjë linjë lou kost. Njëra që duhej të ishte e tillë, Blu Panorama, ka cmime më të larta edhe se sa Alitalia vete. Po kështu Shqipëria nuk ka një linjë ajrore të sajën, sic ka Mali i Zi, që ndërhyn për të kontrolluar cmimet e tregut.

Nga ato pak linja që fluturojnë në Shqipëri, duket qartë që situata është monopol i pastër. Tre linja janë pjesë e së njëjtës kompani: Lufthansa, Austrian dhe Adria. Dy të tjera, Aegean dhe Turkish Airlines, janë pjesë e të njëjtit grup me to, Star Allianze, që ndajnë tregun dhe rregullojnë cmimet. Ajo që mbetet është Alitalia që po mbyll njërin pas tjetrit destinacionet për t’i lënë treg Blu Panoramës. Linja të tjera thuajse nuk ka.

Qeveria deklaroi një vit më parë se do bënte c’është e mundur të ulte cmimet e biletave. Ajo vuri gishtin mbi aeroportin dhe pas një negocimi me të, i hoqi të drejtën e ekskluzivitetit të fluturimeve në Shqipëri dhe i shtoi 2 vite më shumë kontratën e koncensionit. Një vit më pas, cmimet janë rritur thuajse 30 përqind; asnjë aeroport tjetër nuk është bërë funksional dhe të dalësh nga Shqipëria, sidomos në muajt e verës dhe shtator apo në festat e fundvitit ngjan e pamundur. Për të mos thënë tmerrësisht e kushtueshme.

I ftuar në një emision Shefi i Kabinetit i Ministrit të Transporteve deklaroi se shqiptarët paguajnë, shqiptarët lëvizin, shqiptarët kanë lekë ndaj kompanitë mbajnë cmime të tilla të larta. Në fakt, shqiptarët paguajnë se janë të detyruar të lëvizin. Janë emigrantë që kanë lënë këtu prindërit dhe kthehen për t’i parë; që sjellin nipërit për të parë gjyshërit. Janë prindër që shkojnë për të parë fëmijët e tyre të vendosur në 25 vitet e fundit jashtë; janë studentë që shkojnë për t’u shkolluar dhe tregtarë të vegjël që shesin e blejnë duke udhëtuar.

Këta janë struktura bazë e udhëtarëve në Shqipëri. Janë këta që paguajnë bileta të cmendura me para djerse dhe duke hequr edhe nga goja. Janë studentë që hanë një vakt më pak një muaj me rradhë për t’i dhënë para disa monopoleve në Tiranë. Që paguajnë për të parë prindërit deri 50 % më shumë se shokët e tyre në universitetet ku janë; janë emigrantë që ato 200 euro më tepër do t’jua linin prindërve për t’ju plotësuar pensionin; janë udhetarë që për një udhëtim.

Bileta ju merr po aq buxhet sa hotelet dhe ushqimi bashkë. Janë qytetarë të Republikës së Shqipërisë, që zhvaten cdo ditë, sistematikisht, në sy të të gjithëve dhe nën premtimin e qeverisë. Janë ose më mirë jemi kavje të paaftësise në rastin më të mirë dhe të hajdutërisë në rastin më të keq të atyre që administrojne shtetin.

Përse Shkupi është destinacion më i lirë se sa Tirana? Po Podgorica? Po Kosova? A ka njeri një përgjigje për këtë? A ka një ministër apo qeveritar që mund t’ju thotë shqiptarëve se përse zhvaten në këtë mënyrë, në sy të të gjithëve dhe krejt ndryshe nga fqinjët tanë? A ka njeri një përgjigje të saktë për të gjithën këtë?!

Teoria e vendit të vogël bie, sepse Maqedonia, Kosova e Mali i Zi janë më të vegjël nga ne. Edhe ajo e pasagjerëve sepse nga Rinasi udhëtojnë më shumë. Këtë vit, sipas statistikave kanë udhëtuar më shumë pasagjerë se sa vitin që u hoqën vizat. Pyes sërish kush i vjedh shqiptarët dhe në cilat xhepa përfundojnë paratë e tyre të djersës dhe sakrificave!? Le të ketë të paktën kurajon një njeri të japë një përgjigje dhe të flasë…/Opinion.al/

SHKARKO APP