Jam i bindur që votat janë blerë
Shteti do jetë krejt në dorë të tij! Nuk ka më asnjë alibi që dikush po e pengon! Sa për blerjen e votave: jam i bindur që janë blerë! Me para në dorë dhe relativisht masivisht! Kanabis solli potencial te madh financiar!
Nga Ylli Manjani
Ky është i pari bast që fitoi Edi Rama. Disa ditë më parë shkruajta që “nëse e fiton këtë bast, ta gëzojë Shqipërinë”!
Sot e përsëris: Ta gëzojë Shqipërinë! Sukses nuk i uroj dot, sepse nuk fitoi zgjedhjet, por bastin!
Nuk fitoi programi, por barcoleta! Nuk e fitoi kryeministrinë, por i mbeti në dorë!
Ai donte të qeveriste vetëm, ja ku ja arriti kësaj dite! E ka të gjithë tepsinë për vete! Ta hajë deri sa të fryhet!
E ardhmja?! Nuk e di! Askush se di! Dyshimet janë stërmunduese! Nuk pritet gjë e mirë! Idetë e rrezikshme të tij mbi demokracinë, liritë dhe sundimin e ligjit, vështirë të kenë pengesa!
Shteti do jetë krejt në dorë të tij! Nuk ka më asnjë alibi që dikush po e pengon! Sa për blerjen e votave: jam i bindur që janë blerë! Me para në dorë dhe relativisht masivisht! Kanabis solli potencial te madh financiar!
Por, fajin më së pari e ka ai që e shet votën! “Shitësi” i votës është shitësi i demokracisë. Ky është rregulli bazë i logjikës. Të tjerat janë stërhollime politike e ligjore!
Nëse njerëzit e shesin lirinë e demokracinë, ka mbaruar çdo logjikë e mëtejshme! Blerësit ndjehen “legjitimë” ti nxjerrin ujët e zi çdo gjëje!
Kundërshtarët e Ramës duhet të kërkojnë arsyet e kësaj gjendje tek vetja dhe jo tek të tjerët. E sigurtë është që fituesi kishte strategji më të mirë.
Kërkimi i “fajit” tek sondazhet nuk ndihmon! Fakt është që sondazhini IPR Marketing dhe Ora News, me pak saktësime doli korrekt!
Me rëndësi tani është organizimi i Shqipërisë opozitare! Pa opozitë diktatura monopartiake do ta ketë krejt të lehtë të bëjë ç’të dojë!
Duhet të kthejmë zgjedhjet në alternativë dhe jo në bast!
Bastet i fiton gjithmonë pushteti!