Ja si po i shkatërron PS hipotekat

Nga Blerina Quku

Padyshim që liderët e dy partive kryesore mbeten aktorët mbretër të komedisë. Në prag fushate dhe gjatë saj arritën: të takonin me të rëndësishmit e këtij planeti dhe t’u jepnin bindjen shqiptarëve që janë në nivelin e atyre që i pritën, sollën foto përshëndetëse dhe anembanë ngarkojnë trurin e shqiptarëve me premtime për investime e për bashkëpunime. E gjithë kjo tablo është shumë pozitive por jemi në fund të një katërvjeçari dhe ajo që ka rëndësi janë aktet dhe rezultatet.

Më duket e dobishme të ndalem te çështja “hipoteka” dhe instrumentalizimi i saj në dobi të politikës këto dy javët e fundit. Përse po ndodh? Në interes të kujt? Mos një drejtor lsist kishte devijuar të gjitha objektivat dhe synimet që kishte patur dikur Aleanca për Shqipërinë Evropiane në lidhje me sistemimin një herë e mirë të regjistrimit të pasurive të paluajtshme?

Nuk besoj se një drejtues i përgjithshëm LSI-je apo disa regjistrues rajonalë të kujtdo partie tjetër qofshin janë bërë pengesë e rezultateve të pritshme të qeverisë në drejtim të regjistrimit të pronave, por ama LSI pjesë e rëndësishme e koalicionit “ndjesë pastë” është bërë pengesë e përmbushjes së“vizionit” të kahershëm, dëshirës së pamatë të një njeriu “jo politik” ( artikuluar vetë në rrjetet sociale), për të vënë nën kontrollin e vet: legalizimet, kthimet dhe regjistrimet. Në këtë pikë çdo mjet justifikon qëllimin: mund të goditet edhe puna e regjistruesve që vetë PS i vuri, për të vënë në dorë të njeriut apolitik edhe regjistrimin, edhe kthimin e pronave.

Të kërkosh llogari për certifikata pronësie të palëshuara është shumë e thjeshtë të bëhet, është minimumi i minimumeve, madje duhet të jetë e kundërta shqiptarët duhet ta kërkojnë pasi partia më e madhe në pushtet kontrollon veprimtarinë e shumicës së zyrave rajonale madje madje në bazë të ligjit ka të drejtë të kontrollojë edhe veprimtarinë e kryeregjistruesit lsist nëpërmjet bordit drejtues, ku kryetar është po i vendosur nga Kryeministri.

Kjo nuk do të thotë që po bëj avokatin e LSI-së. Jo. LSI tashmë mbrojtjen e vet po e bën duke shpallur 4 kolonat e programit dhe dy ndërmjet tyre turizmi dhe bujqësia kanë lidhje të pandashme me tregun e pasurive të paluajtshme.  Do të duhet të fillojnë nga sistemimi i pasurive të paluajtshme për të kaluar te turizmi dhe bujqësia. Kjo është e pashmangshme.

 Ajo që kontestoj dhe që me forcë kërkoj nga çdo force politike është shpëtimi i sistemit të regjistrimit nga gllabërimi i njerëzve që nuk ngopen me pushtet. “Hipotekat” siç rëndom njerëzit por edhe politikanët i quajnë janë një nga institucionet unike që i rezistoi të gjitha kohërave dhe sistemeve. Gjatë këtyre viteve janë bërë përpjekje për ta ringritur, janë harxhuar fonde për rimëkëmbjen e saj. Projekti për gllabërimin e saj në një agjenci të përbashkët me legalizimet dhe kthimin e pronave, dy institucione këta të fundit me objekt të përkohshëm pune i jep dorën e fundit shkatërrimit të saj.

SHKARKO APP