Jo një grusht për të rinjtë, një dorë
Bënë humor me moshën e tyre. Në fakt ato që ishin të sigurta se do të jenë deputete, kishin tamam moshën, formimin dhe përgatitjen për një hap të tillë. Njëherë kërkojmë fytyra të reja, pastaj themi: jo po ç’janë këto fytyra?! Ndërsa vajzat e reja, që dua t’i përshëndes për guximin, kanë pranuar sfida, qoftë edhe mundësi…
Nga Manjola Zeka
Një tërmet në rrjetet sociale e më tej. Thirrma, tallje, nënçmime, përqeshje. Çfarë kishte ndodhur? Në Opinionin e Fevziut, ishin ftuar disa vajza të reja, kandidate për deputete, ndonjë në vend të sigurtë e ndonjë për t’u promovuar. Anglosaksonët tanë nuk duruan dot që ato shprehnin p.sh mirënjohje për kryetarët respektivë. Përse? Çfarë shembulli tjetër u keni dhënë në këto 27 vite?! Janë fare të paktë dhe në shumicë jashtë vendit, ata që bindjet e tyre të vërteta i shprehin pa mëdyshje, pa rezerva. Shumica jonë, janë të etur të jenë sadopak në vëmendje të kryetarëve, e kur kjo nuk ndodh, bëjmë parimorët e moralistët.
Bënë humor me moshën e tyre. Në fakt ato që ishin të sigurta se do të jenë deputete, kishin tamam moshën, formimin dhe përgatitjen për një hap të tillë. Njëherë kërkojmë fytyra të reja, pastaj themi: jo po ç’janë këto fytyra?! Ndërsa vajzat e reja, që dua t’i përshëndes për guximin, kanë pranuar sfida, qoftë edhe mundësi. Ku qëndron e keqja këtu? A mos vallë duhet të merreshin me shumë me kryetarët dhe me përzgjedhjet jo fort “të arsimuara” në disa raste, se sa me këto vajza që të paktën gjuhën e flisnin mirë, sepse këtu kemi arritur. Si vallë nuk doli dikush të jetë mbështetës për këto vajza, edhe këto në shkollë, që përveç librave duan të formohen edhe në politikë. Sigurisht, në bindjen time, mosha më e mirë për t’u përfshirë në politikë, është mbi 40, por kjo nuk do të thotë të mos kemi raste të veçanta. Pak sharm nuk i bën keq politikës sonë.