Jo dhe aq FRESSH!
Për demokracinë e brendshme të partisë nuk shfaqën shqetësim, për të larguarit e fundit nga partia vetëm dy prej tyre i quajtën humbje, të tjerët ishin entuziastë për ikjet. Për kanabisin fajësuan median që bën një shërbim të keq në përcjelljen e lajmeve, për fermerët pati sugjerime që të mbillnin rigon në vend të hashashit…
Nga Ilva Tare
Tetë të rinj në moshë me ëndrra të reja për Shqipërinë dhe me mënyrë të vjetëruar komunikimi publik, u përballën me anëtarët e FRESSH në sallën gjigande të Pallatit të Kongreseve që edhe e zbrazur të emocionon. E ftuar bashkë me tre kolegë për t’i drejtuar disa pyetje konkurrentëve për kreun e Forumit Eurosocialist të Shqipërisë pata mundësinë të lexoja jetëshkrimin dhe platformat e tyre. Për habinë time të përzgjedhurit në fazën finale kishin kaluar përmes një procesi të vështirë, me një juri që i kishte pyetur për çështje që edhe persona të regjur me politikë nuk do ta kishin pasur të lehtë të përgjigjeshin.
Disa prej finalistëve ishin të qartë në objektivat e tyre dhe për ambientin në të cilin kërkonin të merrnin pozicion lideri. Të tjerë, me gjasë edhe për shkak të moshës, shkruanin me doza të larta naiviteti, pa llogaritur këtu gabimet ortografike. Kishte edhe nga ato kandidatë që ndoshta as vetë nuk e kuptonin si e kishin kaluar fazën finale falë mekanizmit të votimit online dhe këta ishin modestë por të vërtetë. E kuptonin kur flisnin siç donin dhe si duhet për turmën krejtësisht e pavëmendshme ndaj fjalimeve të tyre.
Siç ndodh rëndom në tubime partiake, të pranishmit kanë pak ose aspak durim për të respektuar folësit dhe kur kësaj i shtohet edhe të bërit tifozëri për kandidatin mbështetës, është e pamundur të tregosh respekt për një garë që sic shpjeguan organizatorët ishte masive, serioze dhe synonte barazi për çdo finalist. Nuk ndodhi kështu. Disa ishin më shumë të mbështetur dhe ndonjë prej tyre u duk sikur nuk kishte asnjë duartrokitje të vetme në sallë. Një prej finalistëve e ruajti qetësinë me shumë vështirësi por nuk arriti t’i shmangte përgjigjet nervoze dhe arrogante. Modestia ishte e munguara e madhe në atë përballje dhe shpeshherë përgjigjet e të rinjve dukeshin nga fragmente të shkëputura nga fjalimet e politikanëve të afrimuar socialistë.
Shndërrimi i FRESSH në një platformë ku të rinjtë të jenë përcaktues në politikat e partisë ishte një pikë e përbashkët e kandidatëve, por mënyra për ta realizuar këtë nuk u shpjegua qartë. Për demokracinë e brendshme të partisë nuk shfaqën shqetësim, për të larguarit e fundit nga partia vetëm dy prej tyre i quajtën humbje, të tjerët ishin entuziastë për ikjet. Për kanabisin fajësuan median që bën një shërbim të keq në përcjelljen e lajmeve, për fermerët pati sugjerime që të mbillnin rigon në vend të hashashit. Nuk munguan edhe përgjigje dhe deklarime surprizuese, si p.sh në Shqipëri kanabisi nuk është fare problem se qeveria e ka luftuar, që mund t’i justifikoje vetëm me moshën e re të konkurrentëve.
Por në fund të gjithçkaje, mund të thuhet se gara e eurosocialistëve ishte interesante, qoftë edhe për faktin se na shpalos produktet e sistemit arsimor që kanë ndërtuar ose më saktë dëmtuar qeveritë në vite. Personi që do të drejtojë FRESSH do të ketë pa diskutim një detyrë të vështirë, të menaxhojë interesat e rreth 40 mijë anëtarëve siç u deklarua në mbrëmjen e debatit dhe të kërkojë përfaqësim transparent të të rinjve në strukturat drejtuese të partisë dhe të qeverisë. Duhet ta nxjerrë jashtë mode futjen në forume rinore për të kaluar provimet që fabrikojnë diploma false, sikundër duhet të luftojë me orekset e 25 vjeçarëve që dëshirojnë të jenë drejtorë të rëndësishëm, që firmosin për buxhete të majme. Përndryshe, zëri i kreut të FRESSH edhe pse i dalë nga një konkurrim i ngjashëm me reality show FRESSH Voice, do të mbetet një përpjekje e re për të mbajtur në jetë një praktikë të vjetër dhe të dalë boje. (Javanews.al)