Jam gjallë
Nga Arta Tozaj, Bruksel
Jam gjallë! Ishte përgjigjja e rrufeshme për të qetësuar qindra miq e të afërm të interesuar. Telefonat nuk funksiononin. Interneti, megjithëse tepër i dobët, ishte e vetmja formë për të kuptuar se kush qe shëndoshë e mirë.
Atentati i dyfishtë në aeroportin kryesor të Belgjikës, në Zaventem, ishte lajmi tronditës që erdhi me të hapur sytë. Pamjet tragjike në televizionet belge tregonin qartë se bëhej fjalë për një sulm terrorist. Me mijëra njerëz nxitonin për të fluturuar, si çdo mëngjes, kur u dëgjuan të shtënat, të bërtitura në gjuhë arabe e më pas dy shpërthime kamikaze morën dhjetra jetë e plagosën qindra njerëz. Rreth 600 fluturime u anuluan këtë të martë, ndërsa mbi 24 mijë udhëtarë nuk fluturojnë dot as të mërkurën dhe as nuk dihet se kur do të rinisë funksionimi normal i aeroportit të shkatërruar belg.
Duhet të merrja trenin për Këln (kisha një takim pune rreth mesditës), kur policia urdhëroi mbylljen e transportit të brendshëm publik dhe hekurudhor. Tmerr, panik e qindra të përgjakur pushtuan rrugën e Ligjit (rue de la Loi). Në dalje të stacionit të metrosë Maelbeek, zëdhënësi i ndërhyrjes së shpejtë belge lotonte duke dhënë shifrat paraprake. Forcat ushtarake e policore bllokuan zonën, që mbikqyrej me helikopter nga ajri. Ishte shpërthimi i tretë, brenda orës, në zemër të Brukselit!
Ironikisht, flisnim prej muajsh me një mikeshë për një skenar të tillë. Duke punuar aty pranë, ajo frikësohej se ky stacion nuk kishte vëmendjen e duhur të sigurisë, ndaj ishte i përkryer për atentate terroriste. Maalbeek është ndërmjet stacionit Art-Loi, një nyje kyçe për ndërrimin e linjave të metrosë, pranë parlamentit belg e ambasadës amerikane, dhe stacionit Shuman. Aty gjenden institucionet kryesore të Bashkimit Evropian dhe meqenëse mbahen më shpesh samite të jashtëzakonshme, ka edhe një prani të shtuar policore.
Ashtu si në Nëntor, para Krishtlindjeve, edhe në prag të Pashkëve, Brukseli u gdhi në terror. Kësaj radhe me më shumë viktima. Ndjesia e pasigurisë mbizotëron kryeqytetin evropian.
Qendra e Krizave këshillonte qytetarët të rrinin brenda banesave, apo vendeve të tyre të punës. Punonjës social në mjaft shkolla njoftonin fëmijët mbi sulmet terroriste dhe nëse prindërit e tyre kishin pësuar gjë. Për të dhënë ndihmën emergjente, të gjitha spitalet shtynë operacionet e pritshme, përfshirë lindjet, siç kishte parashikuar më kot një kolege. Hotel Thon, ku qëndronte deputeti socialist Taulant Balla, ishte shndërruar në një urgjencë. Vetë Taulanti i kishte shpëtuar për pak minuta shpërthimit në Maalbeek dhe me mjaft peripeci, ishte larguar me një automjet drejt Gjermanisë, me shpresën për të fluturuar drejt Shqipërisë.
Policia tregonte se kishte gjetur një bombë të tretë në aeroport, fatmirësisht përpara se të shpërthente. Flitej për të tjera. Pallati i Drejtësisë u boshatis. Evakuimi i stacionit nuklear nisi menjëherë më pas. Nuk mund as të imagjinoj se çfarë do të ndodhte në një rast të tillë.
Gjatë drekës, shumë dyqane e lokale u mbyllën. Mjaft qytetarë të trishtë e të zemëruar shfrynin e lotonin nëpër rrugët e Brukselit. Vështrime të egra përqendroheshin tek vajzat e mbuluara myslimane, që ecnin çlirët të qeshura, çfarë irritonte komunitetet e tjera, veçanërisht katolikët. Megjithatë, qytetarë të shumtë, myslimanë e katolikë, në heshtje u mblodhën për të nderuar me lule, qiri e vargje, viktimat e këtij terrori.
Qyteti nisi të gumëzhinte gjatë pasdites, kur qendra e krizave lajmëroi se dy linja metrosh dhe transporti hekurudhor do të nisnin funksionimin. Radhë pafund kontrollesh të imtësishme aplikoheshin tashmë nga forcat e rendit në hyrjet e përcaktuara të stacioneve dhe askush nuk ankohej, me gjithë padurimin për të shkuar sa më shpejt në shtëpi.
Hetimet për ngjarjen e aeroportit, çuan policinë drejt Schaerbeek-ut, një lagje mjaft e njohur për numrin e lartë të shqiptarëve, krahasuar me 18 komunat e tjera të Brukselit. Pajisje eksplozivi u gjet në një banesë, jo shumë larg simes, në rrugën Max Roos, ku ishin instaluar tre terroristët e dyshuar. Përveç terroristit të pa kapur të aeroportit, policia shpalli dhe dy të tjerë në kërkim. Shtetas evropian me emra arab, si pjesa dërrmuese e banorëve të Brukselit.