Ka diçka krejt humane që nuk ka ndalur…

Nga Klevi Pojana

Nuk je i/e detyruar ta lexosh, por nëse e lexon, LEXOJE DERI NË FUND

14 Mars, 2020

Gjithçka ka ndalur… qyteti, makinat, tymi, zhurmat…pothuajse gjithçka! Ka ndalur e ”mira”, përqafimet, puthjet, takimet, shtrëngimet. Por ka ndalur bashkë me të edhe e ‘keqja’… u bënë disa orë që nuk po dëgjohet më për vrasje, plagosje, vjedhje, aksidente. Është diçka e re, diçka që s’ka ndodhur kurrë më parë, diçka që askush se ka menduar asnjëherë. Duket se gjithë ‘bota’ ka ndalur, e ndoshta kishim vërtet nevojë të ndalnim, por si gjithmonë nuk jemi as gati e as dakord me arsyen pse.

COVID-19 ja doli të ndalte ‘botën’, po po, një virus kaq i vogël, sa ta krahasosh me një grimcë rëre, do duhet ta përpjestosh mijëra herë, arriti ta ndalte turravrapin e botës humane.

Por vetëm kaq. Vetëm ne ka arritur të na ndalë. Rrotullimi i tokës rreth vetes vazhdon, dita i’a lë vendin natës e nata përsëri bëhet ditë. Edhe diellit vazhdojmë t’i përqarkemi si gjithmonë, në rutinën miliona vjeçare të sistemit tonë, është radha që pranvera t’ia lërë vendin verës. Madje jeta vazhdon njësoj në të pesta mbretëritë e gjallesave, të cilat po ‘çuditen’ me ne humanët se pse kemi stopuar.

Nuk është fundi i botës… ende jo! Por ka edhe diçka krejt humane që nuk ka ndalur… Ajo është rrahja e zemrave tona. Tik-taku vazhdon, e bashkë me të dhe dashuria, e cila shkrihet në detin e shkëlqimit të syve tanë. Janë ditë të vështira, ditë që kërkojnë të jemi të bashkuar edhe pse duhet të rrimë të ndarë. Janë ditë ‘beteje’, në të cilat duhet të tregojmë përgjegjshmëri, përkujdesje dhe maturi.

Janë ditë tepër unike, një luftë për jetën duhet fituar. Armiku është një, i përbashkët dhe i pamëshirshëm për të marrë nga ne njerëzit më të shtrenjtë. Por unë jam i bindur se ne do i’a dalim! Për pak kohë, coronavirusi do të jetë histori, por një histori nga e cila ne duhet të nxjerrim disa mësime për të gjithë jetën!

Le të shohim thellë në sytë e atyre që duam më së tepërmi! Le të besojmë më shumë tek Ai që i krijoi ata sy! Le të ndjekim rrugën e Atij që s’ka të dytë, duke u përmirësuar në raport me Të, me veten, me familjen, me të gjithë. Është dashuria e Zotit që na mban në jetë, dhe ne duhet ta jetojmë jetën me më shumë dashuri.

SHKARKO APP