Jo kryengritje në kuvertë
Shiringa e fundit financiare nuk u vjen në ndihmë vetëm grekëve, por shmang sidomos një debat të ri për daljen e Greqisë nga BE-ja, mendon Georg Matthes.
Era duket e mirë për Greqinë pas gati 12 orë negociatash. Ndihmat financiare nga Brukseli po e shpëtojnë edhe një herë nga mbytja katamaranin grek. Edhe reduktimi i shumëpritur i borxheve po shfaqet në horizont. Po ashtu pavarësisht refugjatëve industrinë e turizmit në vend është shënuar sërish një rekord.
Por Greqia nuk po lundron kaq mirë me erën megjithë krizat, por pikërisht për shkak të shumë krizave në Evropë. Nga pikëpamja turistike vendi përfiton, sikurse Portugalia dhe Spanja, në masë të madhe nga terrorizmi në Turqi, në Egjipt dhe në Tunizi.
Jo kryengritje në kuvertë
Brenda vendit krizat janë sidomos në favor të kryeministrit Alexis Tsipras. Ekuipazhi në barkun e anijes greke është i lodhur, edhe pse masat e kursimit të miratuara kohët e fundit prekin kryesisht njerëzit e thjeshtë në vend. Që nga 1 qershori, rritet tvsh-ja për shumë ushqime dhe pije. Benzina, nafta dhe vaji për ngrohje do të jenë po aq të shtrenjta sa dhe energjia elektrike, cigaret dhe alkooli. Por asnjë grek nuk do t’i hyjë seriozisht rrezikut të një revolte në një anije, e cila mezi po mban veten gjallë. Shumica ka hequr dorë tashmë prej idesë fillestare për një fillim të ri me Tsiprasin, që do të përzinte trojkën dhe do të shkatërronte pushtetin e oligarkëve në vend.
Erë e ngrohtë financiare nga Brukseli
Në bunacën që mbretëron po fryn tani flladi i ngrohtë financiar nga Brukseli. Të gjithë ministrat i lëvduan në takimin e dytë brenda dy javësh masat e kursimit dhe gatishmërinë e Athinës për reforma. Madje u fol edhe për një besim të ri ndaj Greqisë edhe pse nuk ka dyshim se reformat duhet të ishin bërë tashmë prej kohësh. Grekët janëthuajse gjashtë muaj pas planit kohor të miratuar dhe reforma të rëndësishme – si p.sh. modernizimi i administratës tatimore – janë ende në pritje.
Jo, evropianët nuk shpërblyen në radhë të parë zellin e kursimeve të Greqisë, por ata nuk duan të nxisin në asnjë mënyrë në mes të debatit për brexit, pra të referendumit për daljen e Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian edhe një debat për grexit. Në një det krizash – në Ukrainë, me terrorin, apo me refugjatët – BE-ja do t’i mbajë larg të gjitha problemet e mundshme. Ashtu si dhe në rastin e mëkatarëve financiarë, Portugalisë dhe Spanjës, që edhe pse kanë shkelur në mënyrë të qartë Paktin e Stabilitetit dhe në vend të gjobave të rënda thjesht morën një zgjatje afati. Në Evropën e tronditur nga kriza respketimi i rregullave ka kaluar edhe një herë në plan të dytë. Madje edhe më shumë se zakonisht.
Të gjithë të kënaqur nga pak
Fakti që takimi në Bruksel zgjati aq gjatë ishte jo për shkak të evropianëve, por të Fondit Monetar Ndërkombëtar. Ky kishte kërkuar fillimisht një lehtësim të menjëhershëm të borxhit pa masa të reja kursimi. Në vend të kësaj FMN-së iu paraqit tani një paketë e komplikuar me tri faza. Pas një nate të gjatë përfaqësuesit e huadhënësit ndërkombëtar duken tani të kënaqur. Ata do të vazhdojnë të ndihmojnë deri në fund të vitit, natyrisht vetëm pasi të kenë shqyrtuar nëse grekët janë në gjendje ta shlyejnë në mënyrë të mjaftueshme borxhin. Për një “prerje flokësh” pra falje të borxheve – e cila u kundërshtua me forcë nga Gjermania – nuk diskutohet më, por eurogrupi është i gatshëm t’u presë grekëve “majat e flokëve”. Një kompromis ky që ekspertët e financave e fshehin nëpër kontrata të ndërlikuara për normat e interesit dhe zgjatjen e afatit të amaturitetit për kreditë. Me këtë kompromis mund të jetojnë si FMN-ja edhe ministri gjerman i Financave, Volfgang Shojble.